2010–2019
Duke u Ushqyer me Bollëk me Fjalët e Krishtit
Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2019


2:3

Duke u Ushqyer me Bollëk me Fjalët e Krishtit

Ushqyerja me bollëk me fjalët e Krishtit mund të ndodhë në çdo kohë dhe në çdo rast nëse ne e përgatitim zemrën.

Ati ynë Qiellor na do. Ai na ka ofruar një plan të përkryer që të gëzojmë bekimet e Tij. Në këtë jetë, jemi të gjithë të ftuar të vijmë te Krishti dhe të marrim ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit nëpërmjet pagëzimit, duke marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe duke e jetuar ungjillin besnikërisht. Nefi e përshkruan zotimin tonë për t’u pagëzuar si hyrje në një “shteg të ngushtë dhe të ngushtuar”, dhe na kujton të vazhdojmë të “shko[jmë] përpara me një vendosmëri në Krisht, … duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duro[jmë] deri në fund”, me qëllim që të marrim të gjitha bekimet që Ati Qiellor ka rezervuar për ne (2 Nefi 31:19–20).

Nefi më tej na kujton se nëse do të “ushqeh[emi] me bollëk me fjalët e Krishtit”, ato “do [të na] tregojnë të gjitha gjërat që duhet të bë[jmë]” (2 Nefi 32:3) dhe që ne do të forcohemi për t’i mposhtur “shigjetat e flakta të kundërshtarit” (1 Nefi 15:24).

Çfarë Është Ushqyerja me Bollëk?

Kur isha i vogël, mendoja se ushqyerja me bollëk ishte thjesht pasja e një vakti të bollshëm me oriz, sushi dhe salcë soje. Tani e di se ushqyerja e vërtetë me bollëk është më shumë se të shijosh një vakt të shijshëm. Ajo është një përvojë gëzimi, edukimi, kremtimi, dhënieje, shprehjeje dashurie për familjet e të dashurit, komunikimi të falënderimeve tona Perëndisë dhe ndërtim marrëdhëniesh ndërsa gëzojmë ushqim të bollshëm e tejet të shijshëm. Unë besoj se kur ushqehemi me bollëk me fjalët e Krishtit, ne duhet të mendojmë për të njëjtën lloj përvoje. Ushqyerja me bollëk me shkrimet e shenjta nuk është thjesht t’i lexosh ato. Ajo duhet të na sjellë gëzim të vërtetë dhe të ndërtojë marrëdhënien tonë me Shpëtimtarin.

Kjo mësohet qartësisht në Librin e Mormonit. Kujtojeni ëndrrën e Lehit ku ai pa një pemë, “fruti i së cilës [është] i dëshirueshëm për ta bërë dikë të lumtur”. Kjo frutë përfaqëson dashurinë e Perëndisë, dhe ndërsa Lehi shijon frutën, “ishte më [e] ëmbël se gjithçka që [ai] kish[te] shijuar ndonjëherë më parë”. Ai e “mbushi shpirtin [e tij] me një gëzim jashtëzakonisht të madh” dhe është diçka që ai dëshiron ta ndajë me familjen e tij (1 Nefi 8:10–12).

Kur ushqehemi me bollëk, me gjasë do të shohim gjithashtu se sasia ose lloji i ushqimit që kemi mund të mos ketë rëndësi nëse zemra jonë është e mbushur me mirënjohje. Familja e Lehit jetonte me mish të gjallë në vendin e shkretë, por Nefi e përshkroi këtë sprovë të vështirë, duke thënë: “Kaq të mëdha qenë bekimet e Zotit” saqë “gratë tona … ishin të forta” dhe qenë në gjendje “t’i duronin udhëtimet e tyre pa mërmëritje” (1 Nefi 17:1–2).

Ushqyerja me bollëk ndonjëherë përfshin bërjen e eksperimenteve dhe të shijuarin. Alma flet rreth farës së mirë që mbillet në zemrën tonë. Ndërsa eksperimentojmë me të, do të kuptojmë që fara fillon “të jetë e këndshme” (shih Alma 32:28–33).

