2010–2019
Marrja mbi Vete e Emrit të Jezu Krishtit
Tetor 2018


2:3

Marrja mbi Vete e Emrit të Jezu Krishtit

Marrshim mbi vete besnikërisht emrin e Jezu Krishtit – duke parë sikurse Ai sheh, duke shërbyer sikurse Ai shërbeu dhe duke mirëbesuar që hiri i Tij mjafton.

Vëllezërit dhe motrat e mia, kohët e fundit, ndërsa përsiatja detyrën e Presidentit Rasëll M. Nelson për ta quajtur Kishën me emrin e saj të zbulesës, u drejtova në shkrimet e shenjta, ku Shpëtimtari i udhëzoi nefitët rreth emrit të Kishës. Ndërsa lexoja fjalët e Shpëtimtarit, më bëri përshtypje mënyra se si Ai gjithashtu u tha njerëzve: “ju duhet të merrni mbi vete emrin e Krishtit”. Kjo më bëri të shoh nga vetja dhe të pyes: “A po e marr mbi vete emrin e Shpëtimtarit siç Ai do të donte të bëja?” Sot do të doja të tregoja disa nga mbresat që kam marrë në përgjigje të pyetjes sime.

Së pari, të marrim mbi vete emrin e Krishtit do të thotë të përpiqemi besnikërisht për të parë sikurse Perëndia sheh. Si sheh Perëndia? Jozef Smithi ka thënë: “Ndërkohë që një pjesë e racës njerëzore e gjykon dhe e dënon pa mëshirë pjesën tjetër, Prindi i Madh i universit e trajton të gjithë familjen njerëzore me kujdes dhe vëmendje atërore” sepse “dashuria e Tij është e pamatshme.”

Pak vite më parë motra ime më e madhe ndërroi jetë. Ajo pati një jetë sfiduese. Ajo pati vështirësi me ungjillin dhe nuk qe kurrë vërtet aktive. Bashkëshorti e braktisi martesën e tyre dhe e la atë me katër fëmijë të vegjël për t’i rritur. Mbrëmjen e vdekjes së saj, në një dhomë me fëmijët e saj të pranishëm, unë i dhashë asaj një bekim për t’u kthyer në shtëpi paqësisht. Në atë çast kuptova se e pata përkufizuar jetën e saj tepër shpesh nisur nga sprovat dhe mosaktivizimi i saj. Ndërsa vura duart mbi kokën e saj atë mbrëmje, unë mora një qortim të ashpër nga Shpirti. E kuptova fort mirë mirësinë e saj dhe m’u lejua ta shihja sikurse Perëndia e shihte – jo si dikë që pati vështirësi me ungjillin dhe jetën por si dikë së cilës iu desh të merrej me probleme të vështira që unë nuk i kisha. Unë e pashë si një nënë të mrekullueshme që, me gjithë pengesat e mëdha, kishte rritur katër fëmijë të mrekullueshëm, mahnitës. Unë e pashë si mikeshën e nënës sonë, që kalonte kohë për t’u përkujdesur e për të qenë shoqëruese e saj pasi babai ynë ndërroi jetë.

Gjatë asaj mbrëmjeje të fundit me motrën time, unë besoj se Perëndia po më pyeste: “A nuk mund ta shohësh që gjithsecili rreth teje është një qenie e shenjtë?”

Presidenti Brigam Jang dha mësim:

“Unë uroj që t’ju mësoj ju shenjtorëve … që t’i kuptoni burrat e gratë siç ata janë dhe jo t’i kuptoni siç jeni vetë.”

Sa shpesh thuhet – ‘Ky njeri ka gabuar dhe nuk mund të jetë shenjtor’. … Ne dëgjojmë disa të shajnë dhe të gënjejnë … [ose] të shkelin Shabatin. … Mos i gjykoni këta persona, pasi ju nuk e dini planin e Zotit lidhur me ta. … [Përkundrazi] jini të durueshëm me ta”.

A mundet ndonjëri nga ju ta përfytyrojë Shpëtimtarin tonë t’ju lërë ju dhe barrët tuaja të kalojnë pa u vënë re prej Tij? Shpëtimtari e vështroi samaritanin, shkelësin e martesës, tagrambledhësin, lebrozin, të sëmurin mendor e mëkatarin me të njëjtin sy. Të gjithë ishin fëmijë të Atit të Tij. Të gjithë ishin të shëlbueshëm.

