Mos Kini Frikë të Bëni Mirë
Zoti na thotë që kur qëndrojmë me besim mbi shkëmbin e Tij, dyshimi dhe frika veniten; dëshira për të bërë mirë rritet.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë lutem me përulësi që Shpirti i Zotit të jetë me ne ndërkohë që flas sot. Zemra ime është plot mirënjohje për Zotin, Kisha e të cilit është kjo, për frymëzimin që e kemi ndier në lutjet gjithë shpirt, predikimet e frymëzuara dhe këngën engjëllore në këtë konferencë.
Prillin që shkoi, Presidenti Tomas S. Monson na dha një mesazh që i preku zemrat anekënd botës, përfshirë zemrën time. Ai foli për fuqinë e Librit të Mormonit. Ai na nxiti t’i studiojmë, përsiatim dhe vëmë në jetë mësimet e tij. Ai premtoi që nëse i përkushtojmë kohë çdo ditë studimit e përsiatjes dhe i zbatojmë urdhërimet që i përmban Libri i Mormonit, ne do të kemi një dëshmi jetike për të vërtetën e tij dhe dëshmia pasuese për Krishtin e gjallë do të na çojë drejt sigurisë në kohë të vështira. (Shih “Fuqia e Librit të Mormonit”, Liahona, maj 2017, f. 86–87.)
Si shumë prej jush, unë i dëgjova fjalët e profetit sikurse zërin e Zotit për mua. Dhe, gjithashtu si shumë prej jush, vendosa t’u bindem atyre fjalëve. Tani, që kur isha i vogël, e kam ndier dëshminë që Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë, që Ati dhe Biri iu shfaqën dhe i folën Jozef Smithit dhe që Apostujt e lashtë erdhën te Profeti Jozef për të rivendosur çelësat e priftërisë në Kishën e Zotit.
Me këtë dëshmi, e kam lexuar Librin e Mormonit çdo ditë për më shumë se 50 vjet. Prandaj mbase mund të kisha menduar me arsye se fjalët e Presidentit Monson ishin për dikë tjetër. Prapëseprapë, si shumë prej jush, unë i ndjeva inkurajimin e profetit dhe premtimin e tij të më ftonin për të bërë një përpjekje më të madhe. Shumë prej jush kanë bërë atë që bëra unë: u lutët me qëllim më të madh, e përsiatët shkrimin e shenjtë më me vëmendje dhe u përpoqët më shumë për t’i shërbyer Zotit dhe të tjerëve për Të.
Rezultati i lumtur për mua dhe për shumë prej jush, ka qenë ajo që premtoi profeti. Ata prej nesh që e përvetësuan këshillën e tij të frymëzuar, e kanë dëgjuar Shpirtin në mënyrë më të dallueshme. Ne kemi gjetur fuqi më të madhe për t’i bërë ballë tundimit dhe kemi ndier një besim më të madh te një Jezu Krisht i ringjallur, në ungjillin e Tij dhe në Kishën e Tij të gjallë.
Në një stinë trazirash që janë gjithnjë duke u shtuar në botë, ato rritje në dëshmi e kanë larguar dyshimin e frikën dhe na kanë sjellë ndjenja paqeje. Të dëgjuarit e këshillës së Presidentit Monson ka pasur dy ndikime të tjera të mrekullueshme tek unë: Së pari, Shpirti që ai premtoi, ka prodhuar një ndjenjë optimizmi rreth asaj që shtrihet përpara, madje teksa rrëmuja në botë duket se po shtohet. Dhe, së dyti, Zoti më ka dhënë mua – dhe juve – një ndjenjë edhe më të madhe të dashurisë së Tij për njerëzit që vuajnë. Ne kemi ndier një shtim të dëshirës për të shkuar në shpëtim të të tjerëve. Ajo dëshirë ka qenë në thelb të shërbesës dhe mësimdhënies së Presidentit Monson.
