2021
A Isha e Denjë?
Korrik 2021


“A Isha e Denjë?” Për Forcën e Rinisë, korrik 2021, f. 22–23.

A Isha e Denjë?

Kisha qenë viktimë e keqtrajtimit për aq kohë sa mund ta kujtoj. A ndikoi kjo te mënyra se si më pa Zoti?

e re me pamje të trishtuar

Ilustrimi nga Trent Gudmundsen

Në sipërfaqe, fëmijëria ime ishte shumë normale.

Shkonim në Kishë dhe merrnim pjesë në të gjitha mbledhjet dhe aktivitetet tona në Kishë. Shkoja në shkollë dhe luaja më shokët e shoqet e mia. Si adoleshente, bëja të gjitha gjërat që bënin adoleshentët normalë. Kaloja kohë me shoqet e mia dhe isha në kor dhe në klubin e teatrit. Shkova në mbrëmjen e maturës. Por kishte një sekret shumë të errët nën atë pamje të jashtme të lumtur e normale.

Që nga koha kur isha rreth dy vjeç, kisha qenë viktimë e keqtrajtimit seksual nga dy vëllezërit e mi më të mëdhenj. Ata i keqtrajtuan edhe motrat e mia. Ne ishim shumë të vogla për të kuptuar se çfarë po ndodhte, por teksa rritesha, fillova të kuptoj pak. Ndihesha si në terr dhe e ndyrë sa herë që isha në praninë e vëllezërve të mi.

Pështjellimi Im u Rrit

Pasi mora pjesë në një orë mësimore të Të Rejave, ku ato jepnin mësime rreth moralshmërisë, unë kuptova domethënien e virtytit dhe të dëlirësisë. I dëgjova udhëheqëset e mia që më luteshin mua dhe të tjerave në klasën time për të qëndruar të pastra moralisht.

Pyesja veten: “Si mund të isha e pastër moralisht?” Aq sa mund të kujtoja, unë kisha qenë viktimë e keqtrajtimit seksual. Nuk mund të bëja gjë tjetër veç të pyesja veten se çfarë mendonte Zoti për mua. A isha unë një e re e virtytshme? A isha unë e denjë të dilja në takime me të rinjtë e drejtë në lagjen e Kishës dhe shkollën time? Keqtrajtimi që kisha pësuar, a më kishte bërë të padenjë për një martesë në tempull?

Mendova shumë për këtë. Për mua nuk kishte kuptim që do të konsiderohesha si jo e virtytshme kur ajo që më ndodhi, nuk ishte zgjedhja ime. Pse nuk duhet të jem në gjendje të ndihem e virtytshme? A isha e padenjë për dashurinë e Zotit? A më duhej pendim?

Thjesht u Përpoqa ta Harroja

Sinqerisht nuk e dija. Ndjeva se nuk e kisha unë fajin, por në të njëjtën kohë, u ndjeva e ndyrë dhe e degraduar, dhe plotësisht e poshtëruar. Nuk mund ta gjeja guximin t’u tregoja prindërve të mi apo dikujt tjetër. Unë u përpoqa disa herë, por u ndjeva shumë në siklet dhe nuk dija si t’i thoja fjalët. Thjesht u përpoqa të harroja se po ndodhte.

Kur isha 15 vjeçe, motrat e mia të vogla gjetën guximin që më mungonte. Ato folën me një këshilltare në shkollë. Pak kohë më vonë, një nga vëllezërit e mi e arrestuan dhe e dënuan me tre vjet burg. Por përsëri, vite më pas, unë vuajta me të njëjtën frikë se nuk isha e virtytshme ose e denjë.

Gjeta Guximin për të Marrë Ndihmë

Përfundimisht, një ditë mora guximin të shkoja të takoja peshkopin tim. Ai më shpjegoi se Zoti nuk më mban aspak përgjegjëse për veprimet seksuale që m’u imponuan kur isha fëmijë dhe e re. Ai më siguroi se nuk ishte aspak faji im. Qëndroja e pafaj përpara Zotit. Isha ende e virtytshme.

Me disa këshilla nga profesionistë dhe ndihmë nga peshkopi im, unë kam qenë në gjendje ta lë pas keqtrajtimin – dhe dhimbjen e vuajtjen që ai shkaktoi. Tani me të vërtetë kam një jetë të lumtur dhe normale. U martova në tempull me një burrë të drejtë dhe ne po rritim familjen tonë të lumtur.

Ndonjëherë e kaluara ndërhyn në mendimet e mia, megjithatë, dhe unë mund ta kujtoj ankthin që ndjeva ndërsa përsiatja për denjësinë time.

Pyes veten se sa të rinj e të reja të tjera janë atje në një situatë si ajo në të cilën isha unë, duke u ndier të turpëruar dhe të poshtëruar, duke pyetur veten për virtytin e tyre dhe ku përshtaten në planin e Perëndisë.

Këtyre të rinjve e të rejave dua t’u them: Zoti ju do.

Atij i dhemb zemra për ju.

Ai e di që nuk keni faj.

Ai e di që ju jeni vërtet të virtytshëm dhe të virtytshme.

Ai do t’ju ndihmojë të gjeni guximin dhe forcën për ta jetuar jetën tuaj me lumturi.