2021
Si një Dritare për Shpirtin Tuaj
Mars 2021


“Si një Dritare për Shpirtin Tuaj”, Për Forcën e Rinisë, mars 2021, f. 6–8.

Si një Dritare për Shpirtin Tuaj

Kur kënduan me korin e tyre të lagjes së Kishës në një festival ndërfetar, këta adoleshentë mësuan shumë rreth mënyrës se si muzika mund t’i bëjë të gjithë besimtarët bashkë.

tre të rinj e të reja

Megan C., Ithën M. dhe Romi C. kanë diçka të përbashkët: Atyre u pëlqen shumë muzika nderuese. Atyre u pëlqen shumë mënyra se si ajo i lartëson dhe i frymëzon ata, mënyra se si i bën të ndihen. U pëlqen shumë edhe të shohin se si muzika i lartëson e i frymëzon të tjerët.

Megani 18 vjeçe, Ithëni 19 vjeç dhe Romi 17 vjeçe, kanë edhe diçka tjetër të përbashkët: Ata këndojnë të gjithë në korin e lagjes së tyre të Kishës në Florida, SHBA. Dhe kohët e fundit, kori u dha atyre një mundësi edhe më të madhe për ta treguar dashurinë e tyre për muzikën, duke marrë pjesë në një Festival Muzikor Ndërfetar.

“Komuniteti ynë ka një koalicion ndërfetar që bën shumë për t’i sjellë bashkë njerëzit e besimeve të ndryshme”, shpjegon Ithëni. Për shembull, grupi mundësoi një diskutim gjatë një darke iftari (vakti i mbrëmjes kur myslimanët e mbyllin ditën e tyre të agjërimit gjatë muajit të tyre të shenjtë të Ramazanit), organizoi një numër projektesh shërbimi, të tillë si përgatitja e çantave të shpinës për shkollë për fëmijët në nevojë dhe shtroi darkë me ushqime të sjella vetë, ku njerëzit që nuk e njihnin njëri-tjetrin, uleshin krah për krah në të njëjtën tryezë dhe flisnin rreth ushqimeve, zakoneve dhe bindjeve fetare që u pëlqenin në kulturën e tyre.

të rinj e të reja duke ngrënë, duke kënduar dhe duke shërbyer

Anëtarëve të korit u pëlqen të hanë darkë dhe të shërbejnë bashkë me njerëz të besimeve të tjera.

Le të Jemi Miq

Synimi i koalicionit, sigurisht, është që t’i ndihmojë njerëzit nga rrethana të ndryshme shoqërore për t’u bërë miq.

“Është një familje turke që e shoh gjithnjë nëpër darka ndërfetare, dhe pjesëtarët e saj rendin drejt meje dhe më thonë: ‘Jemi shumë të lumtur që të shohim sërish!’”, thotë Romi. “Në një botë ku ka kaq shumë përndjekje fetare dhe besimi, është gjë e mirë që të mblidhemi të gjithë së bashku dhe thjesht të bisedojmë me njëri-tjetrin.” Gjatë një projekti shërbimi, “zonjat në një kishë tjetër ishin shumë të dashura”, thotë ajo. “Nuk e kishin problem fenë e askujt. Ato ndodheshin atje vetëm për të ofruar ndihmën e tyre. Ishte situatë përtëritëse.”

“Ne mund të besojmë gjëra të ndryshme”, thotë Megani, “por i kam respektuar gjithnjë bindjet fetare të njerëzve të tjerë dhe ka qenë gjë e bukur që jam lidhur me ta në këtë rrethanë, ku të gjithë ne duam të mësojmë rreth njëri-tjetrit.”

“Kisha jonë është një nga anëtaret e reja të koalicionit”, thotë Ithëni. “Kështu që e vlerësova shumë faktin se sa mirë u sollën ata me ne dhe se sa pranues ishin. Unë e di se në disa vende, njerëzit e keqkuptojnë Kishën. Kështu që e vlerësoj gjithnjë kur njerëzit janë të aftë t’i pranojnë ndryshimet ndërmjet njëri-tjetrit dhe të kërkojnë atë gjë që e kemi të përbashkët.”

Me një Akord

Një nga gjërat që të gjitha grupet e besimeve kanë të përbashkët, është muzika. Festivali Muzikor Ndërfetar do të ishte një mundësi e shkëlqyer për besimtarët që të bashkoheshin për ta lavdëruar Perëndinë. Kori i lagjes së Kishës do të ishte një nga rreth gjashtë grupet që do të përfaqësonin bashkësitë në mbarë qytetin.

“Kishte një kor me zilka, një duet vokal, një kor të madh, një kor të vogël, një duet në flaut dhe piano e kështu me radhë”, shpjegon Megani. “Secilit grup iu kërkua të interpretonte dy numra muzikorë.”

