2021
Ju Mund t’ia Dilni!
Korrik 2021


“Ju Mund t’ia Dilni!” Për Forcën e Rinisë, korrik 2021, f. 24–26.

Eja, Më Ndiq

Ju Mund t’ia Dilni!

Ne kemi nevojë të kujtojmë gjithçka që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë bërë – dhe Ata vazhdojnë të bëjnë – që të na ndihmojnë të trashëgojmë mbretërinë çelestiale.

Doktrina e Besëlidhje 76

e re

“Unë? Në mbretërinë çelestiale? Nuk mendoj se mund t’ia dal.”

A keni pasur ndonjëherë një mendim të tillë? Epo, është normale ta pyesim veten nëse jemi mjaftueshëm të mirë sidomos kur duket sikur jemi shumë larg nga të qenit të përsosur. Ndonjëherë duket sikur mbretëria çelestiale është e paarritshme!

Por mos u shkurajoni! I gjithë thelbi i planit të Atit Qiellor është që t’ju ndihmojë të bëheni si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe të jetoni me Ta në mbretërinë çelestiale. Dhe ju jeni në një pozitë shumë më të mirë sesa mendoni se jeni. Presidenti M. Rasëll Ballard, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na ka kujtuar se të jetuarit me Ta përsëri “është më shumë sesa thjesht synimi ynë – është synimi i Tyre gjithashtu1.

Më shumë se gjithçka, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti duan që të gjithë ne të jetojmë në mbretërinë çelestiale me Ta dhe familjet tona. Lajmi i mirë është se nuk na duhet të arrijmë atje krejt të pavarur. Kur vijmë te Krishti dhe e ndjekim Atë, ne marrim forcën dhe ndihmën që na nevojitet. Për shkak të Shlyerjes së Tij, trashëgimi i mbretërisë çelestiale nuk është vetëm i mundur, por ka të ngjarë të ndodhë.

Pra, me ndihmën e Tij, ju mund ta bëni këtë! Ju mund t’ia dilni!

Plani i Perëndisë Është për Çdokënd

Për të hyrë në mbretërinë çelestiale, na nevojitet të kemi besim te Jezu Krishti dhe të kërkojmë ta rritim atë besim. Ne kemi nevojë të përpiqemi fort për të ndryshuar dhe për t’u penduar çdo ditë. Ne kemi nevojë të pagëzohemi dhe të marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë – dhe ta kujtojmë rregullisht Jezu Krishtin dhe t’i përtërijmë besëlidhjet tona. Kemi nevojë të durojmë deri në fund. Nëse këto janë gjërat që ju dëshironi dhe për të cilat po përpiqeni fort, ju jeni në udhën tuaj për t’u bërë një nga ata që trashëgojnë mbretërinë çelestiale.

Përveç kësaj, Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, ka dhënë mësim se ata që janë të denjë për shkallën më të lartë të mbretërisë qiellore janë “ata që kanë përmbushur kërkesat më të larta për këtë mbretëri, përfshirë besnikërinë ndaj besëlidhjeve të bëra në një tempull të Perëndisë dhe martesën për përjetësinë”2. (Ju mund të mësoni më shumë rreth kësaj duke lexuar te Doktrina e Besëlidhje 76:50–7092–96.)

Nëse kjo ju bën ta pyetni veten – ose të shqetësoheni – rreth përgatitjeve tuaja për të trashëguar mbretërinë çelestiale, mbani mend që ky është një udhëtim. Çdo ditë që ne zgjedhim të bëhemi më shumë si Ati ynë Qiellor dhe Jezu Krishti, është një ditë që i afrohemi më shumë për t’u bërë një person më çelestial – dhe më pranë mbretërisë çelestiale. Sigurisht, do të ketë shkarje, gabime dhe mëkate për të gjithë ne. Mbështetja te Jezu Krishti ndërsa pendohemi çdo ditë, është çelësi. Ky udhëtim është një udhëtim plot shpresë për shkak të gjithçkaje që Ai dhe Ati ynë Qiellor kanë bërë – dhe të asaj që Ata vazhdojnë të bëjnë – për të na ndihmuar të arrijmë atje.

Ne Kemi Shpëtimtarin

Jezu Krishti

Shpëtimtari siguron udhën që ne të kthehemi tek Ati ynë Qiellor. Jozef Smithi i përshkroi ata që jetojnë në mbretërinë çelestiale si ata që “morën dëshminë e Jezusit” dhe janë “bërë të përsosur nëpërmjet Jezusit … i cili e kreu këtë shlyerje të përsosur nëpërmjet derdhjes së vetë gjakut të tij” (Doktrina e Besëlidhje 76:51, 69).

