2022
Ofroni Ndihmë dhe Kërkoni të Mirën
Shtator 2022


“Ofroni Ndihmë dhe Kërkoni të Mirën”, Për Forcën e Rinisë, Shtator 2022.

Ndihmë për Jetën

Ofroni Ndihmë dhe Kërkoni të Mirën

Ne jemi të gjithë të ndryshëm, jemi të gjithë fëmijë të Perëndisë dhe kjo është e mrekullueshme!

një e re duke parë te piktura

Fotografia nga Getty Images

Përfytyroni sikur jetoni në një botë ku çdo pikturë të pikturohej me blu, të gjitha ushqimet të shijonin njësoj dhe çdo këngë të kishte vetëm një notë të vetme muzikore. Nuk e di për ju, por unë mendoj se do të ishte tej mase e mërzitshme!

Ndryshimet në art, shije dhe muzikë e bëjnë botën jashtëzakonisht më interesante dhe më të bukur. Në të njëjtën mënyrë, njerëzit kanë prejardhje, bindje, pamje, kombësi, etni dhe përvoja dalluese që e bëjnë botën të mrekullueshme.

Që në moshë të re kam jetuar për shumë vjet në Arabi, në një pjesë kryesisht islamike të botës. Për një pjesë të asaj kohe ndoqa shkollën me konvikt në Angli. Në të dyja vendet, në Arabi dhe në Angli, takova shumë njerëz të ndryshëm. Në fillim mund të jetë e vështirë të jesh pranë një shumëllojshmërie të ndryshme njerëzish, kaq ndryshe nga unë. Por si përfundim, me kalimin e kohës mësova nga përvoja se shumica e dallimeve janë të mira, madje të mrekullueshme! Jeta ime është pasuruar tej mase nga bashkëveprimi me njerëz të kulturave dhe besimeve të ndryshme në shumë pjesë të botës.

Ja tek janë disa gjëra që kam mësuar, të cilat mund t’ju ndihmojnë t’i respektoni dhe kuptoni njerëzit që janë të ndryshëm nga ju.

një e re dhe një i ri

Gjeni të Mirën

Ndonjëherë e mira te njerëzit mund të mos vihet re menjëherë, por është e mahnitshme se si e gjejmë të mirën kur e kërkojmë atë me dashuri e dhembshuri. Teksa e bëni këtë, zemra juaj do të hapet që të mësoni nga të tjerët.

Është e dobishme të kujtoni se njerëzit mund të veprojnë në mënyra që ju nuk i kuptoni, sepse janë lënduar disi. Pothuajse çdo njeri ndihet i cenueshëm ose po has vështirësi me diçka. Ndoshta ndiheni kështu edhe ju. Kur e kuptoni këtë, mund të jetë më e lehtë të gjeni të mirën tek të tjerët pasi mund ta kuptoni më mirë arsyen përse njerëzit janë ashtu siç janë. Pastaj ju mund të gjeni mënyra se si t’i ndihmoni dhe t’i bekoni ata.

i ri duke dëgjuar

Dëgjoni me Vëmendje

Shtegu drejt respektit dhe mirëkuptimit fillon kur dëgjojmë – vërtet i dëgjojmë – të tjerët. Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne shpesh jemi të shpejtë për ta përhapur ungjillin dhe kjo është gjë e mirë! Në fund të fundit, ungjilli i Jezu Krishtit është dhurata më e lavdishme dhe e përjetshme që mund të përhapim. Por ndonjëherë ne i shprehim bindjet tona me të tjerët përpara se të kuptojmë ndonjë gjë për ta. Nevojitet që t’i dëgjojmë me vëmendje të tjerët dhe të mësojmë prej tyre. Mund ta zgjerojmë mirëkuptimin dhe vlerësimin për këdo që takojmë.

e re duke bërë formën e zemrës me duar

Kërkoni për Gjëra të Përbashkëta

Gjatë një vizite të kohëve të fundit në Gjirin Arabik, takova shumë njerëz që janë shumë të ndryshëm nga unë. Por ndërsa fillova t’i njihja, zbulova se besimet tona bazë nuk janë tepër të ndryshme. U frymëzova nga ngjashmëritë tona.

Një gjë që gjeta se e kemi të përbashkët, është dëshira për të ndihmuar refugjatët që janë shpërngulur dhe lënduar nga konflikti. Gjetja e kësaj ngjashmërie ishte e jashtëzakonshme. U gëzova për këtë dhe ndjeva dashuri të madhe për njerëzit që takova.

Pasi gjetëm gjëra të përbashkëta, patëm mundësi të flitnim për dallimet tona, si edhe për vlerat tona të përbashkëta, me një interes të sinqertë për të mësuar për njëri‑tjetrin. Kjo përvojë më kujtoi se njerëzit e mirë kudo që janë po përpiqen të bëjnë të mirën sipas bindjeve të tyre.

i ri duke ngarë biçikletën

Jini Vëzhgues

Një mënyrë e mirë për të ndërvepruar me të tjerët është që të jemi vëzhgues dhe të gjejmë ndonjë mënyrë për ta nisur një bashkëbisedim. Për shembull, nëse vëreni se dikush ka një biçikletë të bukur, i thoni: “O, më pëlqen shumë biçikleta jote” dhe më pas pyeteni për të.

Një pyetje e thjeshtë si: “Si po ju shkon dita?” mund t’ju ndihmojë të afroheni me dikë. Mund të ndiheni pak në siklet në fillim. Duhet praktikë, por është argëtuese pasi keni fituar përvoja të mira me këto gjëra.

telefon inteligjent

Kthejeni Vëmendjen tek të Tjerët

Shpëtimtari takoi shumë njerëz nga kultura të tjera. Ai iu afrua edhe atyre të cilëve u shmangej çdo njeri tjetër. Ai bëri përpjekje të veçanta për të takuar të sëmurët dhe të përjashtuarit nga shoqëria. Ai bisedoi me ta dhe i shëroi ata.

Nëse e ndjekim metodën e Tij vetëmohuese, bota do të jetë një vend shumë më i mirë. Ndihmojini të tjerët në mënyra të mëdha ose të vogla. Dërgoni një mesazh dashamirës, jepini dikujt një ëmbëlsirë, përfshini dikë që të tjerët e kanë mënjanuar. Vepra dashamirëse si këto do t’ju ndihmojnë të afroheni me njerëzit përreth jush. Gjëja e mrekullueshme është se këto veprime na bëjnë të ndihemi vetë më mirë.

Jezu Krishti

Mos e Humbisni Rastin

Urdhërimi i dytë i madh është: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mateu 22:39). Mbani mend se ne jemi të gjithë fëmijë të Perëndisë. Pikëpamjet e mia për botën zgjerohen dhe unë bëhem më i mirë kur takoj njerëz të tjerë – të afërmit e mi – që janë të ndryshëm nga unë. Mos e humbisni rastin e asaj që mund të mësoni nga të tjerët.

Nëse ofroni ndihmë dhe mësoni të jepni dashuri e t’i respektoni ndryshimet e çdo njeriu përreth jush, ju do të habiteni nga mënyra se sa e ndritur dhe e mrekullueshme mund të jetë bota.