Takime Shpirtërore 2024
Përgatitja për të Hyrë dhe për të Adhuruar në Tempull


11:49

Përgatitja për të Hyrë dhe për të Adhuruar në Tempull

Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

E diel, 18 shkurt 2024

Plaku Ulises Soares: Ne kemi marrë shumë pyetje të mira që lidhen me një nga temat e parapëlqyera të Presidentit Rasëll M. Nelson: “Përgatitja për të hyrë dhe për të adhuruar në tempull”.

Vëllai dhe Motra Ueb, a do të jepni edhe ju mendime mbi këtë temë pasi i dëgjuat pyetjet e regjistruara?

EDMONTON, KANADA – PYETJA 1

Plaku Soares, pyetja ime është: Si mund të përgatitem për të shkuar në tempull për herë të parë dhe për të marrë dhurimin?

EDMONTON, KANADA – PYETJA 2

Plaku Soares, nga ta di se kur jam gati të marr dhurimin?

KONSEPSION, KILI – PYETJA 2

Përshëndetje Plaku Soares! Kam një pyetje. Si mund ta bëj frekuentimin e tempullit më domethënës dhe pjesë më qendrore të jetës?

Vëllai Çad H Ueb: Kjo është një pyetje tejet e mrekullueshme dhe e rëndësishme.

E para që do të sugjeroja është të përgatiteni shpirtërisht. Mësoni ta dëgjoni zërin e Zotit dhe t’u përgjigjeni nxitjeve. Jini moralisht të pastër dhe shmangini gjërat që do ta kufizonin Shpirtin në jetën tuaj. Nëse keni bërë gabime, pendohuni dhe bëhuni të denjë për shtëpinë e Zotit. Në çfarëdo pike që keni qenë në jetë, Shlyerja e Jezu Krishtit gjen zbatim për ju. Për shkak të Tij, mund të jeni të denjë. Ai do t’ju ndihmojë.

Motra Kristi Ueb: Një sugjerim tjetër është të flisni rreth tempullit me familjarë, udhëheqës ose miq të besuar. Tempulli është i shenjtë, por jo gjithçka rreth tij është konfidenciale dhe mund të flasim më shumë rreth tij nga sa e bëjmë. Mendoj se mund të jetë e dobishme të flisni para dhe pasi shkoni për herë të parë. Është mirë të keni pyetje se kështu mësoni, ndaj bëjuni pyetje njerëzve që u mirëbesoni, që e duan tempullin dhe e kanë të shenjtë. Mbi të gjitha, bëjani pyetjet Zotit. Pyetjet janë mënyra më e mirë se si Zoti mund të na mësojë nëpërmjet zbulesës. Sa më shumë ta frekuentoni tempullin, aq më shumë do t’ju mësojë Ai.

Vëllai Ueb: Një sugjerim i fundit është të studioni. Mësoni gjithçka që mundeni rreth tempullit. Një vend i mirë për ta bërë atë është këndi i internetit ChurchofJesusChrist.org/temples, ku mund të mësoni rreth dhurimit, veshjeve të brendshme të tempullit dhe veçanërisht rreth secilës besëlidhje që do të bëni në tempull. Ai kënd interneti është shumë i dobishëm.

Si pjesë e studimit tuaj, mësoni gjithçka që mundeni rreth simbolizmit të tempullit. Për mua, një nga mënyrat më të mira të përgatitjes për ta kuptuar tempullin, ka qenë të mësoja për tabernakullin e lashtë në Dhiatën e Vjetër. Simbolet në tempujt modernë ndryshojnë nga lashtësia, por parimet e qëllimet janë shumë të ngjashme dhe mund të na ndihmojnë të përgatitemi për përvojën në tempull.

Ata që hynin në tabernakullin e lashtë, fillimisht i afroheshin një altari ku jepnin fli në ngjashmëri me flijimin shlyes të Shpëtimtarit. Laheshin në larëse, vajoseshin me vaj dhe u jepeshin veshje të shenjta. Gjithashtu në tabernakull ishte një tendë që quhej Vendi i Shenjtë ku mbahej minora, që simbolizonte të jetuarit me Shpirtin ose dritën e Perëndisë. Tryeza e bukëve të paraqitjes dhe verës, të ngjashme me sakramentin. Aty ishte dhe altari i temjanit, që përfaqësonte lutjen. Pjesa e fundit e tabernakullit ishte Shenjtërorja e Shenjtëroreve, që mbante arkën e besëlidhjes dhe pajtuesin. Vetëm prifti i lartë kalonte përmes velit dhe hynte në Shenjtëroren e Shenjtëroreve dhe kjo bëhej një herë në vit, në ditën e Shlyerjes. Oborri i jashtëm përfaqësonte mbretërinë telestiale; Vendi i Shenjtë, mbretërinë terrestriale dhe Shenjtërorja e Shenjtëroreve, mbretërinë çelestiale. Kjo ecje drejt tabernakullit i mësoi Izraelit të lashtë rrugëtimin e vet nëpërmjet vdekshmërisë, me synimin për të hyrë në praninë e Perëndisë.