Të bëhemi të përsosur në Jezu Krishtin nuk do të thotë që ne nuk bëjmë ndonjëherë gabime. Do të thotë që ne pendohemi dhe përpiqemi të bëhemi pak më të mirë çdo ditë, duke u mbështetur te Shpëtimtari dhe fuqia e Shlyerjes së Tij për të na ndihmuar të ndryshojmë. Ndërsa e bëjmë këtë, hiri i Tij na lejon të përparojmë drejt shkallës më të lartë të mbretërisë çelestiale ku ne do të jetojmë me Të, Atin Qiellor dhe familjet tona përgjithmonë. Ne gjithashtu do të marrim gjithçka që ka Ati ynë në Qiell. Asgjë nga këto gjëra nuk do të ishte e mundur pa Shpëtimtarin.

Ne Kemi Kishën

Presidenti Ouks dha mësim se Kisha është gjithashtu këtu “për të ndihmuar të gjithë fëmijët e Perëndisë që të kuptojnë potencialin e tyre dhe të arrijnë fatin e tyre më të lartë. Kjo Kishë ekziston për t’u siguruar bijve dhe bijave të Perëndisë mjetet e hyrjes në mbretërinë çelestiale dhe ekzaltimit në të.”3 Kjo bëhet nëpërmjet bindjes ndaj ordinancave dhe besëlidhjeve të ungjillit.

tempulli

Këto ordinanca dhe besëlidhje kërkojnë priftërinë, e cila është në dispozicion vetëm në Kishën e vërtetë të Perëndisë. Në këto mënyra dhe mënyra të tjera, Zoti dhe Kisha e Tij na ndihmojnë në udhëtimin tonë për t’u bërë më të mirët që mund të jemi në mënyrë që zemrat tona të përgatiten që një ditë të trashëgojmë gjithçka që ka Ati Qiellor dhe të fitojmë jetë të përjetshme.

Vazhdoni dhe Mos u Dorëzoni!

Ky udhëtim drejt mbretërisë çelestiale është plot shpresë, por nuk është gjithmonë i lehtë. Ati Qiellor e di këtë. Ai dhe Jezu Krishti kanë premtuar të na ndihmojnë dhe të na forcojnë në çdo hap të udhës.

agim

Fotografia nga Getty Images

Pra, vazhdoni dhe mos u dorëzoni. Ne do të kemi ndihmë teksa përpiqemi fort të ndjekim Shpëtimtarin, të jetojmë në mënyrë që të jemi të denjë të marrim dhe të veprojmë sipas nxitjeve nga Fryma e Shenjtë dhe të dallojmë se ku mund të përmirësohemi. Ndërsa e kalojmë jetën me besim te Jezu Krishti dhe pendohemi kur kemi nevojë ta bëjmë këtë, Ati ynë Qiellor do të na ndihmojë të ndryshojmë për mirë.

Të jesh i denjë për mbretërinë çelestiale nuk arrihet me një akt të madh. Është rezultat i zgjedhjes së vazhdueshme për të ndjekur Shpëtimtarin dhe mbështetjes te shpresa dhe siguria që vijnë nga ungjilli i Tij.

Pra, nëse përpiqeni fort ta ndiqni Shpëtimtarin dhe ende shqetësoheni nëse do të arrini të shkoni në mbretërinë çelestiale, të gjitha shenjat tregojnë për një thirrmë kumbuese “Po! Ju mund t’ia dilni!”. Kjo është çfarë Ati Qiellor ka si synim për të gjithë ne! Dhe siç dha mësim Presidenti Ouks, gjithçka është e mundur “për shkak të dashurisë së Perëndisë për fëmijët e Tij dhe për shkak të shlyerjes dhe ringjalljes së Jezu Krishtit, ‘i cili përlëvdon Atin dhe i shpëton gjithë veprat e duarve të tij’ [Doktrina e Besëlidhje 76:43]”4.

Shënime

  1. M. Rasëll Ballard, konferenca e përgjithshme e prillit 2017 (Ensign ose Liahona, maj 2017, f. 65).

  2. Dallin H. Oaks, “Apostasy and Restoration”, konferenca e përgjithshme e prillit 1995 (Ensign, maj 1995, f. 86).

  3. Dallin H. Oaks, “Apostasy and Restoration” (f. 87).

  4. Dallin H. Oaks, “Apostasy and Restoration” (f. 87), theksimi i shtuar.