Megani vazhdon: “Ne donim të siguroheshim se ajo që kënduam, do t’ua bënte të ditur njerëzve se ne besojmë te Jezu Krishti dhe se ne gjithashtu besojmë tek Ati Qiellor. Ne donim të krijonim një ndjenjë adhurimi.”

Kori vendosi për dy numra muzikorë që i kishte interpretuar më parë: “Great Things and Small Things” [“Gjëra të Mëdha e Gjëra të Vogla”], nga Steven Kapp Perry, dhe “Sacraments and Symbols” [“Sakramentet dhe Simbolet”], nga Janice Kapp Perry, Steven Kapp Perry dhe Lynne Perry Christofferson.

“Kënga e parë është e gëzueshme. Ajo përcjell sigurinë se nëpërmjet Perëndisë mund të bësh çdo gjë, qoftë ajo relativisht e vogël apo tepër domethënëse”, thotë Ithëni. “Kënga e dytë ka një nderim të thellë. Është thuajse si një psalm dhe ajo krijon një ndjenjë të vërtetë adhurimi.”

Ushtrohuni, Ushtrohuni, Ushtrohuni

Teksa përgatiteshin të këndonin, Ithëni përdori një metodë që e kishte përdorur më parë. “Unë përpiqem t’i jap përparësi zhytjes në këngë”, thotë ai. “Kam zbuluar se kur jam në gjendje t’i kushtoj vëmendje kuptimit të këngës, mund ta shijoj atë më mirë. Natyrisht, sigurohem që ta këndoj atë siç duhet, por kam zbuluar se e kam më të lehtë ta këndoj kur jam në harmoni me mesazhin që ajo përpiqet të përçojë. Më pëlqen ta vë theksin te përgatitja shpirtërore.”

“Ne prapë duhej të këndonim në mbledhjen e sakramentit dhe të ushtroheshim për gjëra të tjera gjithashtu”, thotë Megani. “Por e dinim rëndësinë e ngjarjes ndërfetare, prandaj u siguruam që pjesët muzikore të ishin gati. U ushtruam fort për to.”

Për numrin e dytë muzikor, kori me 14 anëtarë u zvogëlua në dy kuartete. “Bënim prova të martave, përpara aktiviteteve me Të Rinjtë e Të Rejat”, thotë Megani. “Më bëri të mendoja rreth këngës për një javë rresht, faktikisht, një muaj rresht. Zakonisht unë nuk e bëj këtë, por e gjeta këngën në YouTube dhe vazhdova ta dëgjoja atë pa pushim. Doja të përmirësohesha. Doja që të këndonim aq mirë saqë t’i preknim njerëzit e tjerë.”

Ithëni, Megani dhe Romi e pranojnë se të gjitha provat sollën më shumë dobi. “Kur i përsërit këngët pa pushim”, thotë Romi, “mesazhet e këngës të mbeten në mendje dhe në zemër.”

kori me të rinj e të reja

Kori interpreton në Festivalin Muzikor Ndërfetar.

Në Mendje, në Zemër

Ajo prani në mendjen dhe në zemrën e tyre u duk qartë kur anëtarët e korit kënduan. “Të dyja këngët ishin thjesht të bukura”, thotë Romi. “Publiku ra në heshtje të plotë dhe gjithsecili e ndjeu Shpirtin ndërkohë që u kënduan ato këngë. Të gjithë u ndiem të bashkuar.”

“Kënga e parë ka qenë gjithmonë një këngë gazmore për mua”, thotë Megani. “Mendoj se pati atë ndikim te njerëzit në festival. U kënaqa shumë kur e këndova dhe shpresoj që edhe ata ta kenë shijuar. Në këngën e dytë, zërat u gërshetuan shumë mirë. Mendoj se çdokush që e dëgjoi atë, ndjeu një shpirt respekti dhe nderimi për Perëndinë.”

Nga fundi i mbrëmjes, vazhdon Megani, “ne mundëm të bisedonim me pjesëmarrës dhe njerëz nga publiku. E di se njerëzit po e pyetnin drejtuesin tonë të korit rreth këngëve që kënduam – ‘Ç’lloj muzike ishte ajo?’ ose ‘Ku e gjetët atë përshtatje?’ Patëm mundësinë të ndërvepronim me njëri-tjetrin dhe të bisedonim rreth muzikës që dëgjuam bashkërisht. Pata ndjesinë sikur isha në gjendje t’i kuptoja ata më shumë nëpërmjet këngëve të tyre dhe se ata na kuptuan më mirë për shkak të këngëve tona. Muzika është si një dritare për shpirtin tuaj.”