Në atë që e mendoj si simbolin më të bukur në historinë e botës, kur Jezusin e kryqëzuan, pati një tërmet dhe veli i tempullit të Herodit u ça në gjysmë, duke simbolizuar që Shlyerja tani kishte përfunduar, të gjithë mund të hynin në mbretërinë çelestiale ose në praninë e Perëndisë.

Edhe ngjyrat në tabernakull, blu, vjollcë, e kuqe dhe e bardhë, mund të kenë domethënie simbolike. Bluja mendohet se përfaqëson qiellin, vjollca është një simbol i lashtë i familjes mbretërore, e kuqja na kujton gjakun e Jezu Krishtit dhe e bardha përdorej shpesh si simbol i pastërtisë. Të bashkuara në perdet e tabernakullit dhe mantelet e priftërinjve, ato mund të na drejtojnë tek ideja se ne pastrohemi nëpërmjet gjakut mbretëror të qiellit.

Ja pse shkojmë në tempull, që të mësojmë si të marrim fuqinë e plotë të flijimit shlyes të Jezu Krishtit në jetën tonë. Ne mësojmë se nëpërmjet besëlidhjeve dhe ordinancave të tempullit dhe Shpëtimtarit, mund të përgatitemi për t’u kthyer në praninë e Perëndisë, të pastër e të dëlirë. Në tempull mësojmë për Adamin dhe Evën, se si u dëbuan nga prania e Perëndisë dhe si u përgatitën për t’u kthyer tek Ai. Nga historia e tyre mësojmë si të përgatitemi për atë ditë të bukur. Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei tha se tempulli është “ngjitje hap pas hapi në Praninë e përjetshme. Po ta shihnin veç pak të rinjtë atë, do të ishte shtysa më e fuqishme shpirtërore e jetës së tyre.”

Ndaj kur të shkoni në tempull, kërkojeni Jezu Krishtin dhe atë që po mësoni rreth përgatitjes për të qenë në praninë e Atit Qiellor, dhe do të keni një përvojë të mrekullueshme.

Motra Ueb: A mund t’i përgjigjem pyetjes “Nga ta di se kur jam gati të marr dhurimin?”

S’e di pse kjo pyetje më bëri të mendoj për profetin Abraham. Qe një kohë në jetën e Abrahamit kur ai ndjeu dëshirë të frymëzuar për më shumë dritë dhe dije shpirtërore. Ai donte të kishte një marrëdhënie më të ngushtë me Perëndinë dhe më shumë aftësi për t’i shërbyer. Tek Abraham 1:2, ai thotë: “Dhe, duke mësuar se kishte lumturi dhe paqe e prehje më të madhe për mua, kërkova bekimet e etërve”. Abrahami vetëpërshkruhet si “një ndjekës i drejtësisë, duke dëshiruar të jem dikush që zotëronte dije të madhe dhe të jem ndjekës më i madh i drejtësisë, dhe të zotëroj një dije më të madhe … dhe duke dëshiruar të marr udhëzime dhe të zbatoj urdhërimet e Perëndisë”.

Kështu u ndjeva kur fillova të mendoja për të marrë dhurimin në tempull. Tashmë e jetoja ungjillin plotësisht. Po mësoja shumë nga studimi i shkrimeve të shenjta dhe po shërbeja gëzueshëm në lagjen time. Por ndieja uri të thellë për të mësuar më shumë për Atin Qiellor dhe planin e Tij për mua. Qe më tepër se kureshtje; doja fort të mësoja si të afrohesha më shumë me Perëndinë dhe të bëhesha dishepulle e patundur e Jezu Krishtit. Doja ta lija njëmend Perëndinë të triumfonte në jetën time. Miqtë dhe peshkopi im e kuptuan se isha gati të bëja besëlidhjet e tempullit dhe më ndihmuan të përgatitesha për të marrë dhurimin tim.

Plaku Soares: Shkëlqyeshëm. Faleminderit shumë për komentet e mrekullueshme, Vëllai dhe Motra Ueb. Miqtë e mi të dashur, sikurse na mësoi Presidenti Nelson: “Denjësia vetjake për të hyrë në shtëpinë e Zotit kërkon shumë përgatitje shpirtërore vetjake. … Denjësia vetjake kërkon një kthim të plotë në besim të mendjes dhe të zemrës për të qenë më shumë si Zoti, … për të qenë një shembull më i mirë dhe për të qenë një njeri më i shenjtë.” Si rrjedhim, nëse përqendrohemi te përgatitja për të hyrë në tempull, ne do ta ndryshojmë përvojën tonë në tempull, e cila do të na e shndërrojë jetën tonë jashtë tempullit.

Shënime

  1. Shihni tek Eksodi 29:4–9.

  2. Truman G. Madsen, “House of Glory” (fjalim në një mbrëmje rreth vatrës dhjetëkunjëshe në Universitetin “Brigam Jang”, 5 mars 1972), f. 7.

  3. Rasëll M. Nelson, “Fjala e Mbylljes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2019, f. 121–122.