A mund ta përfytyroni Atë duke i kthyer shpinën dikujt me dyshime rreth vendit të tij në mbretërinë e Perëndisë ose ndonjërit të prekur në çfarëdolloj mënyre? Unë nuk mund ta përfytyroj. Në sytë e Krishtit, çdo shpirt është me vlerë të pafundme. Askush nuk është parashuguruar që të dështojë. Jeta e përjetshme është e mundur për të gjithë.

Nga qortimi i Shpirtit pranë shtratit të motrës sime, unë mora një mësim të madhërishëm: që kur ne shohim sikurse Ai sheh, fitorja jonë do të jetë e dyfishtë – shëlbim i atyre që prekim dhe shëlbim i vetvetes.

Së dyti, që të marrim mbi vete emrin e Krishtit, duhet jo vetëm të shohim siç Perëndia sheh, por duhet të bëjmë punën e Tij dhe të shërbejmë siç shërbeu Ai. Ne i jetojmë dy urdhërimet e mëdha, i nënshtrohemi vullnetit të Perëndisë, mbledhim Izraelin dhe lëmë dritën tonë “të shndritë … para njerëzve”. Ne i marrim dhe i jetojmë besëlidhjet dhe ordinancat e Kishës së Tij të rivendosur. Kur e bëjmë këtë, Perëndia na pajis me forcë për të bekuar veten, familjet tona dhe jetën e të tjerëve. Pyeteni veten: “A njoh ndonjë që nuk ka nevojë për fuqitë e qiellit në jetën e vet?

Perëndia do të bëjë mrekulli midis nesh ndërsa e shenjtërojmë vetveten. Ne e shenjtërojmë vetveten duke pastruar zemrat tona. Ne i pastrojmë zemrat tona ndërsa e dëgjojmë Atë, pendohemi për mëkatet tona, kthehemi në besim, dhe i duam të tjerët sikurse Ai i do. Shpëtimtari na pyeti: “Sepse, po të doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni?”

Kohët e fundit, mësova rreth një përvoje në jetën e Plakut Xhejms E. Talmixh që më bëri të ndalem dhe të shqyrtoj se sa i dua dhe u shërbej atyre që më rrethojnë. Si profesor i ri, përpara se të bëhej Apostull, në kulmin e epidemisë së difterisë vdekjeprurëse të vitit 1892, Plaku Talmixh zbuloi një familje të huajsh, joanëtarë të Kishës, që jetonin pranë tij, të cilët qenë goditur nga sëmundja. Askush nuk donte ta vinte veten në rrezik duke u futur në shtëpinë e infektuar. Plaku Talmixh, gjithsesi, menjëherë u drejtua për tek ajo shtëpi. Gjeti katër fëmijë: një dy vjeç e gjysmë të vdekur në shtrat, një pesëvjeçare dhe një dhjetëvjeçar në dhembje të madhe dhe një trembëdhjetëvjeçare të dobësuar. Prindërit po vuanin me hidhërim e lodhje.

Plaku Talmixh u kujdes për të vdekurit dhe të gjallët, fshiu dhomat, nxori jashtë veshjet e ndotura dhe dogji rreckat e papastra me infeksionin e sëmundjes. Ai punoi gjithë ditën dhe pastaj u rikthye mëngjesin tjetër. Dhjetëvjeçari vdiq gjatë natës. Ai e ngriti dhe e mbajti në krahë pesëvjeçaren. Ajo kollitej duke i hedhur këlbazë të përgjakur kudo në fytyrë dhe në rroba. Ai shkroi: “Nuk mund ta largoja nga vetja” dhe ai e mbajti deri sa ajo vdiq në duart e tij. Ai ndihmoi për varrosjen e të tre fëmijëve dhe siguroi ushqim dhe veshje të pastra për familjen në zi. Kur u kthye në shtëpi, Vëllai Talmixh i hodhi rrobat e tij, u la me tretësirë zinku, u izolua prej familjes së vet dhe kaloi një goditje të lehtë nga sëmundja.

Sa jetë përreth nesh janë në rrezik! Shenjtorët e marrin mbi vete emrin e Shpëtimtarit duke u bërë të shenjtë dhe duke u shërbyer të gjithëve pavarësisht se ku ndodhen dhe si janë – shpëtohen jetë kur ne veprojmë kështu.

Së fundi, Unë besoj se, që të marrim mbi vete emrin e Tij, ne duhet t’i mirëbesojmë Atij. Në një mbledhje ku mora pjesë një të diel, një e re pyeti për diçka të tillë si në vijim: “I dashuri im dhe unë kohët e fundit u ndamë dhe ai zgjodhi ta lërë Kishën. Ai më thotë se ai nuk ka qenë kurrë më i lumtur se tani. Si mund të ndodhë kjo?”