Zoti u premtoi dashuri për të tjerët dhe kurajë profetit Jozef Smith dhe Oliver Kaudërit kur detyrat përpara tyre mund të ishin dukur mbisunduese. Zoti tha se kuraja e nevojshme do të vinte nga besimi i tyre në Të si shkëmbin e tyre:
“Mos kini frikë të bëni mirë, bijtë e mi, sepse çfarë të mbillni, atë edhe do të korrni; prandaj, në qoftë se mbillni mirësi, ju gjithashtu do të korrni mirësi për shpërblimin tuaj.
Prandaj, mos ki frikë, tufë e vogël; bëni mirë; le të bashkohen toka e ferri kundër jush, sepse, nëse ju ndërtoheni mbi shkëmbin tim, ato s’mund të triumfojnë.
Vini re, unë nuk ju dënoj; shkoni në rrugët tuaja dhe mos mëkatoni më; kryeni me maturi punën që ju kam urdhëruar.
Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë.
Vini re plagët që tejshpuan ijën time dhe gjithashtu shenjat e gozhdëve në duart dhe këmbët e mia; jini besnikë, zbatoni urdhërimet e mia dhe ju do të trashëgoni mbretërinë e qiellit” (DeB 6:33–37).
Zoti u tha udhëheqësve të Tij të Rivendosjes dhe Ai na thonë neve, se kur qëndrojmë me besim mbi shkëmbin e Tij, dyshimi dhe frika veniten; dëshira për të bërë mirë rritet. Kur e pranojmë ftesën e Presidentit Monson për të mbjellë në zemrat tona një dëshmi për Jezu Krishtin, ne fitojmë fuqinë, dëshirën dhe kurajën për të shkuar në shpëtimin e të tjerëve pa merak për vetë nevojat tona.
E kam parë atë besim e kurajë shumë herë kur shenjtorët besimtarë të ditëve të mëvonshme janë përballur me sprova të frikshme. Për një shembull, unë isha në Ajdaho kur diga Titon u thye më 5 qershor 1976. Një mur uji u rrëzua. Mijëra njerëz u larguan nga shtëpitë e tyre. Mijëra prej shtëpive dhe ndërmarrjeve u shkatërruan. Për mrekulli, u vranë më pak se 15 njerëz.
Atë që pashë atje, e kam parë kurdoherë që shenjtorët e ditëve të mëvonshme qëndrojnë pa u lëkundur mbi shkëmbin e një dëshmie për Jezu Krishtin. Ngaqë nuk kanë dyshim se Ai kujdeset për ta, ata bëhen të patrembur. Ata i shpërfillin sprovat e veta që t’iu shkojnë në ndihmë të tjerëve. Dhe e bëjnë këtë gjë për shkak të dashurisë për Zotin, duke mos kërkuar shpërblim.
Për shembull, kur u thye diga Titon, një çift shenjtorësh të ditëve të mëvonshme po udhëtonte shumë kilometra larg nga shtëpia e tyre. Sapo e dëgjuan lajmin në radio, ata nxituan të ktheheshin në Reksburg. Në vend që të shkonin në shtëpinë e tyre për të parë nëse u shkatërrua, ata shkuan të kërkonin peshkopin e tyre. Ai ishte në një ndërtesë që po përdorej si qendër shpëtimi. Ai po ndihmonte të drejtoheshin mijëra vullnetarë, të cilët po mbërrinin me autobusët e verdhë të shkollave.
Çifti eci drejt peshkopit dhe tha: “Sapo u kthyem. Peshkop, ku mund të shkojmë për të ndihmuar?” Ai iu dha emrin e një familjeje. Ai çift qëndroi duke hequr baltë e ujë nga shumë shtëpi njëra pas tjetrës. Punuan nga mëngjesi deri në mbrëmje për shumë ditë. Më së fundi bënë një ndërprerje që të shkonin të shihnin shtëpinë e tyre. Ishte përpirë nga përmbytja, duke mos lënë asgjë për t’u pastruar. Prandaj u kthyen me të shpejtë që të shkonin te peshkopi i tyre. Pyetën: “Peshkop, a ke dikë që mund ta ndihmojmë?”
