Durimi i Sprovave
Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore
E diel, 18 shkurt 2024
Plaku Ulises Soares: Shumë mirë. Faleminderit. Tani le të shohim pyetjet lidhur me “durimin e sprovave”.
GANË – PYETJA 7
Plaku Soares, do të doja të dija pse është gjithmonë e vështirë kur vjen puna tek ushtrimi i besimit në kohë të mundimshme.
KONSEPSION, KILI – PYETJA 8
Përshëndetje Plaku Soares! Pyetja ime është sa vijon: Si do ta ndihmonit dikë që ka vuajtur kaq shumë në jetë, saqë duket sikur nuk i ka marrë kurrë bekimet e ungjillit të Jezu Krishtit?
BILBAO, SPANJË – PYETJA 2
Plaku Soares, në Kishë ne kemi të rinj e të reja të denja që kanë mundur të shërbejnë misione dhe që vazhdojnë të shërbejnë si në Kishë edhe në komunitet. Por me gjithë shërbimin e tyre, ata nuk kanë mundur t’i shohin bekimet e premtuara. Çfarë do t’u thoshit atyre të rinjve e të rejave, rrugëtimi i të cilëve në tokë nuk ka qenë aq i bekuar siç u është premtuar se do të ishte?
Plaku Soares: Ju falënderoj shumë për këto pyetje të jashtëzakonshme. Një keqkuptim shumë i zakonshëm mes shumë prej nesh është se nëse përpiqemi me gjithë fuqinë për ta ndjekur vullnetin e Zotit dhe nëse jetojmë një jetë të drejtë, nuk do të na ndodhë asgjë e keqe. Kur ne e pranuam planin e Atit Qiellor përpara vdekshmërisë, e dinim se do të përjetonim gëzim si edhe sfida e sprova gjatë rrugëtimit tonë këtu në vdekshmëri. Kalimi përmes këtyre rrethanave nganjëherë të vështira është pjesë e procesit tonë të të mësuarit, me qëllim që të kualifikohemi për t’u kthyer në praninë e Atit tonë Qiellor. Pra, e vërteta është se ne do të përballemi me fatkeqësi në jetën tonë pavarësisht se sa njerëz të drejtë jemi. Nga ana tjetër, pasojat e veprimeve të mira do të vijnë patjetër, por nganjëherë jo menjëherë. Këto bekime mund të vijnë me një kalendar ndryshe nga i yni dhe sipas vullnetit të Atit, i cili, në urtësinë e Tij dhe gjithëditurinë e Tij, e di se çfarë na nevojitet dhe se ç’është më e mira për ne në këtë jetë.
Pra, njëra nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëjmë kur ne përballemi me fatkeqësi këtu në vdekshmëri, është ta kthejmë zemrën dhe mirëbesimin tonë te Shpëtimtari. Kur bëjmë kështu, ne nuk do të gjejmë vetëm ngushëllimin që kërkojmë, por do të fitojmë gjithashtu besim dhe dëshmi më të madhe për realitetin e Shpëtimtarit dhe Shlyerjes së Tij. Krishti vuajti dhembje, hidhërime dhe tundime të çdo lloji, që Ai të mund të mbushej me mëshirë dhe të dinte se si të na ndihmonte sipas dobësive tona. Shpëtimtari mundet, më mirë se çdokush tjetër, të shërojë pasojat e çfarëdo rrethane sfiduese në vdekshmëri. Në disa raste, mund të mos shërohemi menjëherë fizikisht nga dhembja apo sëmundja jonë, por mund të shërohemi shpirtërisht teksa marrim forcë, kuptueshmëri dhe durim për t’i mbajtur barrët që na janë vënë mbi supe. Pra, kur e kthejmë zemrën te Shpëtimtari, Ai do të bëjë çudira në jetën tonë.
Një pikë tjetër për t’u marrë në konsideratë, është se ne mund t’i shohim sprovat dhe sfidat tona si mundësi për t’u rritur në vend që ta lejojmë veten të ndihemi si të fundosur prej tyre. Ju siguroj, miqtë e mi, se të vepruarit kështu mund të na japë mundësi që t’i tregojmë Zotit dhe vetes se ne mund dhe do të bëjmë të gjitha gjërat që Zoti na ka urdhëruar dhe t’u afrohemi më pranë gjërave me vlerë të përjetshme pavarësisht nga rrethanat tona. Ai e di se ne mund të bëjmë gjëra të vështira! Ai na jep shumë fuqi.
Siç u dha mësim nga Plaku Orson F. Uitni, njëri nga Apostujt e Rivendosjes: “Asnjë dhembje që vuajmë, asnjë sprovë që përjetojmë nuk shkon kot. Ajo i shërben edukimit tonë, zhvillimit të cilësive të tilla si durimi, besimi, qëndresa dhe përulësia … [dhe] kur e përballojmë atë me durim, kjo e forcon karakterin tonë, na e pastron zemrën, na e zgjeron shpirtin dhe na bën më zemërbutë dhe me dashuri hyjnore, më të denjë për t’u quajtur fëmijë të Perëndisë .… Ndodh përmes hidhërimit dhe vuajtjes, mundimit dhe fatkeqësisë, që ne e marrim atë edukim, gjë për të cilën erdhëm këtu.”
Miqtë e mi, zhvillimi i durimit na ndihmon ta shohim jetën me një këndvështrim të përjetshëm dhe ky bëhet një ndikim shërues në shpirtin tonë. Duke mësuar nëpërmjet përvojës sonë, ne mund të fitojmë ndjeshmëri dhe dhembshuri për të tjerët dhe mund të jemi të dobishëm për lartësimin e tyre shpirtëror në çastet e tyre të vështirësisë.
E dashur, a dëshiron të komentosh për këtë çështje të rëndësishme?
Motra Rosana Soares: Po, i dashur. Ka njerëz që reagojnë ndryshe ndaj sfidave të njëjta ose vuajtjes së vazhdueshme.
Disa prej tyre mendojnë se po rafinohen në duart e Krijuesit tonë Suprem, i cili është Perëndia ynë. Të tjerë mendojnë se Zoti i ka harruar ata dhe bëjnë përherë pyetjen “Pse?” përballë këtyre rrethanave. Të tjerë veprojnë me durim dhe besim te Jezu Krishti dhe janë të aftë ta shohin dhe ta pranojnë vullnetin e Zotit për t’i ndihmuar ata të shërohen shpirtërisht. Ne jemi këtu në tokë që të mësojmë dhe të rritemi. Pak nga pak, ne do të shohim frytet e përpjekjeve tona; thjesht le të bëjmë përpara dhe të jemi të duruar. Nuk ka qenë kurrë e lehtë dhe kjo është arsyeja pse ne kemi Shpëtimtarin tonë Jezu Krishtin!
Plaku Soares: Faleminderit, e dashur. Komente tepër mbresëlënëse.
Disa nga sfidat tona janë rrjedhojë e kushteve të vdekshmërisë dhe nuk do të vazhdojnë në jetën tjetër. Sot mund të mos jemi në gjendje t’i kuptojmë siç duhet të gjitha arsyet për sfidat tona ose mundësitë që ato mund të na japin për t’u rritur shpirtërisht. Kur ne vazhdojmë me durim në drejtësi, Zoti mund të na zbulojë kuptueshmëri më të madhe rreth sprovave tona dhe qëllimit të tyre në jetën tonë.