Shpëtimtari iu përgjigj kësaj pyetjeje kur Ai u tha nefitëve: “Por, nëse [jeta juaj] nuk është ndërtuar mbi ungjillin tim dhe është ndërtuar mbi veprat e njerëzve ose mbi veprat e djallit, në të vërtetë, unë ju them juve, [ju do të keni] gëzim në veprat [tuaja] për një stinë dhe së shpejti vjen fundi”. Thjesht nuk ka gëzim të qëndrueshëm jashtë ungjillit të Jezu Krishtit.

Në atë mbledhje, gjithsesi, unë mendova rreth shumë njerëzve të mirë që njoh, të cilët luftojnë me barrë të mëdha dhe urdhërime që më e pakta i trembin ata. E pyeta veten: “Çfarë tjetër mund t’u thoshte Shpëtimtari atyre?” Unë besoj se Ai do të pyeste: “A më mirëbesoni mua?” Gruas me problemin e gjakut, Ai i tha: “Besimi yt të shëroi; shko në paqe!”

Një nga shkrimet e mia të parapëlqyera është: Gjoni 4:4, ku lexohet: “Por duhej të kalonte nëpër Samari”.

Përse më pëlqen ai shkrim i shenjtë? Sepse Jezusi kishte nevojë të shkonte në Samari. Hebrenjtë e kohës së Tij i përçmonin samaritanët dhe kalonin nëpër një rrugë përreth Samarisë. Por Jezusi zgjodhi të shkonte atje për të deklaruar përpara gjithë botës se Ai ishte Mesia i premtuar. Për këtë mesazh, Ai zgjodhi jo vetëm një grup të përjashtuar por gjithashtu edhe një grua – dhe jo një grua çfarëdo, por një grua që jetonte në mëkat – dikë që asaj kohe konsiderohej si më njeriu më i ulët i shoqërisë. Unë besoj se Jezusi e bëri këtë që secili prej nesh të mund të kuptojë gjithmonë se dashuria e Tij është më e madhe se frika jonë, plagët tona, varësitë tona, dyshimet tona, tundimet tona, mëkatet tona, familjet tona të shkatërruara, depresioni dhe ankthet tona, sëmundja jonë kronike, varfëria jonë, keqtrajtimi ynë, dëshpërimi ynë dhe vetmia jonë. Ai do që të gjithë ta dinë se nuk ka asgjë dhe asnjë njeri që Ai nuk mund ta shërojë dhe t’i sjellë gëzim të qëndrueshëm.

Hiri i Tij është i mjaftueshëm. Vetëm Ai zbriti nën të gjitha gjërat. Fuqia e Shlyerjes së Tij është fuqia për të mposhtur çfarëdo barre në jetën tonë. Mesazhi i gruas te pusi është se Ai i di situatat e jetës sonë dhe që ne mund të ecim gjithmonë me Të pavarësisht se ku ndodhemi. Asaj dhe secilit prej nesh, Ai i thotë: “Kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë kurrë etje përjetë; por [do të ketë] një burim uji që gufon në jetë të përjetshme”.

Në çfarëdo pike të udhëtimit tuaj në jetë, përse do largoheshit nga i vetmi Shpëtimtar që ka gjithë fuqinë t’ju shërojë e çlirojë? Çfarëdo çmimi që duhet të paguani për t’i mirëbesuar Atij, ia vlen. Vëllezër dhe motra të mia, le të zgjedhim ta rritim besimin tonë tek Ati Qiellor dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti.

Nga vetë thellësia e shpirtit tim, jap dëshmi që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është Kisha e Shpëtimtarit, e drejtuar nga Krishti i gjallë nëpërmjet një profeti të vërtetë. Lutja ime është që ne do të marrim mbi vete besnikërisht emrin e Jezu Krishtit – duke parë sikurse Ai sheh, duke shërbyer sikurse Ai shërbeu dhe duke mirëbesuar që hiri i Tij mjafton për të na çuar në shtëpi dhe drejt gëzimit të përhershëm. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih 3 Nefi 27:3-8.

  2. Shih 3 Nefi 27:5–6; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 20:77 dhe besëlidhjen e sakramentit.

  3. Shih Dallin H. Oaks, His Holy Name (1998) për një diskutim tërësor rreth marrjes mbi vete dhe të qenit dëshmitarë të emrit të Jezu Krishtit.

