Si Mund ta Kuptoj Unë?
Kur kërkojmë ta mësojmë e t’ia japim mësim njëri-tjetrit ungjillin e Jezu Krishtit me zell, përzemërsisht, vendosmërisht dhe çiltërsisht, këto mësime mund t’i shndërrojnë zemrat.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, çfarë gëzimi i madh është që të jemi këtu sërish së bashku, në këtë konferencë të përgjithshme të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nën drejtimin e profetit tonë të dashur, Presidentit Rasëll M. Nelson! Unë ju dëshmoj se do të kemi privilegjin të dëgjojmë zërin e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit nëpërmjet mësimeve të njerëzve që luten, këndojnë dhe flasin rreth nevojave të kohës sonë në këtë konferencë.
Siç shënohet te libri Veprat e Apostujve, Filip ungjilltari, ia mësoi ungjillin një etiopasi, i cili ishte një eunuk, përgjegjës për të gjitha thesaret që i përkitnin mbretëreshës së Etiopisë. Ndërkohë që po kthehej në Jerusalem pas adhurimit, ai lexoi librin e Isaias. I nxitur nga Shpirti, Filipi iu afrua dhe i tha: “A e kupton atë që lexon?”
[Eunuku] tha: ‘E si do të mundja, po s’pata një që të më udhëzojë?’ …
Atëherë e mori fjalën Filipi dhe, duke filluar nga ky [s]hkrim, i shpalli Jezusin.”
Pyetja e bërë nga ky burrë etiopas është një kujtues për mandatin hyjnor që të gjithë ne e kemi, që të kërkojmë ta mësojmë dhe t’ia japim mësim njëri-tjetrit ungjillin e Jezu Krishtit. Në fakt, në kontekstin e të mësuarit dhe mësimdhënies së ungjillit, ne nganjëherë jemi si etiopasi – kemi nevojë për ndihmën e një mësuesi besnik dhe të frymëzuar dhe, nganjëherë jemi si Filipi – kemi nevojë që t’i mësojmë e t’i forcojmë të tjerët gjatë kthimit të tyre në besim.
Qëllimi ynë ndërsa kërkojmë ta mësojmë e ta japim mësim ungjillin e Jezu Krishtit, duhet të jetë që ta rritim besimin te Perëndia dhe te plani i Tij hyjnor i lumturisë dhe te Jezu Krishti dhe flijimi i Tij shlyes dhe që të arrijmë një kthim të përhershëm në besim. Një besim dhe një kthim i tillë më i thellë në besim do të na ndihmojë që t’i bëjmë e t’i mbajmë besëlidhjet me Perëndinë, duke e forcuar kështu dëshirën tonë për ta ndjekur Jezusin dhe duke sjellë një shndërrim të çiltër shpirtëror brenda nesh – me fjalë të tjera, duke na shndërruar në një krijesë të re, siç u dha mësim nga Apostulli Pal te letra e tij drejtuar korintasve. Ky shndërrim do të na sjellë një jetë më të lumtur, më frytdhënëse dhe më të shëndetshme dhe do të na ndihmojë që të mbajmë një këndvështrim të përjetshëm. A nuk i ndodhi pikërisht kështu eunukut etiopas pasi mësoi rreth Shpëtimtarit dhe u kthye në besim tek ungjilli i Tij? Shkrimi i shenjtë thotë se ai “e vazhdoi rrugën e tij me plot gëzim”.
Urdhërimi për ta mësuar ungjillin dhe për t’ia dhënë mësim njëri-tjetrit nuk është i ri; ai është përsëritur vazhdimisht që në fillesat e historisë së njerëzimit. Në një rast të veçantë, ndërkohë që Moisiu dhe populli i tij ishin në fushat e Moabit përpara se të hynin në tokën e premtuar, Zoti e frymëzoi atë që ta këshillonte popullin e tij në lidhje me përgjegjësinë e tyre për të mësuar statutet dhe besëlidhjet që kishin marrë nga Zoti, dhe për t’ua mësuar ato pasardhësve të tyre, shumë nga të cilët nuk e kishin përjetuar vetë kalimin e Detit të Kuq ose zbulesën që u dha në malin Sinai.