Ajo mrekulli e kurajës paqësore dhe dashurisë hyjnore – dashurisë së pastër të Krishtit – është përsëritur përgjatë viteve dhe anembanë botës. Ajo ndodhi në ditët e tmerrshme të përndjekjeve dhe sprovave në kohën e Profetit Jozef Smith në Misuri. Ajo ndodhi kur Brigam Jangu e udhëhoqi eksodin nga Navuja dhe më pas i thirri shenjtorët drejt vendeve të shkreta nëpër të gjitha Shtetet e Bashkuara perëndimore, që ta ndihmonin njëri-tjetrin për të krijuar Sionin për Zotin.
Nëse i lexoni shkrimet e ditarëve të atyre pionierëve, ju do të shihni mrekullinë e besimit që e largon dyshimin dhe frikën. Dhe lexoni për shenjtorë duke i lënë vetë interesat e tyre që të ndihmonin dikë tjetër për Zotin, përpara se të ktheheshin te vetë delet e tyre apo te vetë fushat e tyre të papluguara.
E pashë të njëjtën mrekulli pak ditë më parë pas pasojave të uraganit Irma në Porto-Riko, San-Tomas dhe Florida, ku shenjtorët e ditëve të mëvonshme u bashkuan me kisha të tjera, grupe vendore të komuniteteve dhe organizata kombëtare për të filluar përpjekjet e pastrimit.
Ashtu si miqtë e mi në Reksburg, një çift joanëtarësh në Florida u përqendruan që ta ndihmonin komunitetin, në vend që të punonin te vetë prona e tyre. Kur disa fqinjë shenjtorë të ditëve të mëvonshme u ofruan ndihmë për dy pemë të mëdha që e kishin bllokuar vendparkimin e tyre, çifti u shpjegoi se ata ishin shqetësuar shumë dhe kështu i ishin kthyer ndihmës ndaj të tjerëve, duke pasur besim se Zoti do të siguronte ndihmën që u nevojitej në vetë shtëpinë e tyre. Bashkëshorti atëherë na tregoi se përpara se të arrinin anëtarët e Kishës sonë me ofertat për ndihmë, ata kishin qenë duke u lutur. Kishin marrë përgjigje se ndihma do t’iu vinte. Iu erdhi brenda pak orësh nga marrja e asaj mbrese sigurie.
Kam dëgjuar një raportim se disa kanë filluar t’i quajnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme, të cilët veshin bluzat e verdha të Duarve Ndihmëtare, “Engjëjt e Verdhë”. Një shenjtore e ditëve të mëvonshme e çoi makinën e saj për shërbim dhe burri që po e ndihmonte përshkroi “përvojën shpirtërore” që e pati kur njerëzit me bluza të verdha i hoqën pemët nga oborri i tij dhe më pas, tha ai, ata “më kënduan njëfarë kënge rreth të qenit fëmijë i Perëndisë”.
Një tjetër banore e Floridës – gjithashtu jo e besimit tonë – tregoi se shenjtorët e ditëve të mëvonshme erdhën te shtëpia e saj kur ajo po punonte në kopshtin e shkatërruar, po ndiente shqetësim e nxehtësi të madhe dhe ishte gati për të qarë. Vullnetarët krijuan, duke përdorur fjalët e saj, “një mrekulli të vërtetë”. Ata shërbyen jo vetëm me zell, por edhe me të qeshura e buzëqeshje, duke mos pranuar asgjë si shpërblim.
E pashë atë zell dhe e dëgjova atë të qeshur kur, një të shtunë vonë, vizitova një grup shenjtorësh të ditëve të mëvonshme në Florida. Vullnetarët e ndalën punën e tyre të pastrimit për aq kohë sa të mund të shtrëngoja disa duar. Ata thanë se 90 anëtarë të kunjit të tyre në Xhorxhia kishin krijuar një plan për të marrë pjesë në shpëtimin në Florida pikërisht një natë më parë.
Ata ishin nisur nga Xhorxhia në 4:00 të mëngjesit, ecën me makinë për disa orë, punuan gjatë gjithë ditës e deri natën dhe kishin në plan të punonin sërish të nesërmen.