  4. Shih Mosia 5:2-3. Pjesë e ndryshimit të madh të zemrës midis njerëzve të Mbretit Beniamin, që morën mbi vete emrin e Krishtit, ishte që atyre iu hapën sytë për [të parë] “vegime të mëdha”. Ata të cilët trashëgojnë mbretërinë çelestiale janë individë që “shohin ashtu siç shihen” (Doktrina e Besëlidhje 76:94).

  5. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 41.

  6. Brigham Young, në Journal of Discourses, 8:37.

  7. Discourses of Brigham Young, përzgj. John A. Widtsoe (1954), f. 278.

  8. Shih 3 Nefi 17:7.

  9. Shih Gjoni 3:14–17; Veprat e Apostujve 10:34; 1 Nefi 17:35; 2 Nefi 26:33; Doktrina e Besëlidhje 50:41–42; Moisiu 1:39. Plaku Tod D. Kristoferson gjithashtu na mësoi: “Me vetëbesim ne dëshmojmë se Shlyerja e Jezu Krishtit e ka paraprirë dhe, më së fundi, do ta dëmshpërblejë gjithë mungesën e mundësive dhe humbjen për ata që kthehen tek Ai. Askush nuk është i paracaktuar që të marrë më pak sesa gjithçka që Ati ka për fëmijët e Tij” (“Përse Martesa, Përse Familja”, Liahona, maj 2015 f. 52).

  10. Shih Mateu 5:14–16; 22:35–40; Mosia 3:19; Doktrina e Besëlidhje 50:13–14; 133:5; shih edhe Rasëll M. Nelson, “Mbledhja e Izraelit të Shpërndarë”, Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006 f. 79-81.

  11. Shih Levitiku 18:4; 2 Nefi 31:5–12; Doktrina e Besëlidhje 1:12–16; 136:4; Nenet e Besimit 1:3–4.

  12. Shih Doktrina e Besëlidhje 84:20–21; 110:9.

  13. Shih Jozueu 3:5; Doktrina e Besëlidhje 43:16; shih edhe Gjoni 17:19. Shpëtimtari e shenjtëroi veten që të kishte fuqi të na bekonte.

  14. Shih Helamani 3:35; Doktrina e Besëlidhje 12:6–9; 88:74.

  15. Shih Jozef Smith—Historia 1:17, urdhërimi i parë që iu dha Profetit Jozef Smith në vegim nga Perëndia; shih edhe 2 Nefi 9:29; 3 Nefi 28:34.

  16. Shih Marku 1:15; Veprat e Apostujve 3:19; Alma 5:33; 42:22–23; Doktrina e Besëlidhje 19:4–20. Gjithashtu përsiatni këto dy meditime mbi mëkatin. Së pari, Hju Nibli shkruan: “Mëkati është të çosh diçka dëm. Është të bësh diçka kur duhet të jesh duke bërë diçka tjetër dhe gjëra më të mira për të cilat e ke aftësinë” (“Zeal without Knowledge” [Zell pa Njohuri], Approaching Zion, f. 66). Nëna e Xhon Ueslit, Suzana Uesli, i shkroi birit të saj: “Përdor këtë rregull. Çfarëdolloj gjëje që e dobëson arsyen tënde, dëmton butësinë e ndërgjegjes tënde, errëson ndjesinë tënde për Perëndinë, që ta heq kënaqësinë nga gjërat shpirtërore; … çfarëdolloj gjëje që e rrit … autoritetin e trupit tënd mbi mendjen tënde; ajo gjë është mëkat për ty, sado e pafajshme të mund të duket në vetvete”.(Susanna Wesley: The Complete Writings, ed. Charles Wallace Jr. [1997], 109).

  17. Shih Lluka 22:32; 3 Nefi 9:11, 20.

  18. Shih Gjoni 13:2–15, 34. Në prag të Shlyerjes së Tij, Shpëtimtari lau këmbët e dikujt që e tradhtoi Atë, të një tjetri që e mohoi Atë dhe madje të të tjerëve që ranë në gjumë në orën kur Ai kishte më shumë nevojë. Ai mandej dha mësim: “Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur”.

  19. Mateu 5:46.

  20. Shih John R. Talmage, T he Talmage Story: Life of James E. Talmage—Educator, Scientist, Apostle (1972), f. 112–114.

  21. Shih Alma 10:22–23; 62:40.

  22. 3 Nefi 27:11.