Moisiu e këshilloi popullin e tij:
“O Izrael, dëgjo statutet dhe dekretet që po ju mësoj, që t’i zbatoni në praktikë, të jetoni dhe të shtini në dorë vendin që Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ju jep. …
… Ua mësoni bijve tuaj dhe bijve të bijve tuaj.”
Më pas, Moisiu e mbylli duke thënë: “Respekto pra statutet dhe urdhërimet e tij që unë po të jap sot, që të jetosh në begati ti dhe bijtë e tu mbas teje dhe të zgjatësh ditët e tua në vendin që Zoti, Perëndia i yt, po të jep për gjithnjë”.
Profetët e Perëndisë kanë udhëzuar vazhdimisht se ne kemi nevojë që t’i rritim familjet tona “në disiplinë dhe në këshillë të Zotit” dhe “në dritë e të vërtetë”. Presidenti Nelson kohët e fundit tha: “Në këtë ditë imoraliteti të tërbuar dhe pornografie ngjitëse, prindërit kanë një përgjegjësi të shenjtë për t’u mësuar fëmijëve të tyre rëndësinë e Perëndisë [dhe Jezu Krishtit] në jetën e tyre”.
Vëllezër dhe motra, paralajmërimi i profetit tonë të dashur është një kujtues i mëtejshëm për përgjegjësinë tonë individuale, që të kërkojmë ta mësojmë dhe t’u mësojmë familjeve tona se ka një Atë në Qiell që na do dhe që ka krijuar një plan hyjnor lumturie për fëmijët e Tij, se Jezu Krishti, Biri i Tij, është Shëlbuesi i botës dhe se shpëtimi vjen nëpërmjet besimit në emrin e Tij. Jeta jonë duhet të jetë e rrënjosur në shkëmbin e Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit, gjë që mund të na ndihmojë individualisht dhe si familje që t’i gdhendim në zemër mbresat tona shpirtërore vetjake, që të na ndihmojë të durojmë në besimin tonë.
Juve mund t’ju kujtohet se dy dishepuj të Gjon Pagëzorit e ndoqën Jezu Krishtin pasi e dëgjuan dëshminë e Gjonit se Jezusi ishte Qengji i Perëndisë, Mesia. Këta burra të mirë e pranuan ftesën e Jezusit: “Ejani e shikoni” dhe qëndruan me Të atë ditë. Ata arritën ta njihnin se Jezusi ishte Mesia, Biri i Perëndisë, dhe e ndoqën Atë gjithë jetën e vet.
Në mënyrë të ngjashme, kur e pranojmë ftesën e Shpëtimtarit: “Ejani e shikoni”, ne kemi nevojë të qëndrojmë me Të, duke e zhytur veten në shkrimet e shenjta, duke gjetur gëzim në to, duke mësuar doktrinën e Tij dhe duke u përpjekur për të jetuar ashtu si jetoi Ai. Vetëm atëherë do të arrijmë ta njohim Atë, Jezu Krishtin, dhe ta dallojmë zërin e Tij, duke e ditur se ndërsa vijmë tek Ai dhe besojmë në Të, ne nuk do të kemi kurrë uri apo etje. Ne do të jemi në gjendje të dallojmë të vërtetën në të gjitha rastet, siç ndodhi me ata dy dishepuj që qëndruan me Jezusin atë ditë.
Vëllezër dhe motra, kjo nuk ndodh rastësisht. Harmonizimi i vetes me ndikimet më të larta të perëndishmërisë nuk është një gjë e lehtë; ajo kërkon t’i bëjmë thirrje Perëndisë dhe të mësojmë se si ta sjellim ungjillin e Jezu Krishtit në qendër të jetës sonë. Nëse e bëjmë këtë, unë ju premtoj, se ndikimi i Frymës së Shenjtë do t’i sjellë të vërtetën zemrës dhe mendjes sonë dhe do të japë dëshmi për të, duke na i mësuar të gjitha gjërat.
