2021
Plani Hyjnor që të Bëhemi më Shumë
Korrik 2021


“Plani Hyjnor që të Bëhemi më Shumë”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2021, f. 2–5.

Plani Hyjnor që të Bëhemi më Shumë

Kur e shohim jetën në vdekshmëri në kontekst, ne shohim se nuk është një çështje që “të jesh apo të mos jesh”, por përkundrazi që “të bëhesh më shumë apo të mos bëhesh më shumë”.

i ri

Unë kam qenë i bekuar që isha me bashkëshorten time në lindjen e secilit prej fëmijëve tanë dhe që isha i pranishëm edhe në vdekjen e secilit prej prindërve të mi. U befasova kur ndjeva atë që ndjeva në çastin e lindjes dhe në çastin e vdekjes. Ndjeva se diçka e shenjtë po ndodhte. Koha jonë në tokë është një pjesë përjetësisht e rëndësishme e ekzistencës sonë. Qielli shenjon fillimin dhe fundin e çdo jete të vdekshme.

Ajo që na nevojitet të bëjmë ndërkohë që jemi këtu në tokë, mund të kuptohet vetëm duke ditur se çfarë ndodhi para lindjes dhe çfarë do të ndodhë pas vdekjes. Nëse jeta jonë në tokë përfshin gjithë ekzistencën, ne të gjithë mund të “ha[më], pi[më] dhe dëfreh[emi]” (2 Nefi 28:7) pa u shqetësuar shumë për të tjerët. Por kur e shohim jetën në vdekshmëri në kontekst, ne shohim se nuk është një çështje që “të jesh apo të mos jesh”, por përkundrazi që “të bëhesh më shumë apo të mos bëhesh më shumë”.1

e re

Të kuptuarit e planit të shpëtimit – jeta jonë para lindjes, qëllimi i jetës sonë në tokë, jeta jonë pas vdekjes – dhe roli kyç që luan Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, në atë plan, na tregon se Ai do të na ndihmojë gjatë kësaj jete. Kur bëjmë besëlidhje me Të, ne e vendosim veten në shtegun e besëlidhjeve – dhe bëhemi më shumë si Ai dhe Ati ynë Qiellor, hap pas hapi.

Jeta Jonë Përpara Tokës

Zbulesa na mëson se ne jemi fëmijë shpirtërorë të Perëndisë dhe se jetuam me Të për një kohë të gjatë përpara se të vinim në tokë. Ati Ynë Qiellor përgatiti një udhë që ne të bëhemi si Ai. Ata që zgjodhën planin e Atit tonë për shpëtimin ose planin e lumturisë në jetën paratokësore – që nënkupton të gjithë ne – zgjodhën të “bëhen më shumë”.

Plaku Kristoferson me familjen e tij

Plaku Kristoferson me bashkëshorten e tij dhe fëmijët.

Koha Jonë në Tokë

Ne erdhëm në një tokë të krijuar nga Perëndia dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. Ne morëm një trup fizik. Të pasurit e një trupi është thelbësor për të marrë lavdinë që gëzon Perëndia. Nëse tregojmë se do t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë, ne do të “ke[mi] lavdi të shtuar mbi kokat [tona] përherë e përgjithmonë” (Abraham 3:26). Kjo do të thotë që ne do të bëhemi si prindërit tanë qiellorë dhe do të jetojmë me ta përgjithmonë. Ne lëshuam britma gëzimi për këto mundësi të lavdishme.

Unë dhe ju pritëm për një kohë të gjatë, por tani jemi këtu në tokë. Ne e presim me padurim kohën kur do të ringjallemi me një trup të përsosur, të pavdekshëm dhe të hyjmë në mbretërinë çelestiale për të gëzuar jetë të përjetshme – diçka kaq e mrekullueshme aq sa nuk mund ta përfytyrojmë dot. Ndërkohë, ne po mësojmë dhe po përpiqemi fort që t’i “bëj[m]ë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia [ynë], do t[ë na] urdhërojë” (Abraham 3:25). Për shkak se e dimë planin e Perëndisë, ne e dimë që këto urdhërime nuk janë dhënë për ta kufizuar lirinë ose lumturinë tonë – thjesht e kundërta. Urdhërimet janë udhërrëfyesi ynë drejt lirisë dhe gëzimit përfundimtar.