  23. Te Mateu 11:28, 30, Zoti thotë: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. … Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!” Gjithashtu merrni parasysh 2 Korintasve 12:7–9: Pali përshkruan vuajtjen si një “gjemb në mish”, që ai lutej për ta hequr. Krishti i tha atij: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi”. Shih edhe Ethëri 12:27.)

  24. Shih Mosia 7:33; 29:20; Helamani 12:1; Doktrina e Besëlidhje 124:87.

  25. Shih Lluka 8:43–48; Marku 5:25–34. Gruaja me problemin e gjakut ishte në nevojë të dëshpëruar dhe pa zgjidhje. Ajo vuante që prej 12 vjetësh dhe i kishte shpenzuar të gjitha paratë me mjekët dhe po bëhej më keq. E dëbuar nga njerëzit dhe familja e saj, ajo me synim çau rrugën nëpër një turmë të madhe dhe shkoi me vrull te Shpëtimtari. Ajo kishte mirëbesim dhe besim të plotë te Shpëtimtari dhe Ai e ndjeu prekjen e saj te cepi i rrobës së Tij. Prej atij besimi, Ai e shëroi atë menjëherë dhe tërësisht. Ai mandej e thirri atë “bijë”. Ajo nuk ishte më një e dëbuar, por anëtare e familjes së Perëndisë. Shërimi i saj ishte fizik, shoqëror, emocional dhe shpirtëror. Sfidat mund të zgjatin me vite ose një jetë, por premtimi i Tij për shërim është i sigurt dhe absolut.

  26. Shih Lluka 4:21; Gjoni 4:6-26. Lluka, jo Gjoni, shënon se herët në shërbesën e Jezusit, Ai shkoi te vetë sinagoga e Tij në Nazaret, lexoi një pjesë nga Isaia që profetizon për Mesian dhe pastaj deklaroi: “Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja”. Kjo është hera e parë e shënuar në anal që Shpëtimtari flet për Veten si Mesia. Sidoqoftë, te pusi i Jakobit, Gjoni shënon herën e parë që Jezusi e deklaron në një forum të hapur se është Mesia. Në këtë mjedis, duke qenë se samaritanët konsideroheshin si johebrenj, Jezusi dha mësim gjithashtu se ungjilli i Tij ishte për të gjithë, për hebrenjtë dhe për johebrenjtë. Kjo deklaratë ndodh në “orën gjashtë” ose në mesditë, kur toka merr dritën e saj të plotë nga dielli. Pusi i Jakobit është gjithashtu në luginën mu pranë vendit ku Izraeli i lashtë bëri besëlidhje ceremoniale me Zotin pasi hyri në tokën e premtuar. Interesante, në një anë të luginës është një mal i thatë dhe në anën tjetër është një mal plot burime uji jetëdhënës.

  27. Plaku Nill A. Maksuell dha mësim: “Kur në situata stresi themi me vete a kemi gjë tjetër për të dhënë, ne mund të ngushëllohemi nga dija se Perëndia, që e njeh aftësinë tonë përsosurisht, na vuri këtu që të arrijmë sukses. Asnjë nuk është parashuguruar që të dështojë a të jetë i lig. … Kur ndihemi të dërrmuar, le të kujtojmë sigurinë që Perëndia nuk do të na mbingarkojë” (“Meeting the Challenges of Today” [Brigham Young University devotional, 10 tetor 1978], speeches.byu.edu).

  28. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:

    “Në një kohë të ardhme, ju do të paraqiteni përpara Shpëtimtarit. Do të jeni aq të tronditur që do të jeni në praninë e Tij të shenjtë, sa do të përloteni. Zor se do të gjeni dot fjalë për ta falënderuar Atë që pagoi për mëkatet tuaja, që ju fali për ndonjë sjellje të vrazhdë ndaj të tjerëve, që ju shëroi nga lëndimet dhe padrejtësitë e kësaj jete.

    Do ta falënderoni Atë që ju forcoi për të bërë të pamundurën, që i ktheu dobësitë tuaja në forcë dhe që e bëri të mundur për ju të jetoni me Të dhe me familjen tuaj përgjithmonë. Identiteti i Tij, Shlyerja e Tij dhe tiparet e Tij do të bëhen vetjake dhe të vërteta për ju”. (“Profetët, Udhëheqja dhe Ligji Hyjnor” [takimi shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 8 janar 2017], broadcasts.lds.org.

  29. Shih Isaia 53:3–5; Alma 7:11–13; Doktrina e Besëlidhje 122:5-9.

  30. Shih Jozef Smith – Historia 1:17; Elen S. Dalton, “Ai ju Njeh me Emër”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2005.

  31. Gjoni 4:14.