Pyetja e etiopasit: “E si do të mundja [të kuptoja], po s’pata një që të më udhëzojë?”, ka gjithashtu një domethënie të veçantë në kontekstin e përgjegjësisë sonë individuale, që t’i vëmë në zbatim në jetën tonë parimet e ungjillit që kemi mësuar. Për shembull, në rastin e etiopasit, ai veproi sipas të vërtetës që mësoi nga Filipi. Ai kërkoi që të pagëzohej. Ai arriti ta njihte se Jezu Krishti ishte Biri i Perëndisë.
Vëllezër dhe motra, veprimet tona duhet të pasqyrojnë atë që mësojmë dhe atë që japim mësim. Ne na duhet t’i tregojmë bindjet tona fetare nëpërmjet mënyrës se si jetojmë. Mësuesi më i mirë është një njeri që është shembull i mirë. Kur japim mësim diçka që e jetojmë vërtetë, mund të bëjë një ndryshim në zemrën e atyre që u japim mësim. Nëse dëshirojmë që njerëzit, qoftë një familjar ose jo, t’i çmojnë me gëzim shkrimet e shenjta dhe mësimet e apostujve dhe profetëve të gjallë të kohës sonë, ata kanë nevojë të shohin që shpirtrat tanë gjejnë kënaqësi në to. Në mënyrë të ngjashme, nëse duam që ata ta dinë se Presidenti Rasëll M. Nelson, është profeti, shikuesi dhe zbuluesi në kohën tonë, kanë nevojë të na shohin duke e ngritur dorën për ta mbështetur atë dhe të kuptojnë se ne i zbatojmë mësimet e tij të frymëzuara. Ashtu sikurse thotë edhe thënia e njohur amerikane: “Veprat flasin më shumë se fjalët”.
Ndoshta disa prej jush gjenden pikërisht në këtë çast duke e pyetur veten: “Plaku Soares, kam qenë duke i bërë të gjitha këto gjëra dhe kam qenë duke e ndjekur këtë shembull si individualisht edhe si familje, por fatkeqësisht, disa nga miqtë e mi ose njerëzit e mi të dashur janë larguar nga Zoti. Çfarë duhet të bëj?” Për ata prej jush që tani po përjetojnë këto ndjenja trishtimi, agonie, e mbase keqardhjeje, ju lutem dijeni, se ata nuk kanë humbur plotësisht, sepse Zoti e di se ku janë dhe po kujdeset për ta. Mos harroni: edhe ata janë fëmijët e Tij!
Është e vështirë t’i kuptosh të gjitha arsyet se përse disa njerëz marrin një shteg tjetër. Gjëja më e mirë që mund të bëjmë në këto rrethana është thjesht t’i duam e t’i përqafojmë ata, të lutemi për mirëqenien e tyre dhe të kërkojmë ndihmën e Zotit për të ditur se çfarë të bëjmë dhe të themi. Gëzoni me sinqeritet me ta për arritjet e tyre; jini miqtë e tyre dhe shihni anën e tyre të mirë. Ne nuk duhet të heqim kurrë dorë prej tyre, por ta ruajmë marrëdhënien tonë. Kurrë mos i refuzoni apo t’i gjykoni shtrembër! Thjesht duajini ata! Shëmbëlltyra e djalit plëngprishës na mëson se kur fëmijët vijnë në vete, ata shpesh dëshirojnë që të kthehen në shtëpi. Nëse njerëzve tuaj të dashur u ndodh kështu, mbushini zemrat tuaja me dhembshuri, lëshohuni vrap, hidhiuni në qafë dhe puthini ata, ashtu siç bëri i ati i djalit plëngprishës.
