Takime Shpirtërore 2024
Forcimi i Dëshmisë Sonë


6:50

Forcimi i Dëshmisë Sonë

Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

E diel, 18 shkurt 2024

Plaku Ulises Soares: Le ta nisim pra me temën e parë: “Forcimi i Dëshmisë Sonë”.

HUANKAJO, PERU – PYETJA 2

Plaku Soares, pyetja ime është: Si mund ta dallojmë se po pësojmë një përgjumje shpirtërore dhe si mund të largohemi nga kjo situatë?

LA PAZ, BOLIVI – PYETJA 6

Plaku Soares, çfarë këshille do t’iu jepnit të rinjve e të rejave që e jetojnë ungjillin, që e dinë në mendje se është i vërtetë, por nuk e ndiejnë atë në zemër?

KONSEPSION, KILI – PYETJA 11

Përshëndetje Plaku Soares! Pyetja ime është: Cila është mënyra më e mirë për t’i ndihmuar njerëzit e dashur që të kthehen në shtegun e ungjillit pasi kanë qenë joaktivë për shumë vjet?

Plaku Soares: Miqtë e mi të dashur, një dëshmi e vërtetë për ungjillin është një dëshmi vetjake që na lind në shpirt nga Fryma e Shenjtë se fakte të caktuara, me domethënie të përjetshme, janë të vërteta. Kjo dëshmi vetjake krijon një dëshirë më të madhe tek ne për ta kthyer zemrën te Shpëtimtari me besim dhe në pendim, për të përjetuar një ndryshim të zemrës, për të marrë ordinancat e shpëtimit dhe për të besëlidhur që ta ndjekim Atë vazhdimisht gjatë gjithë rrugëtimit tonë në vdekshmëri. Ajo sjell dritën e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit në jetën tonë dhe na përqendron të gjithëve ne drejt të njëjtit qëllim, për t’u kthyer tek Ati ynë në Qiell. Një dëshmi e fortë bëhet shtysa jonë për të bërë më mirë në këtë jetë dhe një fortesë e padepërtueshme që na mbron nga sulmet e pareshtura të Satanit.

Shpëtimtari e ka caktuar udhën se si ta forcojmë dëshminë tonë dhe të shmangim plogështinë dhe rënien në grackën e apatisë shpirtërore. Ai tha: “Mëso nga unë dhe dëgjoji fjalët e mia; ec në butësinë e Shpirtit tim dhe ti do të kesh paqe në mua”. Vetë Zoti premtoi se Ai do t’i drejtonte shtigjet tona nëse ne do ta pranonim ftesën e Tij.

Disa vjet më parë, profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, na mësoi për nevojën që kemi për të ndezur hovin tonë shpirtëror. Ai tha: “Nuk na është nevojitur kurrë hovi pozitiv shpirtëror më shumë sesa na nevojitet tani, për të kundërvepruar ndaj shpejtësisë me të cilën e keqja dhe shenjat më të errëta të kohës po intensifikohen”. Ai sugjeroi pesë gjëra specifike që mund të bëjmë, të cilat do të na ndihmojnë ta ruajmë hovin pozitiv shpirtëror dhe, si rrjedhojë, mund të ndikojnë në dëshminë tonë për ungjillin e Jezu Krishtit. Ja cilat janë: 1) futuni në shtegun e besëlidhjeve dhe qëndroni atje, 2) zbulojeni gëzimin e pendimit të përditshëm, 3) mësoni rreth Perëndisë dhe mënyrës se si vepron Ai, 4) kërkoni dhe prisni mrekulli dhe 5) jepini fund konfliktit në jetën tuaj personale. Miqtë e mi të dashur, siç bëjnë gjithmonë profetët, mësimet e tyre ndiqen nga premtime: “Ndërsa veproni sipas këtyre synimeve, ju premtoj aftësinë për të shkuar përpara në shtegun e besëlidhjeve me hov më të madh, pavarësisht cilësdo pengese me të cilën përballeni. Dhe ju premtoj forcë më të madhe për t’i rezistuar tundimit, më shumë paqe të mendjes, liri nga frika dhe unitet më të madh në familjet tuaja.” Këtë tha profeti.

Miqtë e mi, besimi tregohet me anë të veprimit dhe veprimi e ndërton dhe e forcon dëshminë tonë. Ndërsa veprojmë me besim ndaj gjërave që na mësohen nga profeti ynë i dashur, dëshmia jonë për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij do të forcohen, ne do ta mbajmë Krishtin të gjallë brenda nesh dhe ne do ta jetojmë jetën tonë “duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në të, dhe duke u forcuar në besim, … duke mbushulluar në të me falenderim”. Për më tepër, ju do të keni më shumë entuziazëm për ungjillin, do ta ndieni ndikimin e Frymës së Shenjtë më shpesh në jetën tuaj dhe do të bëheni më të qëndrueshëm shpirtërisht dhe më të mbrojtur nga apatia shpirtërore dhe një dëshmi e plogësht.

E dashur, a do të thuash diçka për temën se si t’i ndihmojmë të tjerët, që e kanë humbur dëshminë e tyre, të kthehen në shtegun e besëlidhjeve?

Motra Rozana Soares: Po. Besoj dhe kam besuar gjithmonë se mënyra më e mirë për ta ndihmuar një njeri të dashur të kthehet në shtegun e ungjillit, është ta doni shumë Perëndinë dhe personin dhe të jeni shembulli më i mirë që mund të jeni. Ju mund t’i nxitni ata që të arrijnë ta njohin Perëndinë dhe të gëzojnë dashurinë e përkryer të Shpëtimtarit pa bërë gjykime të padrejta ose pa i nënçmuar ata. Sa më shumë ta duam Perëndinë dhe t’u bindemi urdhërimeve të Tij, aq më shumë e ndiejmë dashurinë për personin dhe dëshirojmë që ai ose ajo t’i gëzojë bekimet e ungjillit pavarësisht se ku e gjen veten në shtegun e dishepullimit. Mendoj që njerëzit duhet të ndiejnë se të tjerët i duan shumë edhe nëse vendimet e tyre po i largojnë ata nga shtegu i besëlidhjeve.