Takime Shpirtërore 2024
Përqendrimi i Jetës Sonë te Jezu Krishti


6:25

Përqendrimi i Jetës Sonë te Jezu Krishti

Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

E diel, 18 shkurt 2024

Plaku Ulises Soares: Të gjitha pyetjet e mrekullueshme që i shqyrtuam sonte, kulmojnë me temën më të rëndësishme që na dhatë për këtë takim: “Përqendrimi i jetës sonë te Jezu Krishti”.

Materialet filmike, ju lutem.

LA PAZI, BOLIVI— PYETJA 3

Plaku Soares, kam një pyetje. Si mundemi, në një botë kaq të trazuar, të zhvillojmë mirëbesim më të madh te Shpëtimtari dhe ta rrezatojmë më mirë dritën e Jezu Krishtit në botë?

MEKSIKO‑SITI #1 – PYETJA 4

Plaku Soares, si mund t’i afrohem fuqisë së Perëndisë dhe, duke e bërë këtë, të përmirësoj jetën dhe të ndihmoj të tjerët?

SEBU, FILIPINE – PYETJA 9

Plaku Soares, dua t’ju pyes si e dallojmë të fiksuarit pas përsosjes nga ftesa e Krishtit për të qenë të përsosur si Ai?

Plaku Soares: Faleminderit për dëshirën e drejtë për ta ndjekur Shpëtimtarin, të shprehur nëpërmjet këtyre pyetjeve. Duhet të dini se Shpëtimtari Jezu Krisht qëndron te mundësitë e reja, me krahët e Tij plot mëshirë të shtrira, i gatshëm dhe i aftë të na rrethojë me dashurinë e Tij. Ai dëshiron që të bëhemi si Ai, të mendojmë e të veprojmë si Ai, ngaqë Ai e di se kjo është mënyra se si të kemi paqe dhe lumturi afatgjatë. Për shkak të kësaj, Shpëtimtari gjithmonë na fton të afrohemi pranë Tij dhe ta ndjekim Atë me gjithë zemër. Merreni parasysh këtë ftesë siç shënohet në shkrimet e shenjta:

“Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë”. Teksa e përqafojmë këtë ftesë, Shpëtimtari i përmbush premtimet e Tij të mrekullueshme, duke përfshirë ecjen në dritën e Tij ashtu edhe marrjen e udhërrëfimit vetjak në jetën tonë.

Përqendrimi i jetës sonë te Shpëtimtari kërkon që t’i përputhim mendjen tonë dhe dëshirat tona me të Tijat. Për ta përmbushur këtë synim, duhet të përpiqemi të mësojmë më shumë rreth Tij, ta drejtojmë vazhdimisht jetën tonë në harmoni me ungjillin e Tij dhe të bëjmë përpjekje të përditshme e të zellshme për t’u përqendruar te gjithçka që është e mirë.

Gjatë kësaj përpjekjeje për ta përputhur jetën tonë me Shpëtimtarin, mund të pështjellohemi rreth domethënies së të bërit të përsosur në Krisht dhe të fiksuarit pas përsosjes. E dashur, a mund të japësh një mendim për këtë?

Motra Rozana Soares: Po. Do të doja të përsëritja atë që dha mësim Plaku Vërn Stenfill, i Të Shtatëdhjetëve, në lidhje me këtë temë. Ai tha se duhet të mbajmë mend se të fiksuarit pas përsosjes nuk është e njëjta gjë si të qenit i përsosur në Krishtin. Të fiksuarit pas përsosjes kërkon një standard të pamundur, të vetimponuar që na krahason me të tjerët. Kjo shkakton ndjenja faji e ankth dhe mund të na bëjë të duam të tërhiqemi dhe të izolohemi.

Bërja i përsosur në Krisht është çështje tjetër. Ai është procesi, i udhëhequr plot dashuri nga Fryma e Shenjtë, i bërjes më shumë si Shpëtimtari. Standardet janë vendosur nga një Atë Qiellor dashamirës e i gjithëditur, dhe janë përkufizuar qartë te besëlidhjet të cilat ftohemi t’i përqafojmë. Teksa e pranojmë ftesën e Shpëtimtarit që të vijmë tek Ai, shpejt kuptojmë se më e mira që japim, është e mjaftueshme, se hiri i një Shpëtimtari të dashur do ta shlyejë pjesën e mbetur në mënyra të papërfytyrueshme.