Ma përshkruan atë gjithë buzëqeshje dhe humor të këndshëm. I vetmi shqetësim që ndjeva, ishte se ata donin që të ndaleshin falënderimet, në mënyrë që të ktheheshin përsëri në punë. Presidenti i kunjit e kishte ndezur sërish sharrën e tij elektrike dhe po punonte te një pemë e rrëzuar dhe një peshkop po i lëvizte degët e pemës teksa u futëm në makinë për të shkuar tek ekipi tjetër i shpëtimit.
Më herët atë ditë, teksa po largoheshim nga një vend tjetër, një burrë eci drejt makinës, hoqi kapelën dhe na falënderoi për vullnetarët. Ai tha: “Nuk jam anëtar i kishës suaj. Nuk mund ta besoj atë që keni bërë për ne. Perëndia ju bekoftë!” Vullnetari SHDM që po qëndronte pranë tij me bluzën e tij të verdhë, buzëqeshi dhe mblodhi supet sikur nuk e meritonte lavdërimin.
Ndërkohë që vullnetarët nga Xhorxhia kishin ardhur për ta ndihmuar këtë burrë, i cili s’mund ta besonte këtë gjë, qindra shenjtorë të ditëve të mëvonshme nga pikërisht ajo pjesë e shkretuar e Floridës kishin shkuar qindra kilometra drejt jugut në anën tjetër të Floridës ku kishin dëgjuar se njerëzit ishin goditur më rëndë.
Atë ditë m’u kujtuan dhe i kuptova më mirë, fjalët profetike të Profetit Jozef Smith: “Një njeri i mbushur me dashurinë e Perëndisë nuk kënaqet vetëm me bekimin e familjes së tij, por endet në të gjithë botën, i dëshiruar që të bekojë të gjithë racën njerëzore” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 454).
Ne e shohim një dashuri të tillë në jetën e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme kudo. Sa herë që ka një ngjarje tragjike diku në botë, shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhurojnë e dalin vullnetarë në përpjekjet humanitare të Kishës. Rrallëherë nevojitet një thirrje. Në fakt, në disa raste, na u desh t’u kërkonim atyre që do të dilnin vullnetarë, që të prisnin për të udhëtuar për te vendi i shpëtimit derisa ata që po e drejtonin punën, të ishin të përgatitur për t’i pritur ata.
Ajo dëshirë për të bekuar është fryti i njerëzve që janë duke marrë dëshmi për Jezu Krishtin, ungjillin e Tij, Kishën e Tij të rivendosur dhe profetin e Tij. Ajo është arsyeja përse njerëzit e Zotit nuk kanë dyshim dhe frikë. Ajo është arsyeja përse misionarët dalin vullnetarë për shërbim në çdo cep të botës. Ajo është arsyeja përse prindërit luten me fëmijët e tyre për të tjerët. Ajo është arsyeja përse udhëheqësit vendorë i japin sfida rinisë së tyre që ta pranojnë kërkesën e Presidentin Monson për ta zhytur veten e tyre thellësisht në Librin e Mormonit. Fryti vjen jo nga të qenit të nxitur nga udhëheqësit, por nga rinia dhe anëtarët duke vepruar me besim. Ai besim, i vënë në veprim, i cili kërkon sakrificë vetëmohuese, sjell ndryshimin e zemrës, gjë e cila u lejon atyre ta ndiejnë dashurinë e Perëndisë.
Sidoqoftë, zemrat tona mbeten të ndryshuara vetëm për aq kohë sa vazhdojmë ta ndjekim këshillën e profetit. Nëse nuk vazhdojmë të përpiqemi pas një përpjekjeje domethënëse, ndryshimi do të venitet.
Shenjtorët besnikë të ditëve të mëvonshme e kanë shtuar besimin e tyre në Zotin Jezu Krisht, në Librin e Mormonit si fjala e Perëndisë dhe në rivendosjen e çelësave të priftërisë në Kishën e Tij të vërtetë. Ajo dëshmi e rritur na ka dhënë kurajë dhe interesim më të madh për fëmijë të tjerë të Perëndisë. Por sfidat dhe mundësitë përpara, do të kërkojnë edhe më shumë.
