Jezu Krishti Është Forca e Rinisë
Vëreni mirëbesimin te Jezu Krishti. Ai do t’ju udhëheqë në udhën e drejtë. Ai është forca juaj.
Gjatë përgatitjes për këtë mesazh sot, kam ndier nxitje të forta për t’iu drejtuar të rejave dhe të rinjve.
Gjithashtu po u flas atyre që dikur ishin të rinj, si dhe atyre që nuk e kujtojnë më rininë e tyre.
Dhe u flas të gjithëve që i duan të rinjtë e të rejat dhe dëshirojnë që ata të kenë sukses në jetë.
Për brezin e ri, unë kam një mesazh veçanërisht për ju nga Shpëtimtari juaj, Jezu Krishti.
Mesazhi i Shpëtimtarit për Ju
Miqtë e mi të dashur, të rinj në moshë, nëse Shpëtimtari do të ishte këtu pikërisht tani, çfarë do t’ju thoshte Ai?
Besoj se do ta fillonte duke shprehur dashurinë e Tij të thellë për ju. Ai mund ta thoshte këtë me fjalë, por ajo do të rridhte gjithashtu aq fuqishëm, thjesht nga prania e Tij, që do të ishte e pagabueshme, duke depërtuar thellë në zemrën tuaj, duke e mbushur tërë shpirtin tuaj!
Dhe prapëseprapë, ngaqë jemi të gjithë të dobët dhe të papërsosur, disa shqetësime mund të fillojnë të zvarriten në mendjen tuaj. Mund të sillni ndërmend gabime që i keni bërë, raste kur ju dorëzuat tundimit, gjëra që do të donit të mos i kishit bërë ose do të donit t’i kishit bërë më mirë.
Shpëtimtari do ta ndiente atë dhe unë besoj se Ai do t’ju siguronte me fjalët që ka thënë në shkrimet e shenjta:
“Mos kini frikë”1.
“Mos dyshoni.”2
“Merrni zemër.”3
“Zemra juaj mos u trondittë.”4
Nuk mendoj se Ai do nxirrte justifikime për gabimet tuaja. Nuk do ta zvogëlonte rëndësinë e tyre. Jo, Ai do t’ju kërkonte të pendoheshit, t’i linit pas mëkatet tuaja, të ndryshonit, që Ai të mund t’ju falte. Do t’ju kujtonte që 2 000 vjet më parë Ai i mori ato mëkate mbi veten e Tij që ju të mund të pendoheni. Kjo është pjesë e planit të lumturisë që na është dhuruar nga Ati ynë i dashur Qiellor.
Jezusi mund të vërë në dukje se besëlidhjet tuaja me Të, të bëra kur u pagëzuat dhe të ripërtërira çdo herë që merrni sakramentin, ju japin një lidhje të veçantë me Të. Atë lloj lidhjeje që shkrimet e shenjta e përshkruajnë si të qenit të lidhur së bashku në zgjedhë, në mënyrë që, me ndihmën e Tij, ju të mund të mbartni çfarëdolloj barre.5
Unë besoj se Shpëtimtari Jezu Krisht do të donte që ju ta shihni, ndieni dhe dini se Ai është forca juaj. Se me ndihmën e Tij, nuk ka kufij për atë që mund të përmbushni. Se potenciali juaj është i pakufishëm. Ai do të donte që ju ta shihni veten tuaj ashtu siç ju sheh Ai. Dhe kjo është shumë e ndryshme nga mënyra se si ju sheh bota.
Shpëtimtari do të shpallte, në mënyrë aspak të dyshimtë, se jeni një bijë ose bir i Perëndisë së Plotfuqishëm. Ati juaj Qiellor është qenia më e lavdishme në univers, plot dashuri, gëzim, pastërti, shenjtëri, dritë, hir e të vërtetë. Dhe një ditë Ai dëshiron që ju të trashëgoni gjithçka që Ai ka.6
Kjo është arsyeja përse jeni në tokë, për të mësuar, për t’u rritur, për të përparuar e për t’u bërë gjithçka për të cilën Ati juaj në Qiell ju ka krijuar.
Për ta bërë këtë të mundur, Ai dërgoi Jezu Krishtin që të ishte Shpëtimtari juaj. Ky është qëllimi i planit të Tij të madhërishëm për lumturinë, i Kishës së Tij, i priftërisë së Tij, i shkrimeve të shenjta, i gjithçkaje.
Ai është fati juaj hyjnor. Ajo është e ardhmja juaj. Kjo është zgjedhja juaj!
E Vërteta dhe Zgjedhjet
Në qendër të planit të Perëndisë për lumturinë tuaj është fuqia juaj për të zgjedhur.7 Sigurisht, Ati juaj Qiellor dëshiron që ju të zgjidhni gëzimin e përjetshëm me Të dhe Ai do t’ju ndihmojë ta arrini atë, por Ai nuk do t’jua imponojë kurrë atë.