Duke u Ushqyer me Bollëk me Fjalët e Krishtit

Bekimet e ushqyerjes me bollëk me fjalët e Krishtit janë të fuqishme dhe të ndryshojnë jetën. Ka në veçanti tri [bekime] që do të desha t’ju ftoj t’i zbatoni në jetën tuaj.

Së pari, fjalët e Krishtit mund të na ndihmojnë “të rrit[im] aftësinë [tonë] shpirtërore për të marrë zbulesë” (Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 96) dhe të na udhëheqin të sigurt gjatë jetës sonë. Mormoni jep mësim se fjalët e Krishtit kanë “një prirje të madhe ta ço[jnë] popullin të bë[jë] atë që [është] e drejtë”, dhe që ato janë më të fuqishme se çdo gjë që mund të përmbushë “shpata” (Alma 31:5). Kur e kam kërkuar urtësinë e Perëndisë gjatë përballjes me vetë sfidat e mia, gjithmonë, kurdoherë që e kam provuar “virtytin e fjalës së Perëndisë” (Alma 31:5), jam ndier i frymëzuar dhe i aftësuar të marr vendime të urta, t’i mposht tundimet, dhe ta bekoj jetën time me besim më të madh te Krishti dhe dashuri më të madhe për ata rreth meje. Profeti ynë, Rasëll M. Nelson, na ka mësuar se “në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë” (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, f. 96). Zbulesa e nevojshme do të vijë ndërsa ne e provojmë “virtytin e fjalës”, dhe që fjala do të jetë më e fuqishme se çdo gjë tjetër që mund të provojmë apo përfytyrojmë.

Së dyti, kur kemi probleme me vetë identitetin tonë dhe mungesën e respektit për veten, “fjal[a] e këndshme [e] Perëndisë” (Jakobi [LiM] 2:8) në shkrimet e shenjta do të na ndihmojë të dimë cilët jemi në të vërtetë dhe do të na japë forcë përtej forcës sonë. Njohja e identitetit tim si fëmijë i Perëndisë ishte një nga çastet më të lumtura që kam përjetuar ndonjëherë. Në vitet e mia të hershme të adoleshencës, nuk dija asgjë rreth mësimeve të Shpëtimtarit. Kur e lexova për herë të parë Dhiatën e Re, fjalët e Krishtit vërtet e shëruan shpirtin tim të plagosur. Kuptova se nuk isha vetëm dhe se unë jam një fëmijë i Perëndisë. Kur e njoha identitetin tim të vërtetë përpara Perëndisë, e kuptova potencialin tim të pafund nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit.

Enosi po ashtu tregoi përvojën e tij vetjake të ndriçimit të mendjes që vjen nga studimi i thellë i fjalëve të Krishtit. Ndërsa Enosi i lejoi fjalët që babai i tij i mësoi lidhur me “jetën e përjetshme dhe me gëzimin e shenjtorëve, [të] hyn[in] thellë në zemrën [e tij]”, shpirti i tij “ishte i uritur; dhe [ai] u gjunjëz[ua] para Krijuesit [të tij] … në lutje të fuqishme” (Enosi 1:3–4). Në atë lutje ai arriti ta njihte Shpëtimtarin dhe mësoi se ne kemi vlerë të madhe, na duan dhe mund të falemi për mëkatet tona dhe jemi vërtet fëmijë të Perëndisë.

Së treti, ne mund t’ua përmirësojmë jetën të tjerëve nëpërmjet fjalëve të Krishtit. Pikërisht sikurse Enosi pati kohën dhe vendin e vet ku fjalët e Krishtit ia prekën zemrën, Zoti do të bëjë pjesën e Tij për të prekur zemrën e atyre tek të cilët dëshirojmë ta përhapim ungjillin. Shumë nga ne mund të jemi ndier të shkurajuar kur u përpoqëm të ftonim dikë që ta dëgjonte ungjillin ngaqë rezultati që donim nuk erdhi. Pavarësisht nga rezultati, Zoti na fton ta hapim gojën dhe ta ndajmë mesazhin e ungjillit me të tjerë.

