2021
Në Zemër të Pashkës: Jezu Krishti i Gjallë
Mars 2021


“Në Zemër të Pashkës: Jezu Krishti i Gjallë”, Për Forcën e Rinisë, mars 2021, f. 2–5.

Në Zemër të Pashkës: Jezu Krishti i Gjallë

Kur kremtojmë Pashkën, ne gëzojmë që Jezu Krishti jeton tani dhe për të gjithë ne.

Jezu Krishti duke hyrë në Jerusalem mbi një gomar

Në këtë periudhë Pashke, ne kremtojmë Jezu Krishtin e gjallë. Me dashuri të përsosur, Shpëtimtari ynë na siguron: “[Mund të] keni paqe në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën” (Gjoni 16:33).

Kur kremtojmë Pashkën, ne gëzohemi që Jezu Krishti jeton – jo vetëm atëherë, por tani; jo vetëm për disa, por për të gjithë. Ai erdhi dhe vjen për të shëruar zemërthyerit, për të çliruar robërit, për t’u kthyer shikimin të verbërve dhe për të çliruar të shtypurit (shih Lluka 4:18). Kështu është secili prej nesh. Premtimet e Tij shëlbuese gjejnë zbatim, pavarësisht nga e kaluara jonë, e tashmja jonë ose nga shqetësimet për të ardhmen tonë.

Hosana dhe Aleluja

Të Dielën e Palmave, Jezusi hyri në Jerusalem hipur mbi një kërriç dhe “një turmë e madhe … mori degë palmash dhe i doli para” (Gjoni 12:12–13; shih edhe Mateu 21:8–9; Marku 11:8–10). Sipas traditës, palmat janë një simbol i shenjtë për të shprehur gëzim në Zotin tonë. Besimtarët e panë këtë si përmbushje të profecisë dhe me dijeni të plotë thirrën: “Hosana në vendet shumë të larta” (Mateu 21:9). Hosana do të thotë “na shpëto [tani]”, (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta “Hosana”).

Një javë pas të Dielës së Palmave është e Diela e Pashkës. Presidenti Rasëll M. Nelson na mëson se Jezu Krishti “erdhi të shlyente një borxh që s’e kishte, për shkak se ne kishim një borxh që nuk mund ta shlyenim”1. Në të vërtetë, nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, të gjithë fëmijët e Perëndisë “mund të shpëtohe[n], me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit” (Nenet e Besimit 1:3). Për Pashkë, ne këndojmë aleluja. Aleluja do të thotë “lavdi thuri Zotit Jehova” (shih Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Hallelujah”).

Ngjarjet e shenjta ndërmjet të Dielës së Palmave dhe të Dielës së Pashkës janë histori me hosana dhe aleluja. Hosana është përgjërimi ynë që Perëndia të na shpëtojë. Aleluja shpreh lavdërimin tonë ndaj Zotit për shpresën e shpëtimit dhe ekzaltimit. Me hosana dhe aleluja ne e pranojmë Jezu Krishtin e gjallë si zemrën e Pashkës.

Jezu Krishti

Rivendosja dhe Ringjallja

Të Dielën e Pashkës, më 3 prill 1836, në ditët e hershme të Rivendosjes, Jezu Krishti i gjallë u shfaq pasi u përkushtua Tempulli i Kirtlandit. Ata që e panë Atë atje, dëshmuan për Të me kontraste plotësuese si zjarri dhe uji: “Sytë e tij ishin si flakë zjarri; dhe flokët e kokës së tij ishin të bardhë si dëborë e pastër; fytyra e tij shkëlqente më shumë se ndriçimi i diellit; dhe zëri i tij ishte si tingulli i rrjedhjes së shumë ujërave, madje zëri i Jehovës”(Doktrina e Besëlidhje 110:3; theksimi i shtuar).

Në atë rast, Shpëtimtari ynë shpalli: “Unë jam i pari dhe i fundit; unë jam ai që jeton, unë jam ai që u vra; unë jam avokati juaj me Atin” (Doktrina e Besëlidhje 110:4). Përsëri, kontraste plotësuese – i pari dhe i fundit, jeton dhe u vra. Ai është Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi (shih Zbulesa 1:8; 3 Nefi 9:18; Doktrina e Besëlidhje 19:1; 38:1; 45:7), autori dhe plotësonjësi i besimit tonë (shih Hebrenjve 12:2; Moroni 6:4).

Pas shfaqjes së Jezu Krishtit, erdhën edhe Moisiu, Eliasi dhe Elija. Me anë të drejtimit hyjnor, këta profetë të mëdhenj të lashtësisë rivendosën çelësat dhe autoritetin e priftërisë. Në këtë mënyrë, “çelësat e kësaj periudhe të kujdestarisë j[anë dhënë]” (Doktrina e Besëlidhje 110:16) brenda Kishës së Tij të rivendosur për t’i bekuar të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Në mënyrë kuptimplote, Libri i Mormonit përshkruan “fuqi[në] dhe ringjallje[n e] Krishtit”(Alma 41:2) – thelbin e Pashkës – në kuadër të dy rivendosjeve.

Së pari, ringjallja përfshin rivendosjen fizike të “formë[s sonë] të përshtatshme dhe të përkryer”; të “çdo gjymtyr[e] dhe nyj[eje]”, “madje asnjë fije floku i kokës nuk do të humbasë” (Alma 40:23). Ky premtim u jep shpresë atyre të cilët kanë humbur gjymtyrë, atyre të cilët e kanë humbur aftësinë për të parë, dëgjuar, ose ecur, apo atyre që konsiderohen si të shkatërruar nga sëmundjet e pamëshirshme, sëmundjet mendore apo aftësi të tjera të pakësuara. Ai na gjen. Ai na shëron plotësisht.

Një premtim i dytë i Pashkës dhe i Shlyerjes së Zotit tonë është se, shpirtërisht, “të gjitha gjërat do të rivendosen në vendin e tyre të përshtatshëm” (Alma 41:4). Kjo rivendosje shpirtërore pasqyron veprat dhe dëshirat tona. Ajo rivendos “atë që është e mirë”, “e drejtë”, “që ka drejtësi” dhe është e “mëshirsh[me]” (Alma 41:13). Nuk është çudi që profeti Alma e përdor fjalën rivendos 22 herë2 teksa na shtyn të “vepro[jmë] me drejtësi, [të] gjyko[jmë] drejt dhe [të] bëj[më] të mira vazhdimisht” (Alma 41:14).

Për shkak se “Perëndia vetë shlyen për mëkatet e botës” (Alma 42:15), Shlyerja e Zotit mund të shërojë plotësisht jo vetëm atë që ishte, por edhe atë që mund të jetë. Për shkak se Ai i njeh dhembjet, hidhërimet, sëmundjet, “tundime[t tona] të çdo lloji” (Alma 7:11), Ai mundet që, me mëshirë, të na ndihmojë sipas dobësive tona (shih Alma 7:12). Për shkak se Perëndia është “i përsosur, i drejtë dhe gjithashtu një Perëndi i mëshirshëm”, plani i mëshirës mund të “plotës[ojë] kërkesat e drejtësisë” (Alma 42:15). Ne pendohemi dhe bëjmë gjithçka mundemi. Ai na rrethon përjetësisht “në krahët e dashurisë së tij” (2 Nefi 1:15).

Këndimi i Këngëve të një Gëzimi të Përhershëm

Bashkë me ju, në këtë periudhë Pashke, unë dëshmoj për Perëndinë, Atin tonë të Amshuar, dhe Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin e gjallë. Njerëz të vdekshëm u kryqëzuan mizorisht dhe më vonë u ringjallën. Por vetëm Jezu Krishti i gjallë në formën e Tij të përsosur, të ringjallur, i mbart ende vurratat e kryqëzimit në duart, këmbët dhe ijën e Tij. Vetëm Ai mund të thotë: “Unë të kam gdhendur në pëllëmbët e duarve të mia” (Isaia 49:16; 1 Nefi 21:16). Vetëm Ai mund të thotë: “Unë jam ai që u ngrit lart. Unë jam Jezusi që u kryqëzua. Unë jam Biri i Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 45:52).

Në këto kohë, ne mund të mësojmë shumë për mirësinë e Perëndisë dhe potencialin tonë hyjnor që dashuria e Perëndisë të rritet brenda nesh ndërsa e kërkojmë Atë dhe i vijmë në ndihmë njëri‑tjetrit. “Dhe do të ndodhë që të drejtët do të mblidhen prej gjithë kombeve dhe do të vijnë në Sion, duke kënduar këngë gëzimi të përhershëm” (Doktrina e Besëlidhje 45:71). Në këtë periudhë me hosana dhe aleluja, këndoni aleluja – sepse Ai do të mbretërojë përherë e përgjithmonë! Me brohori, hosana Perëndisë dhe Qengjit!