2022
Katër Pikat Kyç të Nefit për të Kuptuar Librin e Isaias
Shtator 2022


“Katër Pikat Kyç të Nefit për të Kuptuar Librin e Isaias”, Për Forcën e Rinisë, Shtator 2022.

Eja, Më Ndiq

Isaia

Katër Pikat KyçNefit për të Kuptuar Librin e Isaias

A ke vështirësi kur lexon librin e Isaias? Nefi të vjen në ndihmë!

shkrimet e Nefit në fletët e arta

Ilustrimet nga Kevin Keele

Është e qartë se shkrimet e profetit Isaia në Dhiatën e Vjetër janë të rëndësishme, sepse ato citohen shumë shpesh në Dhiatën e Re dhe në Librin e Mormonit. Vetë Shpëtimtari tha: “Të mëdha janë fjalët e Isaias” (3 Nefi 23:1).

Sidoqoftë, përse duhet të jenë kaq të vështira për t’u kuptuar?

Mos u shkurajoni! Nefi e dinte mundimin tonë. Ai e pranoi se “Isaia ka folur shumë gjëra, të cilat ishin të vështira për t’u kuptuar” (2 Nefi 25:1). Fatmirësisht, Nefi na ka dhënë katër pika kyç që mund të na ndihmojnë ta zbërthejmë kuptimin e fjalëve të Isaias.

Pika e Parë Kyç: Të Jetojmë në Ditët e Fundit

Nefi shkroi se ata që jetojnë në “ditët e fundit” do të jenë në gjendje t’i “kuptojnë” fjalët e Isaias (2 Nefi 25:8). Ndoshta kjo ndodh ngaqë njerëzit në ditët e fundit do të kishin një perspektivë që njerëzit në kohën e Isaias nuk e kishin. Shumë kohë më parë, njerëzit mund të mos e kenë kuptuar se si njerëzit mund ta “quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën” (Isaia 5:20) dhe prapëseprapë e shohim se kjo po ndodh kudo përreth nesh.

Gjithashtu, njerëzit në të kaluarën mund të mos e kenë kuptuar se çfarë donte të thoshte Zoti kur tha: “Unë do të vazhdoj të bëj mrekulli në mes të këtij populli, po, mrekulli dhe çudi” (Isaia 29:14).

Profetët modernë na kanë thënë se kjo “mrekulli dhe çudi” i referohet ardhjes në dritë të Librit të Mormonit dhe Rivendosjes së vazhdueshme të ungjillit të Jezu Krishtit. Jeni të bekuar që jetoni në një kohë kur mund të dëshmoni përmbushjen e shumë prej profecive të Isaias.

Pika e Dytë Kyç: Të Kemi Shpirtin e Profecisë

Nefi tha se fjalët e Isaias mund të jenë “të thjeshta për të gjithë ata që janë të mbushur me shpirtin e profecisë” (2 Nefi 25:4). Kjo mund të tingëllojë frikësuese në fillim, por nuk do të thotë se vetëm profetët mund ta kuptojnë librin e Isaias. Shkrimet e shenjta na mësojnë se “dëshmia e Jezusit është frymë e profecisë” (Zbulesa 19:10). Me fjalë të tjera, nëse besoni te Jezu Krishti, tashmë e keni pikënisjen e asaj që ju duhet për ta kuptuar librin e Isaias.

Shkrimet e Isaias dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij. Madje edhe emri i tij dëshmon për Shpëtimtarin! Emri i Isaias do të thotë: “Zoti është Shpëtim” ose “Jezus[i] shpëton”.

Pika e Tretë Kyç: Të Kuptojmë Poezinë dhe Simbolet

Nefi shpjegoi se fjalët e Isaias janë të vështira për ata që nuk janë mësuar me “mënyrën e profetizimit midis Judenjve” (2 Nefi 25:1). Fjalët e Isaias janë më të lehta për t’u kuptuar, kur mësojmë më shumë për traditat e të shkruarit në vendet e Lindjes në kohën e Isaias, të tilla si poezia dhe simbolet. Isaia shumë shpesh përdori simbole të ndërlikuara në shkrimet e tij.

Për shembull, Isaia shkroi për ata që janë “të lart[ë] dhe të ngritur” si “qitrot [kedrat] e Libanit” dhe si “lisat e Bashanit [Siria]” (2 Nefi 12:13). Qitro ose kedri dhe lisat janë pemë me dru të fortë. Isaia përdori një mënyrë poetike për të thënë se njerëzit krenarë dhe kryelartë janë si pemë të larta, sepse i kanë ngurtësuar zemrat e tyre dhe mendojnë se janë më të mirë se të tjerët. Leximi i librit të Isaias si poezi mund të na ndihmojë ta kuptojmë më mirë atë që dha mësim ai.

Pika e Katërt Kyç: Të Njohim Gjeografinë

Isaia përmend 108 vende të ndryshme në shkrimet e tij. Gjurmimi i tyre mund të jetë paksa ngatërrues, sidomos nëse nuk ke jetuar asnjëherë atje. Pika e katërt kyç e Nefit është të njohësh “zonat përreth” Jerusalemit (2 Nefi 25:6).

Jerusalemi është në të njëjtin vend ku ka qenë gjithmonë, por në lashtësi ishte në qendër të tri fuqive konkurruese botërore. Në lindje ndodhej Babilonia, një qendër e arteve dhe e veshjeve. Në veri ndodhej Asiria, fuqia ushtarake në kohët e Isaias. Në jugperëndim ndodhej Egjipti, një qendër tregtare. Thjesht të pasurit e kësaj njohurie mund të na ndihmojë të gjurmojmë se kush po e kërcënonte për ta sulmuar Izraelin dhe të merrte robër. Simbolikisht, Babilonia përfaqëson të qenit si bota, Asiria përfaqëson krenarinë dhe Egjipti pasurinë.

Fjalët e Isaias Janë për Ju

Isaia dha mësim shumë gjëra të tjera që janë të rëndësishme që ne t’i kuptojmë. Ai dëshmoi për shpërndarjen dhe mbledhjen e Izraelit, që Presidenti Rasëll M. Nelson ka thënë se “është gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot. … Dhe nëse e zgjidhni, nëse e dëshironi, ju mund të jeni një pjesë e madhe e saj” (“Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror për rininë, 3 qershor 2018], f. 4, HopeofIsrael.ChurchofJesusChrist.org; shih Isaia 49:13–23).

Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit

Isaia dëshmoi edhe për ndërtimin e Sionit në përgatitje për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit dhe mbretërimin mijëvjeçar (shih, për shembull, Isaia 5152). Me një dëshmi për Jezu Krishtin, Shpirti mund t’ju dëshmojë për rëndësinë e fjalëve të Isaias dhe se si ato mund ta ndihmojnë e ta bekojnë jetën tuaj sot.