Ne nuk mund t’i parashikojmë hollësitë, por e dimë pamjen e përgjithshme të së ardhmes. Ne e dimë se në ditët e fundit, bota do të jetë në rrëmujë. Ne e dimë se në mes të çfarëdo telashi që do të vijë, Zoti do t’i udhëheqë shenjtorët besnikë të ditëve të mëvonshme që t’ia çojnë ungjillin e Jezu Krishtit çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli. Dhe ne e dimë se dishepujt e vërtetë të Zotit do të jenë të denjë dhe të përgatitur për ta pranuar Atë kur Ai të vijë përsëri. Nuk kemi pse të frikësohemi.
Prandaj, ngaqë e kemi formuar tashmë besimin dhe kurajën në zemrat tona, Zoti pret më shumë prej nesh – dhe nga brezat pas nesh. Ata do të kenë nevojë të jenë më të fortë e më të guximshëm, sepse do të bëjnë gjëra edhe më të mëdha e më të rënda nga ç’kemi bërë ne. Dhe ata do të përballen me kundërshtim në rritje nga armiku i shpirtrave tanë.
Udha e optimizmit teksa shkojmë përpara, u dha nga Zoti: “Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë” (DeB 6:36). Presidenti Monson na e tha se si ta bëjmë këtë gjë. Ne duhet t’i përsiatim dhe t’i vëmë në jetë Librin e Mormonit dhe fjalët e profetëve. Lutuni gjithmonë. Jini besues. Shërbejini Zotit me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj. Ne duhet të lutemi me gjithë energjinë e zemrave tona për dhuratën e dashurisë hyjnore, dashurisë së pastër të Krishtit (shih Moroni 7:47–48). Dhe mbi të gjitha, ne duhet të jemi të qëndrueshëm dhe këmbëngulës në ndjekjen e këshillës profetike.
Kur udha është e vështirë, ne mund të mbështetemi te premtimi i Zotit – premtimi që Presidenti Monson na e ka kujtuar kur ai shpesh i ka cituar këto fjalë të Shpëtimtarit: “Kushdo që ju pranon ju, atje do të jem unë gjithashtu, sepse unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart” (DeB 84:88).
Unë dëshmoj se Zoti shkon përpara fytyrës suaj kurdoherë që jeni duke e bërë punën e Tij. Nganjëherë ju do të jeni engjëlli që Zoti e dërgon për t’i ngritur lart të tjerët. Nganjëherë ju do të jeni njeriu i rrethuar nga engjëjt për t’ju ngritur ju lart. Por gjithmonë do ta keni Shpirtin e Tij të jetë në zemrën tuaj, siç ju është premtuar në çdo shërbim të sakramentit. Vetëm ju duhet t’i zbatoni urdhërimet e Tij.
Ditët më të mira janë përpara për mbretërinë e Perëndisë në tokë. Kundërshtimi do ta forcojë besimin tonë te Jezu Krishti, siç e ka forcuar që nga koha e Profetit Jozef Smith. Besimi përherë e mund frikën. Qëndrimi së bashku prodhon unitet. Dhe lutjet tuaja për ata që janë nevojtarë, dëgjohen dhe marrin përgjigje nga një Perëndi i dashur. Ai as nuk dremit, as nuk fle.
Ju jap dëshminë time se Perëndia, Ati, jeton dhe dëshiron që ju të ktheheni në shtëpi tek Ai. Kjo është Kisha e vërtetë e Zotit Jezu Krisht. Ai ju njeh; Ai ju do; Ai kujdeset për ju. Ai shleu për mëkatet tuaja e të mijat dhe për mëkatet e të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor. Ndjekja e Tij në jetën tuaj dhe në shërbimin tuaj ndaj të tjerëve është e vetmja udhë për te jeta e përjetshme.
Për këtë unë dëshmoj dhe ju lë bekimin tim dhe dashurinë time. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.