Ndjekja e Planit të Perëndisë për Ne
Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore
E diel, 18 shkurt 2024
Plaku Ulises Soares: Tema jonë e radhës është “ndjekja e planit të Perëndisë për mua”.
Pasi i dëgjuam pyetjet tuaja, do të doja të ftoja Vëllanë Ueb të japë mendime mbi këtë temë. Në rregull?
SEBU, FILIPINE – PYETJA 8
Plaku Soares, dua të bëj një pyetje. Kur e kuptove ti vetë se Perëndia ishte vërtet në hollësitë e jetës sate?
BRAZIL – PYETJA 3
Plaku Soares, nga mund ta di se po jetoj në lartësinë e pritshmërive që Ati Qiellor ka për mua dhe se Ai i miraton zgjedhjet që bëj?
Vëllai Çad H Ueb: Hera e parë që e ndjeva vërtet atë, ishte kur mora bekimin tim patriarkal. Shpirti më ndihmoi të di se Zoti më njihte dhe donte të më ndihmonte në çdo aspekt të jetës. Nga ajo kohë, e kam parë dhe ndier atë aq herë sa nuk numërohen. Kur isha misionar e pashë dorën e Tij në jetën time dhe në jetën e shumë njerëzve këtu në Meksikë. Para misionit, isha i ndrojtur dhe kisha frikë të flisja me njerëzit. Gjatë misionit, Zoti më bekoi në mënyra të mahnitshme dhe kjo ma ndryshoi pjesën tjetër të jetës.
Por e parapëlqyera është mënyra si Ai më ndihmoi të njihja Kristin. Pak para se të njiheshim, aplikova për një punë që e doja vërtet. U zhgënjeva shumë që nuk më morën dhe më kujtohet që bëra një lutje mosmirënjohëse ku i thoja Zotit se nuk ishte e drejtë. Gabimisht mendova se ngaqë po e jetoja ungjillin, supozohej që Ai të më jepte atë që doja. Pak javë më vonë, ndodhi një mrekulli dhe gjeta një punë tjetër. Ajo punë bëri që të njihja Kristin. Është histori e gjatë, por po të kishin shkuar gjërat siç doja unë për punën e parë, nuk do ta kisha njohur kurrë atë. Thjesh mund të hamendësoj se çfarë ka menduar Ati Qiellor gjatë lutjes sime mosmirënjohëse. Mbase diçka si: “A mund të kesh pak durim? E kam një plan. Kam diçka më të mirë për ty po të më mirëbesosh.” Sa gëzohem që e ka drejtuar Ai jetën time dhe jo unë. Mësova se Ai përfshihet në hollësitë e jetës sonë dhe se Ai mund ta bëjë atë shumë më të mirë nga sa mund ta bënim ne pa Të. S’e imagjinoj dot jetën pa Kristin. Sa mirë që Ai e dinte më mirë se unë atë që më duhej vërtet. Mësova se mund t’i mirëbesojmë Atij me gjithë zemër.
Plaku Soares: Faleminderit për mësimet e mrekullueshme, Vëllai Ueb. Miqtë e mi, Perëndia njëmend ka një plan për ne. Plani është jeta e përjetshme. Ju dëshmoj se kur ushtrojmë lirinë e zgjedhjes dhe marrim vendime me drejtësi, ne përcaktojmë se sa mirë po e ndjekim planin e Tij për ne.