Dëshmia e Fundit
Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore
E diel, 18 shkurt 2024
Amen. Faleminderit, e dashur. Miqtë e mi të dashur në moshë të re nga e gjithë bota, dua t’ju dëshmoj se paqja në këtë jetë gjendet vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit dhe flijimit të Tij shlyes. Ju dëshmoj se mirëbesimi ynë tek Ai do të na forcojë që të vazhdojmë të ecim përpara në jetë, pavarësisht nga rrethanat që kalojmë. Ju lutem, mbajeni mend gjithnjë se vajtja tek Ai na jep arsye për shpresë të patundur dhe siguron një spirancë të fortë për shpirtrat tanë, duke na dhënë paqe të brendshme afatgjatë dhe një shenjtërore në një botë të potershme e në ndryshim.
Ju dëshmoj se krahët e Tij janë të hapur plotësisht dhe gati të na rrethojnë me dashurinë e Tij, madje dhe veçanërisht, kur ndihemi të humbur, të braktisur ose të vetmuar. Hapësira e shenjtë midis krahëve të Shpëtimtarit është pikërisht sa madhësia dhe forma e zemrave tona të thyera, jetëve të dërrmuara, shpirtrave të plagosur dhe mendjeve të lodhura, e bërë posaçërisht, e përshtatur posaçërisht për secilin prej nesh individualisht. Jezusi e zgjeron gjithnjë mirëseardhjen e Tij për të na rrethuar me përqafimin e Tij të përjetshëm e të dashur. Ju dëshmoj se Ai është gjithmonë afër, duke na pritur me durim, përgjithmonë i gatshëm të ecë me ne, veçanërisht kur jemi të lodhur dhe kërkojmë lehtësim nga barrët tona. Ju ftoj të afroheni me zell pranë Shpëtimtarit tonë, ta gjeni Atë në jetën tuaj dhe ta ndieni fuqinë e dashurisë së Tij për ju. Duke e bërë këtë, do të mund ta mbushni jetën tuaj me dritën e Tij dhe të ecni me Të.
Ju premtoj në emrin e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, se, nëse nuk largoheni nga krahët e Tij të shtrirë e të dashur, shpirti do t’ju mbushet me një plotësi që do të pushtojë hapësirat më të thella të shpirtit tuaj. Ju premtoj se, ndërsa e kërkoni me zell Shpëtimtarin, fuqia e Tij shëruese mund dhe do t’jua mbushë shpirtin me paqen, dritën, mirëkuptimin, kurajën, gëzimin dhe dashurinë e Tij.
Ju shpall solemnisht se Jezu Krishti jeton dhe se dashuria e Tij e përsosur shtrihet tek të gjithë ata që vijnë tek Ai. Kjo është Kisha e Tij e rivendosur në tokë në këtë periudhë të fundit ungjillore në përgatitje për Ardhjen e Tij të Dytë. Shpall edhe se Perëndia jeton dhe na do dhe na dërgoi Birin e Vet që të na ndihmojë të gjejmë shpresë, paqe e gëzim afatgjatë. Ju admiroj. Ne ju respektojmë dhe ju duam të gjithëve. Dhe i them këto gjëra në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit, amen.