2022
Mësoni për Jezu Krishtin dhe Përdoreni Fuqinë e Tij
Shtator 2022


“Mësoni për Jezu Krishtin dhe Përdoreni Fuqinë e Tij”, Për Forcën e Rinisë, Shtator 2022.

Fjala e Mbylljes

Mësoni për Jezu Krishtin dhe Përdoreni Fuqinë e Tij

Do të doja t’ju tregoja se si mund ta sjellim në jetën tonë fuqinë e Zotit dhe Mësuesit tonë, Jezu Krishtit.

Ne fillojmë të mësojmë për Të.1 “Është e pamundur për [ne që] të shpëtohe[mi] në injorancë” (Doktrina e Besëlidhje 131:6). Sa më shumë ta kuptojmë doktrinën e Shpëtimtarit dhe atë që Ai bëri për ne, aq më shumë e dimë se Ai mund të na japë fuqinë që na nevojitet për jetën tonë.

Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne i referohemi misionit të Tij si Shlyerja e Jezu Krishtit, e cila e bëri ringjalljen një realitet për të gjithë njerëzit dhe e bëri jetën e përjetshme të mundur për ata që pendohen për mëkatet e tyre dhe i marrin e i mbajnë ordinancat dhe besëlidhjet themelore.

Sipas planit madhështor të përjetshëm të Atit, është Shpëtimtari që vuajti. Është Shpëtimtari që i këputi rripat e vdekjes. Është Shpëtimtari që e pagoi çmimin për mëkatet e për shkeljet tona dhe i fshin ato me kushtin e pendimit tonë. Është Shpëtimtari që na çliron nga vdekja fizike dhe shpirtërore.

Terma të shenjtë si Shlyerje dhe Ringjallje përshkruajnë atë që bëri Shpëtimtari, sipas planit të Atit, në mënyrë që ne të mund të jetojmë me shpresë në këtë jetë dhe të fitojmë jetë të përjetshme në botën që vjen.