2021
Shkruani Gjënë e Duhur
Korrik 2021


“Shkruani Gjënë e Duhur”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2021, f. 18–19.

Shkruani Gjënë e Duhur

Shkrimi i mendimeve tuaja ndërsa i studioni shkrimet e shenjta, mund t’ju ndihmojë vërtet që të mësoni.

“Sa herë që filloj t’i lexoj shkrimet e shenjta, më zë gjumi!” i tha një misionar presidentit të tij të misionit. “Duket sikur shkrimet e shenjta janë një pilulë gjumi!”

Presidenti i tij iu përgjigj: “A mban ndonjëherë shënime kur lexon?”

“Jo”, tha misionari.

“Është e lehtë të biesh në gjumë ose ta lësh mendjen të endet kur thjesht lexon”, tha presidenti, “por është e pamundur kur i shton të shkruarit!”

Këshilla që ky president misioni i dha misionarit të tij që po haste vështirësi, solli një ndryshim të madh. Pra, nëse po kërkoni një mënyrë të re për ta forcuar studimin tuaj të shkrimit të shenjtë, provojeni këtë. Kur shkruani për ato që po lexoni, ka të ngjarë që ta gjeni veten tuaj më të angazhuar dhe gjithashtu duke mësuar më mirë.

Këtu janë disa qasje që ne i kemi gjetur me të vërtetë të dobishme.

Vëllai Stiven Land:

Stiven Land

Mbaj letër gati kur lexoj. Kur Shpirti më nxit gjatë studimit tim, unë i shkruaj ato nxitje.

E mora idenë nga Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i cili tha: “Shkruajini në një vend të sigurt gjërat e rëndësishme që mësoni nga Shpirti. Ju do të zbuloni se, ndërsa shkruani përshtypje të çmueshme, shpesh do të vijnë më shumë të tilla. Gjithashtu, njohuria që fitoni do të jetë në dispozicion gjatë gjithë jetës suaj” (“To Acquire Knowledge and the Strength to Use It Wisely”, Ensign, qershor 2002, f. 32).

E di që ato fjalë janë të vërteta. Ndërsa përgatit biseda dhe mësime, shkoj jo vetëm te shkrimet e shenjta, por edhe tek ajo që shkrova gjatë kohës që po i lexoja ato.

Vëllai Ahmad Korbit:

Ahmad Korbit

Më pëlqen shumë të studioj me tema. Unë i lexoj shkrimet e shenjta nga fillimi deri në fund, por gjithashtu më pëlqen të kaloj nga një shkrim tek tjetri dhe të studioj tema. Për shembull, unë përdor Udhëzuesin Tematik për të gjetur shkrime të shenjta mbi besimin ose mbledhjen e Izraelit. Më pas, jo thjesht mbaj shënime, por shkruaj atë që po mësoj për t’u siguruar që me të vërtetë e kuptoj atë. Jam gjithmonë i mahnitur se sa më mirë i kuptoj gjërat kur e bëj këtë. Unë gjithashtu zgjedh disa shkrime të shenjta për t’i mësuar përmendsh.

Vëllai Bredli R. Uilkoks:

Bredli Uilkoks

Mbaj një ditar studimi ku i shkruaj shkrimet e shenjta me fjalët e mia. Për shembull: “Pasi njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë” (Mosia 3:19) bëhet “Pasi njeriu krenar dhe i papenduar zgjedh të jetë një armik me Perëndinë, por Perëndia nuk është armiku i tij. Perëndia është miku i tij më i mirë.”

Unë shkruaj edhe pyetje. Ato mund të jenë pyetje të cilat i mendoj para se të lexoj, ose ato mund të jenë pyetje që ndizen nga ajo që lexoj. Sido që të jetë, kjo më mban të përqendruar.

Fuqia e Shkrimit të Mendimeve Tuaja

Secili prej nesh në presidencën tonë i studion shkrimet e shenjta ndryshe, por të gjithë shkruajmë teksa e bëjmë këtë!

Leximi na ndihmon t’i përvetësojmë mendimet dhe ndjenjat. Kjo është e rëndësishme. Dhe kur flasim ose shkruajmë, ne i zbulojmë dhe i shprehim mendimet e ndjenjat nga brenda jashtë. Ne mendojmë se kjo na ndihmon t’i individualizojmë më mirë të vërtetat e ungjillit.

Një i ri e zbuloi vetë këtë të vërtetë kur iu kërkua të jepte një bisedë në mbledhjen e sakramentit. Ai kishte dëgjuar shumë njerëz të tjerë të jepnin biseda, por nuk mund t’i mbante mend hollësitë. Këtë herë ishte ndryshe. Kur ai shkroi një përvijim për bisedën e tij, kjo jo vetëm e ndihmoi atë që të jepte një bisedë të organizuar, por ai e mbajti mend atë për një kohë të gjatë.

E njëjta gjë mund të ndodhë në studimin tuaj të shkrimeve të shenjta. Nëse po bini në gjumë kur i hapni shkrimet tuaja të shenjta, është koha të zgjoheni. Provoni të nxirrni një laps, stilolaps, telefon ose kompjuter dhe të shkruani. Do të mahniteni nga ndryshimi që mund të sjellë!