2009
Ndezja e Dritës së Shpresës
Prill 2009


Ndezja e Dritës së Shpresës

Për mijëra shenjtorë të ditëve të mëvonshme në Brazil, Fondi i Përhershëm për Arsimimin është një bekim që ka ndryshuar jetë.

Kur Dilson Masiel de Kastro, i Riu humbi punën e tij në San Paolo, ai dhe gruaja e tij u shpërngulën në Resife, një qytet i madh portual në verilindje të Brazilit, kështu ata mund të jetonin me prindërit e tij. Me gjithë përvojën e Dilsonit në industrinë e telekomunikacioneve, puna e vetme që mundi të gjente në Resife ishte një seri vendesh pune të rastit.

“Punët ishin shumë të vështira për ne, atë kohë”, kujton Dilsoni. Sfidat e tyre shkuan nga e keqja tek më e keqja kur çifti humbi çdo gjë që kishte në një përmbytje.

Në atë pikë të ulët, Dilsoni, i cili kishte shërbyer në Misionin Jugor të Brazilit, San Paolo, u takua me Plakun Gutenberg Amorim, anëtar i të Shtatëdhjetëve të Zonës dhe drejtor i institutit fetar, për të folur rreth mundësive të punësimit dhe arsimimit. Ndërsa Dilsoni diskutonte interesat e tij, ai mori një nxitje shpirtërore se ai duhej të studionte për mjekësi. Atëherë, në saje të zbatimit pak kohë më parë të Fondit të Përhershëm për Arsimimin (FPA) nga Kisha, në vitin 2003, Dilsoni e ktheu atë nxitje në profesion duke ndjekur një kurs 18 mujor për infermieri.

“Pa fondin, do të kishte qenë e pamundur për mua të ndiqja kurset që më nevojiteshin”, thotë Dilsoni, i cili punon për një spital publik në Resife. Po ashtu, gruaja e tij, Aleksandra, nuk do të kishte mundur të merrte një hua për të paguar arsimimin që i nevojitej për t’u bërë mësuese shkolle.

“Gjashtë vjet më parë ne ishim të papunë”, thotë Dilsoni. “FPA ishte thelbësor për gjithçka qemë në gjendje të kryenim. Ai ndryshoi jetën tonë.”

Një Përgjigje nga Zoti

Kur anëtarët e Kishës në Brazil përshkruajnë Fondin e Përhershëm për Arsimimin, ata nuk mund të mos përdorin superlativa: miraculoso, inspirado, maravilhoso [i mrekullueshëm, i frymëzuar, i shkëlqyer]. Kjo pasi fondi po përmbush atë çfarë Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) parashikoi se do të përmbushte: “Do të bëhet një bekim për jetën e gjithë atyre që ai i prek — për të rinjtë dhe të rejat, për familjet e tyre të ardhshme, për Kishën që do të bekohet me udhëheqjen e tyre të fortë vendore” dhe ajo do të nxjerrë “me mijëra nga moçali i varfërisë në dritën e diturisë dhe të mirëqenies”.1

Kur Presidenti Hinkli shpalli programin, udhëheqësit e Kishës si Paulo R. Gral, drejtor i seminareve dhe instituteve fetare të zonës në Brazil, ishin përballur me shqetësimet mbi arsimimin dhe punësimin e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme brazilianë — veçanërisht të të rinjve misionarë të kthyer.

“Por ne nuk patëm një përgjigje derisa Zoti i zbuloi Presidentit Hinkli se ne duhet të krijonim këtë fond të mrekullueshëm”, thotë Vëllai Gral. “Më parë, shumë nga të rinjtë tanë do të ktheheshin nga misioni pa qenë në gjendje të ndiqnin një arsimim dhe profesion. Tani ata e dinë se kur të kthehen, fondi është atje nëse u nevojitet. Ky është një bekim dhe përfitim i madh për të rinjtë. Ai ofron shpresë.”

Rreth 10.000 shenjtorë të ditëve të mëvonshme në Brazil kohët e fundit mbështeten në huat e FPA-së për të zgjeruar arsimimin e tyre dhe si rrjedhojë, perspektivën e punëve të tyre të ardhshme. Brazili ka ekonomi të fortë dhe mundësi të shumta për të arsimuarit — veçanërisht kur arsimimi bashkohet me cilësitë që të rinjtë zhvillojnë në fushën e misionit.