Prandaj Ai ju lejon të zgjidhni: Dritën ose errësirën? Mirësinë ose ligësinë? Gëzimin ose mjerimin? Jetën e përjetshme ose vdekjen shpirtërore?8
Duket si zgjedhje e lehtë, apo jo? Por në njëfarë mënyre, këtu në tokë, duket më e ndërlikuar nga ç’duhet të jetë.
Problemi është që ne nuk i shohim gjërat gjithmonë aq qartë sa do të donim t’i shihnim. Apostulli Pal e krahasoi atë me vështrimin “si në pasqyrë, në mënyrë të errët”9. Ka shumë pështjellim në botë rreth asaj që është e drejtë dhe e gabuar. Të vërtetën e shtrembërojnë që ta bëjnë të keqen të duket e mirë dhe të mirën të duket e keqe.10
Por kur e kërkoni me zell të vërtetën, të vërtetën e përjetshme, të pandryshueshme, zgjedhjet tuaja bëhen më të qarta. Po, prapëseprapë keni tundime dhe sprova. Gjëra të këqija ndodhin prapëseprapë. Gjëra të pakuptueshme. Gjëra tragjike. Por mund t’ia dilni mbanë kur e dini se kush jeni, përse jeni këtu dhe kur t’i mirëbesoni Perëndisë.
Pra, ku e gjeni të vërtetën?
Ajo përmbahet në ungjillin e Jezu Krishtit. Dhe plotësia e atij ungjilli mësohet në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Jezu Krishti tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje”11.
Kur keni zgjedhje të rëndësishme për të bërë, Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur janë zgjedhja më e mirë. Kur keni pyetje, Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur janë përgjigjja më e mirë. Kur ndiheni të dobët, Jezu Krishti është forca juaj.
Ai i jep fuqi të lodhurit; dhe atyre që ndihen të pafuqishëm, Ai ua shton forcën.
Ata që shpresojnë te Zoti, do të fitojnë forcë nga forca e Tij.12
Për Forcën e Rinisë
Për t’ju ndihmuar të gjeni Udhën dhe për t’ju ndihmuar ta bëni doktrinën e Krishtit ndikimin udhërrëfyes në jetën tuaj, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka përgatitur një burim të ri, një variant të rishikuar të broshurës Për Forcën e Rinisë.
Për më shumë se 50 vjet, broshura Për Forcën e Rinisë ka qenë një udhëzues për brezat e rinisë shenjtore të ditëve të mëvonshme. Gjithmonë mbaj një kopje në xhep dhe ua jap njerëzve që janë kureshtarë rreth standardeve tona. Është përditësuar dhe rifreskuar për t’i përballuar më mirë sfidat dhe tundimet e kohës sonë. Varianti i ri i broshurës Për Forcën e Rinisë është në dispozicion në internet në 50 gjuhë të ndryshme dhe do të jenë në dispozicion edhe i shtypur në letër. Ajo do të jetë një ndihmë domethënëse për bërjen e zgjedhjeve në jetën tuaj. Ju lutem, përqafojeni si diçka tuajën dhe tregojani atë miqve tuaj.
Ky variant i ri i broshurës Për Forcën e Rinisë ka nëntitullin Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve.
Për të qenë shumë të qartë, udhërrëfyesi më i mirë i mundshëm që mund të keni për bërjen e zgjedhjeve, është Jezu Krishti. Jezu Krishti është forca e rinisë.
Prandaj, qëllimi i broshurës Për Forcën e Rinisë është që t’ju drejtojë tek Ai. Ju mëson të vërteta të përjetshme të ungjillit të Tij të rivendosur, të vërteta rreth asaj se kush jeni, kush është Ai dhe çfarë mund të përmbushni me forcën e Tij. Ju mëson se si të bëni zgjedhje të drejta nisur nga ato të vërteta të përjetshme.13
Gjithashtu është e rëndësishme të dini atë që nuk e bën broshura Për Forcën e Rinisë. Nuk merr vendime për ju. Nuk ju jep një “po” ose “jo” rreth çdo zgjedhjeje me të cilën mund të përballeni ndonjëherë. Broshura Për Forcën e Rinisë përqendrohet te themeli i zgjedhjeve tuaja. Përqendrohet te vlerat, parimet dhe doktrina, në vend të çdo sjelljeje specifike.
Zoti, nëpërmjet profetëve të Tij, gjithmonë na ka udhërrëfyer në atë drejtim. Ai po na lutet që ta “rrit[im] aftësinë [tonë] shpirtërore për të marrë zbulesë”14. Ai po na fton ta “dëgjoj[më] Atë”15. Ai po na thërret ta ndjekim Atë në mënyra më të larta dhe më të shenjta.16 Dhe në mënyrë të ngjashme po mësojmë çdo javë te programi Eja, Më Ndiq.
