“Jezu Krishti Mund …”, Për Forcën e Rinisë, Shtator 2022.
Eja, Më Ndiq
Fjalët e Urta; Predikuesit; Isaia
Jezu Krishti Mund …
Të vërtetat e shkruara mijëra vjet më parë të mësojnë se çfarë mund të bëjë Zoti për ty sot.
Nuk ka datë mbarimi të vlefshmërisë për të vërtetën nga Perëndia. Kjo sepse është njohuria “për gjëra[t] ashtu siç janë në të vërtetë dhe për gjëra[t] ashtu siç do të jenë në të vërtetë” (Jakob [LiM] 4:13).
Të vërtetat e shkruara mijëra vjet më parë në Dhiatën e Vjetër janë ende të vërteta sot. Dhe disa prej tyre të ndihmojnë të kuptosh atë që Zoti mund të bëjë për ty sot. Ja tek janë disa të vërteta të tilla nga librat Fjalët e Urta, Predikuesit dhe Isaia (që do t’i studiosh këtë muaj). Ato të tregojnë se Jezu Krishti mund …
Të Drejtojë Shtigjet e Tua
Nganjëherë, të gjithë ndihemi të pështjelluar, të humbur ose në nevojë për udhërrëfim. Nëse i jep Zotit mirëbesimin, përulësinë dhe mirënjohjen tënde të plotë, “ai do të drejtojë shtigjet e tua” (shih Fjalët e Urta 3:5–6).
Nëse i zbaton urdhërimet e Tij, Ai “të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh” dhe e bën “paq[en] [tënde] … si një lumë” (Isaia 48:17–18).
Të të Japë Perspektivë
Qëndrimet dhe mënyrat e jetesës në botë mund të duken tërheqëse ose të kënaqshme. Por mësimet e Jezu Krishtit mund të të ndihmojnë të kuptosh se sa boshe dhe kalimtare janë mënyrat e botës.
Të gjitha gjërat që “bëhen nën diell … janë gjëra të kota dhe një kërkim për të kapur erën” (Predikuesit 1:14). Me fjalë të tjera, mënyra e botës sjell shqetësim. Është njësoj si të ndjekësh erën dhe të përpiqesh ta kapësh. Lumturia vjen kur i japim respekt dhe nderim Perëndisë dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij (shih Predikuesit 12:13).
Shumë njerëz në botë “e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën; … ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr; … ndërrojnë hidhësirën në ëmbëlsi dhe ëmbëlsinë në hidhësi” (Isaia 5:20). Por Zoti na e tregon të vërtetën. Duke ndjekur udhën e Tij dhe fjalën e Tij, ne mund “të nise[m]i me gëzim dhe do t[ë] kthe[hemi] në paqe” (shih Isaia 55:8–12).
(Shih edhe Isaia 40:6–8; 51:7–8.)
Të të Falë Mëkatet
Ne të gjithë bëjmë gabime. Ne të gjithë kemi mëkatuar. Por nëse pendohemi dhe vazhdojmë të përpiqemi që t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë, Jezu Krishti mund të na pastrojë dhe shërojë sërish. Ai do “të ketë dhembshuri për [ne]; … [pasi Ai na] fal bujarisht” (Isaia 55:7). Ai ka thënë:
“Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi” (Isaia 1:18).
“Unë, pikërisht unë, jam ai që … fshij shkeljet e tua dhe nuk do t’i mbaj mend mëkatet e tua” (Isaia 43:25).
Të të Forcojë
Ne të gjithë ndihemi të dobët ose të lodhur nganjëherë. Jezu Krishti mund të të japë forcë. “Zoti [Jehova] është shkëmbi i përjetshëm” (Isaia 26:4). Nëse je i përulur dhe i mirëbeson Atij, Ai mund të të ndihmojë t’i rezistosh tundimit, të marrësh vendime të vështira ose thjesht të vazhdosh përpara pavarësisht nga vështirësitë. Ai ka thënë:
“Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj” (Isaia 41:10).
Kurrë Nuk Mund të të Harrojë
Shpëtimtari Jezu Krisht u flijua për ty sepse Ai e do Atin tonë Qiellor – dhe sepse Ai të do ty. Flijimi i Tij bëri të mundur që ti të ringjallesh dhe të kesh mundësi për t’u bërë si Ati Qiellor. Ai nuk do të të braktisë apo të të harrojë kurrë. Ai ka thënë:
“A mundet një grua të harrojë foshnjen e gjirit … ? Edhe sikur ato të të harrojnë, unë nuk do të harroj.
Unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia” (Isaia 49:15).
Duke qenë se Ai ka bërë kaq shumë për ne dhe nuk do të na harrojë kurrë, edhe ne, duhet të përpiqemi që “gjithmonë ta kujtoj[m]ë [A]të” (Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79).