Dy vjet më parë, Zoti ia preku zemrën nënës sime të dashur, gjë që e ndihmoi të vendoste të merrte ordinancën e pagëzimit. Kisha pritur për gati 35 vjet që ajo ditë të vinte. Me qëllim që ajo ta merrte atë vendim, shumë anëtarë të Kishës i dhanë asaj shërbesë vërtet siç do t’i jepte Krishti. Një të diel, ajo ndjeu se duhej të shkonte në kishë. E ndoqi nxitjen. Ndërkohë që ishte ulur në rreshtin e parë dhe priste të fillonte shërbimi i sakramentit, një djalë katërvjeçar qëndroi përpara saj dhe e vështroi. Ajo e përshëndeti me një buzëqeshje. Djali i vogël u largua nga ajo befas dhe shkoi përsëri te ndenjësja e tij, që ishte në anën tjetër të rreshtit ku ishte ulur nëna ime. Ky djalë i vogël mori diçka te ndenjësja e tij e u rikthye dhe i dha nënës sime një libër himnesh dhe shkoi përsëri te ndenjësja e vet. Nëna ime vuri re që libri i himneve ishte vendosur në çdo ndenjëse tjetër në kishë. Ajo lehtësisht mund të kishte marrë një nga ndenjësja përbri saj. Sidoqoftë, asaj i bëri shumë përshtypje veprimi i dëlirë i mirësisë së djalit, që ai e kishte mësuar në shtëpinë e tij dhe në kishë. Ishte një çast prekës për të. Ajo pati një përshtypje të fortë se Perëndia po e ftonte të vinte dhe ta ndiqte Shpëtimtarin. Ajo ndjeu se duhej të pagëzohej. Ky djalë i vogël nuk kërkoi vlerësim për atë çka bëri, por ai thjesht bëri më të mirën e vet që ta jetonte fjalën e Perëndisë dhe ta donte të afërmin. Mirësia e tij krijoi një ndryshim të rëndësishëm në zemrën e nënës sime.

Fjalët e Krishtit do ta prekin thellësisht zemrën dhe do t’ua hapin sytë atyre që ende nuk e shohin Atë. Rrugës për në Emaus, dy dishepuj ecën me Jezusin. Ata ishin të dëshpëruar dhe nuk e kuptonin që Shpëtimtari pati ngadhënjyer mbi vdekjen. Në hidhërimin e tyre, ata nuk kuptuan që Krishti i gjallë po ecte me ta. Edhe pse Jezusi “u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij”, ata përsëri nuk e dalluan Atë si Shpëtimtarin e ringjallur derisa u ulën dhe ndanë bukën me Të. Atëherë “sytë” e tyre u hapën. Teksa ne – ose miqtë, të njohurit dhe të afërmit tanë – ushqehemi me bollëk dhe ndajmë bukën me Të, sytë tanë të të kuptuarit do të hapen. Kur dishepujt në Emaus menduan për kohën e tyre me Shpëtimtarin e ringjallur, ata thanë se zemra u digjej përbrenda ndërsa Ai u hapte shkrimet e shenjta (shih Lluka 24:27–32). Kjo do të jetë e vërtetë për të gjithë ne.

Përfundimi

Në mbyllje, jap dëshmi se ushqyerja me bollëk me fjalët e Krishtit mund të ndodhë në çdo kohë dhe në çdo rast nëse ne e përgatitim zemrën për t’i pranuar ato. Ushqyerja me bollëk me fjalët e Krishtit do të sjellë zbulesë që mbështet jetën, do të rivërtetojë identitetin tonë të vërtetë dhe denjësinë përpara Perëndisë si fëmijë të Tij, dhe do t’i udhëheqë miqtë tanë drejt Krishtit dhe jetës së përjetshme. Më lejoni të përfundoj duke e përsëritur ftesën që bëri Nefi kur tha: “Ju duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme” (2 Nefi 31:20). Në emrin e Jezu Krishtit, amen.