Mundësi të Reja

Plaku Pedro Pena, i të Shtatëdhjetëve të Zonës dhe drejtor i Institutit Fetar të Veriut në Resife, thotë se misionarët e kthyer kanë kualifikime që punëdhënësit i duan. “Dyert hapen shpejt për mundësi punësimi për shkak të përvojës së tyre, shprehive të studimit, paraqitjes dhe sjelljes së pastër”, thotë ai. “Ata përparojnë shpejt dhe sjellja e tyre tërheq njerëzit në Kishë.”

Pas mbarimit të shërbimit në Misionin Verior të Brazilit, San Paolo, në vitin 2002, Rikardo Aurelio de Silva Fiusa përdori një hua të FPA-së për të marrë diplomën katërvjeçare në administrim biznesi.

“Fondi më ka ndihmuar të rritem, të përgatitem për punë e martesë dhe të shërbej më mirë në Kishë”, thotë Rikardo. Si shumë përfitues të FPA-së, atij iu ofrua punë madje përpara mbarimit të studimeve. “Fondi ka qenë një bekim në jetën time. Unë jam mirënjohës që bëj pagesën mujore të huas, kështu që të tjerë mund ta përdorin fondin gjithashtu.”

Në mision, Rikardo mësoi të komunikojë me njerëzit, të studiojë shumë dhe të bindet — cilësi që e bënë atë student dhe punonjës të mirë.

“Shumë nga profesorët e mi thanë se kishte diçka ndryshe në lidhje me mua, që ata nuk mundeshin ta shpjegonin”, thotë Rikardo, i cili punon në logjistikë për një kompani në Port Suape, në jug të Resifes. “Unë u thashë atyre se kjo ishte për shkak të parimeve të fesë time.” Ajo përgjigje krijoi mundësi që Rikardo të bisedonte me profesorët e tij dhe të tjerët rreth Kishës.

Maurisio A. Araujo, një nga misionarët e parë brazilianë të kthyer, i bekuar nga FPA, shton: “Me përparimin e karrierës sime, kam më shumë mundësi për të ndikuar tek njerëzit nëpërmjet shembullit tim. Nganjëherë njerëzit më thonë: ‘Oo, ti je ndryshe. Ti je besnik ndaj bashkëshortes. Ti vepron ashtu siç flet.’ Duke përfituar nga FPA dhe duke bërë pjesën tonë, ne marrim bekime dhe bekojmë të tjerët.”

Maurisio, i cili shërbeu në Misionin e Rio de Zhaneiros, në Brazil, në fund të 1990-ës ka marrë një seri ngritjesh në detyrë që nga plotësimi i një programi të menaxhimit të marrëdhënieve me publikun të financuar nga FPA — që nga shitjet deri në udhëheqjen në grup të menaxhimit, në bordin e drejtorëve të një kompanie ndërkombëtare trajnimi për menaxhimin e kohës, në San Paolo.

“Fondi i Përhershëm për Arsimimin është frymëzuar nga Perëndia”, thotë ai. “Fondi ishte çelësi që më nevojitej për të përfunduar arsimimin dhe për të ecur përpara në karrierën time.”

Një Investim i Mirë

Megjithëse Gabriel Saloman Neto nuk është shenjtor i ditëve të mëvonshme, ai ndjehet njësoj i bekuar nga Fondi i Përhershëm për Arsimimin. “Kjo është një gjë shumë e mirë që po bën kisha juaj”, thotë ai, duke folur për shumë të punësuar në Brazil.

Z. Neto, menaxher dhe bashkëpronar i një kompanie të madhe makinash automatike shitjeje në San Paolo, ka arsye të jetë mirënjohës. Atij i bënë përshtypje të madhe kualifikimet e anëtares të Kishës Silvia O. H. Parra, e cila u diplomua në administrim biznesi me ndihmën e një huaje nga FPA, për t’u punësuar më pas nga ai si sekretare e tij ekzekutive.

“Ne e pëlqejmë punën e saj. Ajo është shumë punëtore dhe produktive. Ne besojmë te ajo dhe i zëmë besë asaj”, tha Z. Neto. “Investimi që kisha juaj bëri për të, i ka dhënë frytet — për ju, për atë dhe për ne.”

