Seksioni 34
Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit Orson Pratt-it, në Fayette, New York, më 4 nëntor 1830 (History of the Church, 1:127–128). Vëllai Pratt ishte nëntëmbëdhjetë vjeç atëherë. Ai ishte kthyer në besim dhe ishte pagëzuar kur dëgjoi predikimin e ungjillit të rivendosur nga vëllai i tij më i madh, Parley P. Pratt, gjashtë javë më parë. Kjo zbulesë u mor në shtëpinë e Peter Whitmer Plakut.
1–4, Besimtarët bëhen bijtë e Perëndisë nëpërmjet Shlyerjes; 5–9, Predikimi i ungjillit përgatit udhën për Ardhjen e Dytë; 10–12, Profecia vjen me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.
1 Biri im Orson, vër vesh e dëgjo dhe mbaj shënim çfarë unë, Zoti Perëndi, do të të them ty, madje Jezu Krishti, Shëlbuesi yt.
2 Drita dhe jeta e botës, një dritë që shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kupton atë;
3 I cili kaq shumë e deshi botën, sa dha jetën e tij, që të gjithë ata që do të besonin, të mund të bëheshin bijtë e Perëndisë. Prandaj ti je biri im;
4 Dhe bekuar qofsh ti, sepse ke besuar;
5 Dhe më i bekuar je, pasi je thirrur nga unë për të predikuar ungjillin tim—
6 Për të ngritur zërin tënd si me tingullin e një borie, si të lartë, e të fortë, dhe për t’i thirrur pendim një brezi të shtrembër dhe të degjeneruar, duke përgatitur udhën e Zotit për ardhjen e tij të dytë.
7 Sepse vër re, në të vërtetë, në të vërtetë, unë të them, koha është shpejt pranë, që unë të vij në një re me fuqi dhe lavdi të madhe.
8 Dhe do të jetë një ditë e madhërishme në kohën e ardhjes sime, sepse tërë kombet do të dridhen.
9 Por përpara se dita e madhërishme të vijë, dielli do të errësohet dhe hëna do të kthehet në gjak; dhe yjet nuk do ta pranojnë shkëlqimin e tyre, dhe disa do të bien, dhe shkatërrime të mëdha i presin të ligjtë.
10 Si rrjedhim, ngrije zërin dhe mos e kurse, sepse Zoti Perëndi ka folur; prandaj profetizo dhe do të të jepet me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.
11 Dhe nëse je besnik, vër re, unë jam me ty, derisa të vij—
12 Dhe në të vërtetë, në të vërtetë, unë të them, unë vij shpejt. Unë jam Zoti yt dhe Shëlbuesi yt. Madje kështu. Amen.