Ai Siguroi një Shpëtimtar

Prapë, jeta është e vështirë. Ne të gjithë pengohemi teksa mësojmë të jetojmë me anë të besimit. Por përpara krijimit të tokës, Perëndia na premtoi se Ai do të siguronte një Shpëtimtar që të na shpëtonte nga mëkati dhe vdekja. Nëpërmjet vetë vuajtjes dhe vdekjes së Tij – Shlyerjes së Tij – Jezu Krishti pagoi për mëkatet tona dhe na ofron dhuratën e pendimit. Pra, kur pendohemi, Ai na i fal mëkatet dhe na pastron nga efektet e tyre. Dhe nëpërmjet Ringjalljes së Tij, Shpëtimtari na jep dhuratën e vetë ringjalljes dhe pavdekësisë sonë.

njerëz duke u përkulur përpara Krishtit

Çdo Gju do të Përkulet, nga J. Kirk Richards

Ecja në Shtegun e Besëlidhjeve

Ashtu siç lindim fizikisht në këtë botë të vdekshme, ne duhet të rilindim shpirtërisht sërish në mbretërinë e qiellit. Ne e bëjmë këtë duke ushtruar besim te Krishti, duke u penduar, duke u pagëzuar dhe duke marrë Frymën e Shenjtë. Ky është fillimi i një shndërrimi shpirtëror që zgjat gjatë gjithë jetës sonë në tokë. Ndonjëherë ne e quajmë atë “durimi deri në fund”, që do të thotë se ne përpiqemi fort për ta mbajtur besëlidhjen tonë të pagëzimit për bindjen gjithë jetën tonë, duke u penduar sipas nevojës dhe duke shkuar përsëri përpara. “Po, dhe kurdo që njerëzit e mi pendohen”, thotë Jezusi, “unë do t’ua fal shkeljet që kanë bërë kundër meje” (Mosia 26:30).

pagëzimi

Ju Mund të Mbështeteni te Ndihma e Perëndisë

Në jetën tuaj para lindjes, ju zgjodhët Perëndinë, ju zgjodhët Krishtin, ju zgjodhët të “bëheni më shumë” me ndihmën e Tyre. Dhe ju mund të mbështeteni te ndihma e Tyre. Anëtarët e Kreut‑Perëndi nuk janë vëzhgues të painteres në jetën tonë. Ata na duan pafundësisht dhe i përdorin fuqitë e Tyre për të na ndihmuar, për aq sa ne do t’i lejojmë. Ata gjithmonë e respektojnë lirinë tonë të zgjedhjes, por Ata janë të etur të na bekojnë. Jezusi na siguron: “Unë nuk do të të harroj, O shtëpi e Izraelit. Vër re, unë të kam gdhendur në pëllëmbët e duarve të mia” (1 Nefi 21:15–16).

Të Bëhemi më të Mirë Hap pas Hapi

Disa mendojnë se mbretëria çelestiale është një shpresë realiste për të tjerët, por në njëfarë mënyre jo për ta. E vërteta është se askush nuk kualifikohet pa hirin e Jezu Krishtit. Fatmirësisht, ju mund ta përdorni hirin e Tij. Jezusi na tha se Ai e ka mposhtur botën. Me pagëzimin tuaj dhe besëlidhje të tjera, ju e lidhni veten me Të në mënyrë që me Të, edhe ju ta mposhtni botën.

Juve nuk ju duhet të arrini përsosurinë këtu në tokë. Profeti Jozef Smith e krahasoi atë me ngjitjen e një shkalle: ju filloni në fund dhe ngjiteni hap pas hapi në të mësuarit dhe të jetuarit e parimeve të ungjillit. Dhe ai të mësuar, dha mësim ai, vazhdon përtej kësaj jete – “Jo çdo gjë kuptohet në këtë botë”2.

i ri në tempull

Pavarësisht nga dobësitë, vështirësitë ose vuajtjet që hasim në tokë, Perëndia u premton fëmijëve të Tij besnikë se asnjë bekim nuk do të na mohohet nëse qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve (ose kthehemi shpejt tek ai). Atëherë gjithçka merr zgjidhje. Ky është plani hyjnor që të bëhemi më shumë!

Shënime

  1. Truman G. Madsen Eternal Man (1966), f. 31–32.

  2. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 284.