Po e zë se udhëzuesi mund t’ju jepte lista të gjata të veshjeve që nuk duhet t’i vishni, fjalëve që nuk duhet t’i thoni, dhe filmave që nuk duhet t’i shihni. Por a do të ishte kjo vërtet e dobishme për një kishë mbarëbotërore? A do t’ju përgatiste vërtet një metodë e tillë për një jetë të tërë të të jetuarit si Krishti?
Jozef Smithi tha: “Unë u mësoj atyre parime të [sakta] dhe ata qeverisin veten”17.
Dhe mbreti Beniamin i tha popullit të tij në Librin e Mormonit: “Unë nuk mund t’ju tregoj juve të gjitha gjërat që mund t’ju shtyjnë të bëni mëkat; pasi ka mënyra dhe mjete të ndryshme, madje aq shumë sa unë nuk mund t’i numëroj ato”18.
Mbreti Beniamin vazhdoi duke thënë: “Por, kaq unë mund t’ju them, … shikoni veten tuaj dhe mendimet tuaja dhe fjalët tuaja, dhe veprat tuaja dhe … respektoni urdhërimet e Perëndisë dhe … vazhdoni në besim [te] … Zoti [ynë], madje deri në fund të jetës suaj”19.
A është e gabuar të kemi rregulla? Natyrisht që jo. Ne të gjithë kemi nevojë për ato çdo ditë. Por është e gabuar të përqendrohemi vetëm te rregullat në vend që të përqendrohemi te Shpëtimtari. Ju nevojitet të dini arsyet dhe mënyrat dhe më pas të merrni parasysh pasojat e zgjedhjeve tuaja. Ju nevojitet ta vendosni mirëbesimin tuaj te Jezu Krishti. Ai do t’ju udhëheqë në udhën e drejtë. Ai është forca juaj.20
Fuqia e Doktrinës së Vërtetë
Broshura Për Forcën e Rinisë është e guximshme në shpalljen e doktrinës së Jezu Krishtit. Është e guximshme në ftesën ndaj jush që të bëni zgjedhje të bazuara te doktrina e Krishtit. Dhe është e guximshme në përshkrimin e bekimeve që Jezu Krishti ua premton atyre që e ndjekin Udhën e Tij.21
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Kur dëshira juaj më e madhe është ta lejoni Perëndinë të triumfojë [në jetën tuaj], … shumë vendime bëhen më të lehta. … Kaq shumë gjëra me rëndësi bëhen pa rëndësi! E dini se si ta paraqitni veten sa më mirë. E dini se çfarë të shihni e lexoni, ku ta shpenzoni kohën tuaj dhe me kë të shoqëroheni. E dini se çfarë dëshironi të përmbushni. E dini se çfarë njeriu dëshironi … të bëheni.”22
Një Standard më i Lartë
Jezu Krishti ka standarde shumë të larta për pasuesit e Tij. Dhe ftesa për të kërkuar me zell vullnetin e Tij dhe për të jetuar sipas të vërtetave të Tij është standardi më i lartë i mundshëm!
Zgjedhjet e rëndësishme tokësore dhe shpirtërore nuk duhet të bazohen vetëm mbi parapëlqimin vetjak apo atë që është e volitshme ose e shumëpërhapur.23 Zoti nuk po thotë: “Bëni çfarë të doni”.
Ai po thotë: “Lejojeni Perëndinë të triumfojë”.
Ai po thotë: “Eja[ni] e më ndiq[ni]”24.
Ai po thotë: “Jetoni në një mënyrë më të shenjtë, më të lartë, më të pjekur”.
Ai po thotë: “Zbatojini urdhërimet e mia”.
Jezu Krishti është shembulli ynë i përsosur dhe ne përpiqemi me të gjithë energjinë e shpirtit tonë ta ndjekim Atë.
Miqtë e mi të dashur, më lejoni ta përsërit, nëse Shpëtimtari do të qëndronte këtu sot, Ai do të shprehte dashurinë e Tij të pafundme për ju, mirëbesimin e Tij të plotë te ju. Ai do t’ju thoshte se mund ta bëni këtë gjë. Ju mund të ndërtoni një jetë të gëzuar e të lumtur, sepse Jezu Krishti është forca juaj. Ju mund të gjeni vetëbesim, paqe, siguri, lumturi dhe përkatësi tani dhe përjetësisht, sepse ju do t’i gjeni të gjitha ato te Jezu Krishti, tek ungjilli i Tij dhe te Kisha e Tij.
Për këtë unë jap dëshminë time solemne si Apostull i Zotit Jezu Krisht dhe ju lë bekimin tim të përzemërt me mirënjohje dhe dashuri të thellë për ju, në emrin e Jezu Krishtit, amen.