Së fundi, vazhdoni të jetoni një jetë të denjë, jini një shembull i mirë për ta rreth asaj që besoni dhe afrohuni më shumë me Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Ai i njeh dhe i kupton hidhërimet dhe dhembjet tona më të thella, dhe Ai do t’ju bekojë në përpjekjet dhe përkushtimin tuaj ndaj njerëzve tuaj të dashur, në mos në këtë jetë, në jetën tjetër. Vëllezër e motra, kujtoni gjithmonë se shpresa është një pjesë e rëndësishme e planit të ungjillit.
Përgjatë viteve të shumta të shërbimit në Kishë, kam parë anëtarë besnikë që i kanë vënë në zbatim në mënyrë të vazhdueshme këto parime në jetën e tyre. I tillë është rasti i një nëne beqare, së cilës do t’i drejtohem me emrin “Meri”. Fatkeqësisht, Meri kaloi një shkurorëzim tragjik. Në atë çast të jetës, Meri kuptoi se vendimet e saj më vendimtare që kishin lidhje me familjen e vet duhej të ishin shpirtërore. A do të vazhdonin të ishin të rëndësishme për të vallë bërja e lutjeve, studimi i shkrimeve të shenjta, agjërimi dhe pjesëmarrja në kishë dhe në tempull?
Meri kishte qenë gjithmonë besnike, dhe në atë çast vendimtar, ajo vendosi që të kapej pas asaj që tashmë e dinte se ishte e vërtetë. Ajo gjeti forcë te dokumenti: “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ku mes shumë parimeve të mrekullueshme, na mëson se, “prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi” dhe për t’i mësuar ata që gjithmonë t’i zbatojnë urdhërimet e Perëndisë. Ajo kërkonte vazhdimisht përgjigje nga Zoti dhe ua tregonte ato katër fëmijëve të saj në çdo rrethanë familjare. Ata diskutonin shpesh për ungjillin dhe ia shprehnin përvojat dhe dëshmitë e tyre njëri-tjetrit.
Pavarësisht hidhërimeve që kaluan, fëmijët e saj zhvilluan një dashuri për ungjillin e Krishtit dhe një dëshirë për të shërbyer dhe për ta ndarë atë me të tjerët. Tre prej tyre shërbyen me besnikëri në misione kohëplota dhe më i riu në moshë po shërben tani në Amerikën Jugore. Bija e saj më e madhe, të cilën e njoh mjaft mirë, e cila tani është martuar dhe është e fortë në besimin e saj, u shpreh: “Kurrë nuk kam ndier që nëna ime na rriti e vetme, sepse Zoti ishte gjithnjë [i pranishëm] në shtëpinë tonë. Ndërsa ajo na jepte dëshmi për Të, secili prej nesh filloi t’i drejtohej Atij me pyetjet e veta. Jam shumë mirënjohëse që ajo e bëri ungjillin të prekshëm [për ne].”
Vëllezër e motra kjo nënë e mirë qe në gjendje ta bënte shtëpinë e saj një vatër të të mësuarit shpirtëror. Të njëjtën pyetje si etiopasi, Meri ia bëri vetes disa herë: “Si do të mësojnë fëmijët e mi po të mos kenë nënën që t’i udhëzojë?”
Bashkëudhëtarët e mi të dashur në ungjill, unë ju dëshmoj se kur kërkojmë ta mësojmë e t’ia japim mësim njëri-tjetrit ungjillin e Jezu Krishtit me zell, përzemërsisht, vendosmërisht dhe çiltërsisht, me qëllim të vërtetë dhe nën ndikimin e Shpirtit, këto mësime mund t’i shndërrojnë zemrat dhe të ndezin një dëshirë për të jetuar sipas të vërtetave të Perëndisë.
Unë dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës. Ai është Shëlbuesi, dhe Ai jeton. Unë e di, Ai e drejton Kishën e Tij nëpërmjet profetëve, shikuesve dhe zbuluesve të Tij. Unë ju dëshmoj gjithashtu se Perëndia jeton, se Ai na do. Ai dëshiron që ne të kthehemi në praninë e Tij – të gjithë ne. Ai i dëgjon lutjet tona. Unë jap dëshminë time për këto të vërteta, në emrin e Jezu Krishtit, amen.