Plaku Soares: Miqtë e mi, përfshirja në këtë model është, pa dyshim, një proces gradual për gjithë jetën dhe kërkon më tepër sesa thjesht besim. Por teksa e përqafojmë atë, do të përjetojmë gëzim, paqe e rritje shpirtërore, dhe cilësitë e Shpëtimtarit mund të bëhen pjesë e karakterit tonë, dhe imazhi i Tij mund të gdhendet në fytyrat tona.

E kam parë vetë se si përqendrimi i jetës sonë te Shpëtimtari sjell forcë për të kapërcyer vështirësitë, dobësitë dhe dhembjet e jetës, që janë tejet të vështira për t’u përballuar pa ndihmën dhe fuqinë e Tij shëruese. Kam një mikeshë, e cila aktualisht po përjeton një sëmundje të rëndë dhe prognoza nuk është pozitive. Atë nuk e shqetëson kjo perspektivë. Dëshira e saj e vetme është të dijë a ka qenë trimëreshë dhe e guximshme në dëshminë për Shpëtimtarin Jezu Krisht në jetën e saj. Është e qartë për mua që ajo e ka përqendruar jetën te Shpëtimtari dhe i ka ndier krahët e Tij të shtrira që ta përqafojnë, veçanërisht gjatë një kohe kaq të trazuar.

Presidenti Nelson dha mësim: “Kërkon përpjekje të ndërgjegjshme [dhe të vazhdueshme] që ta mbushim jetën tonë të përditshme me fjalët e [Shpëtimtarit], mësimet e Tij [dhe] të vërtetat e Tij”. Asgjë nuk e fton më shumë Shpirtin sesa ngulitja e përqendrimit tonë te Jezu Krishti.

Miqtë e mi të dashur, mendoj se po i vjen fundi përvojës sonë të mrekullueshme së bashku. Para se të shpreh fjalët përmbyllëse, doja t’i ftoja Vëllanë dhe Motrën tonë të dashur Ueb dhe pastaj bashkëshorten time të dashur që të japin dëshmi të shkurtra. A mund ta bëni atë? Faleminderit.

Motra Kristi Ueb: Vëllezër dhe motra, e dua Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Fakti që arrita ta kuptoj dashurinë e Tij të përsosur për mua, më ndryshoi jetën. Ai më ndryshoi. Dëshmoj se Ai jeton. Dëshmoj se Ai e do secilin prej nesh. Dëshmoj se Ai dha jetën për të na shëlbuar. Shembulli i Tij i përulësisë, bindjes dhe dashurisë më frymëzon çdo ditë. Ai po më mëson si t’i mirëbesoj e t’i shërbej Atit tim Qiellor. Ai është drita, forca dhe shpresa ime. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Vëllai Çad H Ueb: Është privilegj të jemi me ju sonte dhe të jemi me Plakun dhe Motrën Soares. Do të doja të shtoja dëshminë time për thirrjen e Plakut Soares si Apostull i Zotit Jezu Krisht. E di edhe se Presidenti Nelson është profeti i Zotit në tokë sot. Shtoj dhe dëshminë time se Ati Qiellor ju do. Ai ka një plan të përsosur lumturie për t’i shpëtuar dhe ekzaltuar fëmijët e Tij. Jezu Krishti është figura qendrore e atij plani të përsosur dhe është Shpëtimtari e Shëlbuesi i botës. Ai është shembulli ynë i përkryer. Ai është Krishti i gjallë. Ai është Perëndia i çlirimit. Mund t’i mirëbesojmë Atij me gjithë zemër. Jam tejet mirënjohës që jam anëtar i Kishës së Tij dhe për të gjitha bekimet që kemi falë ungjillit të Tij të rivendosur. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Motra Soares: Miqtë e mi të dashur, jam kaq mirënjohëse për një Perëndi që është i përfshirë në gjëra të vogla në jetën tonë. Ai e di se për çfarë kemi nevojë dhe Ai ka përgjigjet për pyetjet tona. Gjithçka që nevojitet të bëjmë, është të kërkojmë. Kur e tregojmë durimin, mirënjohjen dhe besimin tonë tek Ai përmes lutjes së çiltër, Ai është gjithmonë pranë, gati për të na ndihmuar. Ai nuk do të na braktisë kurrë. Edhe nëse nuk e ndiejmë Atë pranë, Ai është gjithmonë pranë.

Dhe ajo që më jep më shumë shpresë, është njohuria se ne kemi një Shpëtimtar që e udhëheq Kishën e Tij këtu në tokë nëpërmjet Presidentit Nelson dhe profetëve, shikuesve dhe zbuluesve të Tij. Në emrin e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.