“Gëzimi i Koseit”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2021, f. 12–15.
Gëzimi i Koseit
Këtij të riu nga Japonia i pëlqen shumë që ta përhapë ungjillin.
Ai luan në piano. Ai bën vrapim të shpejtë. Ai madje bën kërcim së gjati! Por ato nuk janë të vetmet gjëra që të lënë mbresë te Kosei H., një i ri 17‑vjeçar nga Nagasaki i Japonisë.
“Ai është një nga misionarët më të mirë të të rinjve që kam njohur ndonjëherë”, thotë Motra Mek‑Kena Frejzër, një misionare e kthyer së fundmi, e cila shërbeu në Japoni, vendi ku jeton Kosei. “Kosei kurrë nuk e linte t’i ikte një mundësi për të qenë me misionarët ose për të dëshmuar për Krishtin nëpërmjet aktiviteteve të Kishës dhe mediave shoqërore”, thotë ajo.
Kosei i konsideron misionarët si disa nga miqtë e tij më të ngushtë. Dhe nuk është për t’u habitur që ai ndihet në këtë mënyrë sapo të kuptoni se sa kënaqet kur e përhap ungjillin.
“Puna misionare është gëzimi im”, thotë Kosei. “Nefi dha mësim se fruta e pemës së jetës ‘është më e dëshirueshmja mbi të gjitha gjërat’ (1 Nefi 11:22). Disa njerëz mund ta mohojnë këtë frut. Sidoqoftë, si dikush që e di ëmbëlsinë e frutës, unë dua ta përhap ungjillin tek ata që më rrethojnë.”
Tregimi i bekimeve të ungjillit mund të jetë thjesht talenti më i madh i Koseit nga të gjitha talentet.
Suksesi në Mediat Shoqërore
Pasi bëri një kurs për përgatitjen misionare, Kosei ndjeu një dëshirë edhe më të madhe për t’iu sjellë miqve të tij gëzimet e ungjillit. Ai filloi duke u futur në internet. Një nga mjetet kryesore që ai përdor për të shpërndarë mesazhe dhe përmbajtje që lidhen me ungjillin, është ajo e mediave shoqërore.
Disa prej miqve të tij u janë përgjigjur këtyre afishimeve në median shoqërore. Një mik në veçanti erdhi te Kosei dhe i tha: “Interesohem për kishën tënde”.
Ky mik ishte thjesht një i njohur si fillim, por miqësia e tyre u thellua shpejt. “Ai filloi duke më pyetur për ndryshimet ndërmjet besimit të tij dhe besimit tim”, shpjegon Kosei. “Megjithëse nuk kisha folur me të shumë shpesh, ne u bëmë miq të mirë pasi e përhapa ungjillin në mediat shoqërore.”
Sportet, Pasionet dhe Miqësitë e Përjetshme
Media shoqërore nuk është e vetmja mënyrë se si Kosei e përhap besimin e tij. Mbani mend, ai ka një jetë të ngarkuar e cila është plot me veprimtari. Ka mundësi të shumta për të takuar njerëz dhe për të bërë miq. Dhe ai i përdor ato mundësi për të përhapur gëzimin e ungjillit.
“Një herë e ftova një mik të një klubi sportiv në klasën e anglishtes që misionarët po jepnin mësim në kishë”, shpjegon Kosei. “Ai dhe misionarët u bënë miq të mirë me njëri‑tjetrin ndërkohë që po mësonte anglisht.”
Sidoqoftë, bashkëbisedimet nuk u ndalën te mësimet e anglishtes.
“Shoku im filloi të mendonte se përse këta misionarë, të cilët ishin pothuajse në të njëjtën moshë, po bënin punë vullnetare dhe po shërbenin si misionarë në Japoni. Pyetja që bëri në vijim ishte se çfarë i shtyn misionarët të shërbejnë. Ai tani i ka dëgjuar mësimet e misionarëve dhe ende ka një komunikim me misionarët nëpërmjet bisedave me video.”
Kurdoherë që ai e përmend ungjillin me miqtë e tij, Kosei përpiqet ta përputhë atë që ai tregon, me nivelin e tyre të interesit. “Për shembull, unë flas së pari për atë që ndodh pas vdekjes, cili është qëllimi i jetës, ose nëse ekziston Perëndia”, thotë ai. “Më pas unë mund ta përshtat, bazuar në interesin e tyre.”
Sigurisht, ai e di se jo të gjithë do të jenë të interesuar. Ai ka pasur pengesa, njësoj si kushdo. Një ditë, pasi disa nga miqtë e tij po i bënin pyetje në lidhje me Kishën, Kosei u përpoq t’i tregonte një fletushkë të Kishës njërit prej tyre. “Sidoqoftë, ai shok doli me vrap nga klasa dhe në korridor qeshi me të madhe me mua.
Kjo më shkaktoi pikëllim të thellë”, thotë Kosei.
Por ai nuk e lejon shkurajimin ta ndalojë. Ai e di se ajo që po tregon, do ta bekojë jetën e tyre përgjithmonë, nëse ata e dëgjojnë.
Gëzimi që e Nxit Atë
“Ndiej gëzim në mësimet e Krishtit”, thotë Kosei. “Po të mos i dija ato mësime, unë do të kisha pasur një jetë pa gëzim të vërtetë.”
Ndërsa administron kohën mes veprimtarive dhe interesave të tij të shumta, Kosei di se si të vendosë përparësi. “Ungjilli i Jezu Krishtit sjell shpresë në jetën tonë dhe zbulon të gjitha gjërat që duhet të bëjmë”, thotë ai. “Edhe kur ndihemi të dëshpëruar ose po kalojmë një kohë të vështirë, lutja e sinqertë do të sjellë paqe dhe do të na ndihmojë të mbajmë një qëndrim pozitiv.”
Kjo është arsyeja pse ai është kaq i vendosur për ta përhapur ungjillin në çdo mundësi që gjen. Ai dëshiron që të tjerët të përjetojnë atë gjë që atij i jep kënaqësi çdo ditë! “Shpresoj nga thellësia e zemrës sime që shumë njerëz të mund të kenë mundësinë për ta përjetuar këtë gëzim të vërtetë”, thotë ai.
Ajo që Ka më Tepër Rëndësi
Natyrisht, përhapja e ungjillit nuk i merr atij gjithë kohën. Kosei punon jashtëzakonisht shumë për qëllimet e tij të tjera në jetë. Çdo ditë ai stërvitet fort në vrapim dhe ushtrimet për forcë. Kur ka nevojë të çlodhet pak, ai luan në piano. Atij gjithashtu i pëlqen të ecë në natyrë dhe të kalojë kohë me familjen e tij. “Jashtë në natyrë me vëllanë dhe motrën time – kurrë nuk do ta harroj ditën kur kapëm peshq dhe i hëngrëm!” thotë ai.
Megjithatë, gjatë gjithë kohës, Kosei vazhdon të gjejë kohë për atë që ka më tepër rëndësi.
Dhe ai ka një këshillë të vogël për këdo që dëshiron të bëjë të njëjtën gjë: “Ne marrim udhërrëfim kur i zbatojmë urdhërimet. Ndërsa e bëjmë këtë, ne mund të forcohemi nga Zoti. Frika dhe ankthet zëvendësohen me shpresë e vetëbesim. Nëse e hapim gojën pa pasur turp nga ungjilli, njerëzit do të arrijnë ta njohin dashurinë si të Krishtit dhe do të mbushen me gëzim.”