Paraqitja
Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore
E diel, 18 shkurt 2024
Të dashur të rinj e të reja në moshë madhore nga e gjithë bota, është një bekim i madh dhe një privilegj për të gjithë ne që jemi me ju në këtë takim shpirtëror mbarëbotëror të SAK-ut për të rinjtë e të rejat në moshë madhore. Jemi gjithashtu të kënaqur që me ne sonte është Vëllai Çad Ueb i cili shoqërohet nga bashkëshortja e tij e dashur, Kristi. Vëllai e Motra Ueb janë dishepuj besnikë të Krishtit dhe shembuj të mrekullueshëm të përkushtimit e dashurisë në çdo aspekt të jetës së tyre.
Jemi shumë të emocionuar për praninë tuaj sot në këtë takim shpirtëror. Prania juaj tregon shumë për besimin tuaj te Perëndia dhe Jezu Krishti dhe dëshirën tuaj për ta ndier dashurinë e Tyre dhe për t’i ndjekur Ata. Ndërsa vendosni t’i ndiqni dhe adhuroni Ata, jeta mund t’ju mbushet me një masë shtesë force e ripërtëritjeje shpirtërore që janë tejet të nevojshme në rrugëtimin tonë si dishepuj të Tij në kohën tonë. Ju duam të gjithëve!
Ju sjell të gjithëve përshëndetjet entuziaste dhe të ngrohta dhe dashurinë nga profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, nga këshilltarët e tij në Presidencën e Parë dhe gjithë Kuorumi i Dymbëdhjetëve Apostujve. Ata vërtet ju duan, interesohen dhe luten për mirëqenien tuaj vazhdimisht. Shpresoj ta ndieni dashurinë e tyre dhe veçanërisht dashurinë e Perëndisë dhe të Krishtit gjatë takimit tonë shpirtëror sot.
Më pëlqeu vërtet kënga e frymëzuar e interpretuar një minutë më parë. Teksti i frymëzuar i këtij himni të dashur, krijon mirëfilli atmosferë për takimin tonë shpirtëror sonte dhe i jep përgjigje njërës prej lutjeve më të zjarrta të zemrës: “Ku mund të gjej paqe?”
“Ku në nevoj’ mund t’rend, që un’ ta di?
Ku ësht’ dora e qet’ dhembjen të m’leht’soj’?
Kush mundet t’më kuptoj?
Vetëm Ai. …
Plot mir’si, dashuri
Në hyrjen kryesore të Ndërtesës së Zyrave të Kishës në Solt-Lejk-Siti, gjendet një pikturë e bukur e Jezu Krishtit me krahët e Tij të shtrirë mes dishepujve të Tij. Shpëtimtari e kaloi jetën e Tij në tokë duke i ftuar njerëzit të vinin tek Ai dhe Ai i siguroi me dhembshuri se sapo të vinin, do të mund “të gjeni[n] prehje për shpirtrat” e tyre.
Jezu Krishti qëndron krahëhapur në mundësitë e reja të jetës së përditshme dhe na e bën me shenjë duke thënë: “Unë do të të rrethoj me krahët e dashurisë sime”. Edhe nëse pengohemi ose lëkundemi për ta ndjekur, ne mund të biem në krahët e Tij të hapur, të ndiejmë dashurinë e Tij të përsosur dhe të dimë se hapësira mes krahëve të Tij është shenjtëruar si një vend për ne nëpërmjet flijimit të Tij të dashur e shlyes. Çfarë mënyre e mahnitshme për të gjetur paqe në këtë botë kaq shqetësuese!
Në frymën e gjetjes së paqes nëpërmjet Shpëtimtarit, ne ftuam studentë të institutit nga e gjithë bota që të na tregonin shqetësimet dhe pyetjet e tyre kryesore. Ata i regjistruan pyetjet e tyre në pjesë të shkurtra filmike dhe na i dërguan. Na bëri shumë përshtypje dhe u prekëm nga mirësia e çiltër e shprehur nëpërmjet këtyre pyetjeve. Ne mund ta ndiejmë thellësisht dëshirën tuaj për t’u afruar më pranë Shpëtimtarit e për t’u bërë dishepujt e Tij të përkushtuar.
I grupuam këto materiale të shkurtra filmike sipas temave si më poshtë: 1) Forcimi i dëshmisë sonë, 2) durimi i sprovave, 3) ndjekja e planit të Perëndisë për ne, 4) përgatitja për të hyrë dhe për të adhuruar në tempull dhe 5) përqendrimi i jetës sonë te Jezu Krishti.
Ne do t’jua shfaqim materialet e zgjedhura filmike të pyetjeve tuaja për t’ju dhënë pak kontekst dhe si një hyrje për çdo temë në diskutimin tonë sonte. Do të na bashkohet Vëllai dhe Motra Ueb ndërsa trajtojmë disa prej këtyre temave, për të dhënë nga urtësia dhe dëshmia e tyre e jashtëzakonshme për ungjillin e Jezu Krishtit.
Faleminderit shumë. Ne ju duam të gjithëve dhe pyetjet që dërguat na tregojnë se sa shumë e doni Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin.