2021
Mënyra se Si ta Kemi Gjithmonë Shpirtin
Mars 2021


“Mënyra se Si ta Kemi Gjithmonë Shpirtin”, Për Forcën e Rinisë, mars 2021, f. 26–29.

Eja, Më Ndiq

Përgatitja për ta Pasur Gjithmonë Shpirtin e Tij

Përgatitja për ta marrë sakramentin denjësisht çdo javë mund të na ndihmojë që ta kemi gjithmonë Shpirtin me ne.

të rinj duke shpërndarë dhe duke marrë sakramentin

Kur isha 12 vjeç, shkova me familjen time për të vizituar vendndodhjet historike të Kishës në rrethinat në veri të Nju-Jorkut, në SHBA. Te Korija e Shenjtë, më kujtohet që përsiata rreth Vegimit të Parë dhe vegimeve të tjera të mahnitshme që pa Jozefi, dhe mendova: “Ah! Sikur të kisha një takim mahnitës shpirtëror me qenie qiellore siç pati Jozefi, jeta ime do të ishte në rregull.”

Që prej asaj kohe kam mësuar se në vend të një takimi madhor shpirtëror që ndodh vetëm një herë në jetën time, unë kam nevojë shpesh për përvoja të vogla, që të më mbajnë të fortë në dëshminë time dhe të sigurt përgjatë shtegut të kthimit për në shtëpi. Ati Qiellor e dinte se ne do të kishim nevojë për udhërrëfim të rregullt në jetën tonë dhe Ai përgatiti udhën që ne ta marrim atë.

Për të gjithë njerëzit që kanë mjaftueshëm besim te Biri i Tij për t’u penduar e për t’u pagëzuar, Ai jep dhuratën e Frymës së Shenjtë. Nëpërmjet ordinancës së përjavshme të sakramentit, Ai na siguron mundësinë që ta “ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]” nëse e kujtojmë Shpëtimtarin dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij (Doktrina e Besëlidhje 20:77). Kjo bën të mundur që ne të marrim udhërrëfimin e përditshëm nga Shpirti në jetën tonë, teksa e përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për të marrë vendime që do të na ndihmojnë përgjatë shtegut për t’u kthyer tek Ati Qiellor.

Sakramenti dhe Shpirti

sakramenti

Ati Qiellor e dinte se do të kishim nevojë për të drejtë përdorimi të vazhdueshme ndaj udhërrëfimit të Shpirtit të Tij, jo thjesht përvoja madhore që ndodhin vetëm një herë. Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Ai rivendosi ordinancën e pagëzimit me anë të zhytjes, e cila na ndihmon të bëhemi të pastër. Më pas ne jemi të përgatitur që ta marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë me anë të konfirmimit, duke na dhënë mundësinë për udhërrëfim të përditshëm me anë të Shpirtit.

Ati Qiellor e dinte se të bërit i/e pastër një herë nuk do të mjaftonte dhe se ne do të na nevojitej ta kujtonim Shpëtimtarin dhe të bëheshim të pastër herë pas here me qëllim që ta mbanim gjithmonë Shpirtin me ne. Ai e rivendosi ordinancën e sakramentit për atë qëllim. Nëse përgatitemi me kujdes për sakramentin dhe e marrim rregullisht atë, neve na premtohet se do “të mund të ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]” (Doktrina e Besëlidhje 20:77; theksimi i shtuar).

Sidoqoftë, thjesht vajtja në Kishë dhe ngrënia e bukës e pirja e ujit, nuk do të na lejojnë të kemi të drejtë përdorimi ndaj premtimit të Zotit. Përgatitja jonë e qëllimshme për ordinancën na mundëson që ta marrim fuqinë e Shpëtimtarit në jetën tonë.

Atletët nuk bëhen të zotë thjesht duke veshur një uniformë apo duke ecur nëpër terrene apo fusha sportive. Ata duhet ta stërvitin trupin e tyre, të mësojnë teknika dhe të ushtrohen me qëllim që të bëhen ekspertë në sportin e tyre. Në mënyrë të ngjashme, ne duhet të mësojmë se si të përgatitemi për ta marrë sakramentin me nderim e denjësi, që të mund të marrim fuqinë që Ai mund të na japë.

Një mënyrë për ta përgatitur zemrën dhe shpirtin tuaj për ta marrë sakramentin, është që të bëni një intervistë të vogël me veten tuaj çdo javë. Mua më pëlqen të përdor vargun te Doktrina e Besëlidhje 20:37 për ta intervistuar veten. Ky varg përmban kërkesat për pagëzimin, të cilat Perëndia ia zbuloi Profetit Jozef Smith. Ai përmban kualifikime që duhet t’i plotësojnë të gjithë ata që duan të pagëzohen. Kam zbuluar se ai [varg] më ndihmon të përgatitem për t’i marrë premtimet përtëritëse, të cilat janë në dispozicion nëpërmjet sakramentit.

e re duke përsiatur

Fotografia nga Getty Images

Duke e përdorur atë shkrim të shenjtë si udhërrëfyesin tim, këtu janë disa nga pyetjet që i bëj vetes për të parë a jam i përgatitur për ta marrë sakramentin.

A e kam përulur veten para Perëndisë?

Kërkesa e parë e renditur te Doktrina e Besëlidhje 20:37 është ta përulësh veten para Perëndisë. Ne e bëjmë këtë duke e pranuar dhe duke qenë të gatshëm ta ndjekim vullnetin e Tij ashtu siç është shkruar te shkrimet e shenjta, siç është dhënë mësim nga shërbëtorët e Tij, ose siç na vjen me anë të nxitjeve.

E pyes veten nëse po i kundërvihem Perëndisë për ndonjë gjë në jetën time pikërisht tani. A po i bëj qëndresë udhëzimit të Tij? A jam i vëmendshëm ndaj mësimeve të shërbëtorëve të Tij? Nëse nuk jam, bëj plane që të përmirësohem dhe zotohem që të veproj më mirë teksa përgatitem për të marrë sakramentin. Perëndia është i gjithëdijshëm – kur e kuptoj se Ai mund ta shohë pamjen e plotë të jetës sime, është më e lehtë ta përul veten time para Tij dhe të mirëbesoj se Ai do të më udhërrëfejë drejt asaj që është më e mira.

A kam unë një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar?

Pasja e një zemre të thyer dhe një shpirti të penduar është e lidhur me përulësinë. Do të thotë të jesh i gatshëm t’i nënshtrohesh vullnetit të Perëndisë. Të jesh i përulur nënkupton që të themi se na vjen keq dhe të falim edhe kur është e vështirë apo edhe kur mund të mendojmë se të tjerët e kishin gabim. A mund të thoni: “Zemra ime është në rregull me gjithsecilin”? A keni lënduar ndokënd përreth jush, apo a keni ndjenja jo të mira për dikë? A keni nevojë të kërkoni falje?

Kur unë kam një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, unë jam i gatshëm të bëj një përpjekje për t’i ndrequr gjërat me Perëndinë dhe njerëzit rrotull meje. Përpiqem të çlirohem nga mendimet dhe ndjenjat negative kundrejt të tjerëve. Shpirti nuk banon me ne kur kemi ndjenja grindjeje, kështu që çlirimi prej tyre është një hap i rëndësishëm në përgatitjen e vetes sonë për të marrë premtimin e sakramentit.

A kam dëshirë të bëhem sërish i pastër dhe a mund të dëshmoj se jam penduar për të gjitha mëkatet e mia?

Një kërkesë tjetër te Doktrina e Besëlidhje 20:37 është që të “pend[ohemi] me të vërtetë për [të] gjith[a] mëkatet [tona]”. Kur u pagëzuam, ne u pastruam nga mëkatet tona. Ne bëmë një premtim që të përpiqemi t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë dhe të pendohemi kur bëjmë gabime.

E pyes veten: “A po e marr sakramentin thjesht ngaqë mendoj se duhet apo dua me të vërtetë që të bëhem sërish i pastër?” E hedh vështrimin pas te mëkatet dhe gabimet e mia të asaj jave dhe e pyes veten nëse dua me të vërtetë të ndryshoj e të çlirohem prej tyre. Kur keni dëshirën për t’u bërë të pastër, do të shihni, me anë të Shpirtit, gjërat që keni nevojë të përmirësoni, dhe Ai do të vazhdojë t’ju nxitë për t’u penduar e për të bërë zgjedhje më të mira.

Rrëfimi te Zoti (dhe te njerëz të tjerë që mund t’i kemi lënduar apo i kemi fyer, nëse është nevoja) është pjesë e përgatitjes sonë.

Pyeteni veten tuaj: “A ka diçka që kam nevojë ta ndryshoj, të cilën s’e kam ndryshuar ende? A ka diçka për të cilën kam ende nevojë të pendohem?” Zgjidhja e problemeve nëpërmjet pendimit të sinqertë mund të na kualifikojë që ta marrim denjësisht sakramentin.

A jam i gatshëm ta marr mbi vete emrin e Jezu Krishtit?

Çdo besëlidhje që bëjmë, nënkupton një zotim për ta marrë më plotësisht emrin e Krishtit mbi vete. Kur pagëzohemi, ne tregojmë gatishmërinë tonë për ta marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Tij. Kur bëjmë besëlidhje të tjera në tempull ose i pranojmë thirrjet, ne i marrim edhe më tepër mbi vete kauzën e Krishtit dhe mësimet e Tij. Të tregojmë gatishmërinë tonë për ta marrë mbi vete emrin e Tij, si pjesë të sakramentit çdo javë, do të thotë të rizotohemi për të gjitha besëlidhjet dhe zotimet që i kemi bërë më parë me Të.

Gjatë vlerësimit të përgatitjes sime për ta marrë sakramentin, unë i bëj vetes pyetje të tilla si: “A jam duke bërë më të mirën që mundem për të qenë një shembull i Krishtit dhe i mësimeve të Tij? A po i mbaj të gjitha premtimet që i kam bërë, të cilat lidhen me besëlidhjet e mia? A jam aq i zotuar sot ndaj Krishtit dhe besëlidhjeve të mia me Të, sa isha në ditën kur i bëra ato fillimisht?”

A e kam vendosmërinë për t’i shërbyer Atij deri në fund?

Ne i premtuam Zotit, kur bëmë besëlidhjet tona të pagëzimit, se do të përpiqeshim fort për t’i zbatuar urdhërimet e Tij. Dy urdhërimet më të mëdha janë ta duam Zotin dhe ta duam të afërmin tonë (shih Mateu 22:36–40). Ne e tregojmë dashurinë tonë si për Perëndinë edhe për bashkëqeniet tona duke u shërbyer atyre.

E pyes veten: “A gjej kohë për të shërbyer? A ngurroj që të shërbej ose a jam i lumtur që të shërbej?” “A po përpiqem që ta lartësoj thirrjen time?” Shërbimi ndaj të tjerëve është një mënyrë e mrekullueshme për t’u përgatitur që ta marrim sakramentin. Në fakt, është më shpesh në shërbimin ndaj të tjerëve që kemi nevojë për udhërrëfimin e Shpirtit.

Mirëbesoni te Premtimet e Zotit

Teksa përgatitemi qëllimisht çdo javë për ta marrë denjësisht sakramentin, ne do të kualifikohemi që ta kemi gjithmonë Shpirtin për të ndikuar dhe për të na udhërrëfyer në jetën tonë. Ky është një premtim nga Zoti.