Mirënjohëse për Fondin e Përhershëm për Arsimimin dhe për anëtarësimin e saj në Kishë, Silvia jep mësim në klasa anglishteje në lagjen e saj në San Paolo si për anëtarët edhe për jo anëtarët. “Ashtu si unë kam marrë”, thotë ajo, “njësoj unë dua të jap”.

Si ilustron suksesi i Silvias, të rinjtë nuk janë të vetmit që përfitojnë nga Fondi i Përhershëm për Arsimimin në Brazil. Për arsye ekonomike, shumë gra shenjtore të ditëve të mëvonshme në Brazil duhet gjithashtu të kërkojnë punësim.

“Shumica e grave në Brazil punojnë jo pse duan një makinë të re apo rroba të shtrenjta, por më shumë nga nevoja”, thotë Lorival Viana di Aguira, menaxhere e qendrës së burimeve të punësimit të Kishës në Kuritiba, në Brazilin jugor. “Ato duan që familjet e tyre të ushqehen më mirë dhe fëmijët e tyre të kenë rroba të përshtatshme dhe arsimim cilësor.”

Lumturi më e Madhe, Dëshmi më të Forta

Keiti de Lima A. Ahmed dhe Viviana Tores Noguera u përpoqën me sa mundën t’ia dilnin me aq sa fitonin edhe pse burrat e tyre punuan shumë për familjet e tyre. Për të dyja, FPA ishte bekim i madh.

Megjithatë, anëtarët më pak aktivë të familjes së Keitit shprehën dyshime, kur ajo u regjistrua për një program 18 mujor të sigurimit teknik. Por ajo shkëlqeu në studime dhe iu ofrua një vend pune me kohë të plotë në fushën e saj në vitin 2007.

“Fondi bëri më shumë se thjesht të më ndihmonte të marr trajnim e punësim; ai më ndihmoi gjithashtu të ndjehem më mirë me veten dhe të jem më kompetente në aftësitë e mia”, thotë Keiti, një nga gratë e para të punësuara për të drejtuar inspektimet e sigurisë, trajnimit dhe zbatimit nga një kompani në San Hozé dos Pinhais, pranë Kuritibës. “Ky program i frymëzuar ka sjellë në familjen tonë lumturi më të madhe dhe dëshmi më të forta”, thotë ajo.

Prindërit e Keitit dhe motrat e vëllezërit, të habitur me punën e vendosmërinë e saj dhe se si FPA e bekoi familjen e saj, i janë rikthyer veprimtarisë në Kishë. “Atyre iu kujtua se Kisha i ngre njerëzit dhe i ndihmon ata të rriten në shumë mënyra — jo vetëm shpirtërisht por gjithashtu në të gjitha drejtimet që kanë rëndësi për një jetë të mbushur”, thotë ajo.

Viviana dhe burri i saj, Rafaeli, lëvizën nga Kolumbia për në Manaus, qendër e rëndësishme industriale në veri të Brazilit, në vitin 2002 në kërkim të një mundësie ekonomike. “Lutja, këshillat familjare, udhëheqja nga udhëheqësit e priftërisë dhe klasat e seminarit praktik të trajnimit profesional na ndihmuan të kuptojmë çfarë Ati ynë në Qiell do për ne dhe për të marrë vendimin e drejtë në kohën e duhur,” thotë Viviana, e cila u ndie e nxitur të përdorë një hua të FPA-së për të studiuar biznes ndërkombëtar.

Në 2007-n Viviana shkoi për të punuar si supervizore e importeve për një supermarket në Manaus. Familjes së saj i nevojiteshin të ardhura shtesë, por me një fëmijë gati për të lindur, asaj iu desh ta linte punën. Pak muaj pasi lindi ai fëmijë — i katërti i çiftit — Vivianës iu ofrua një punë si drejtoreshë e tregtisë ndërkombëtare në një kompani tjetër. Ndërkohë, ajo kishte mësuar të fliste portugalishten dhe spanjishtja e saj e vendlindjes e bëri atë të paçmueshme në biznesin me fqinjët spanjisht folës të Brazilit.

“Kur m’u ofrua puna, unë thashë: ‘Unë kam katër fëmijë. Unë nuk mund të angazhohem për të punuar nga ora 8:00 në mëngjes deri në 6:00 pasdite’”, thotë Viviana. “Shefi im më tha se ai kishte shumë besim në aftësitë e mia, duke thënë: ‘Unë kam nevojë për dikë ku mund të mbështetem. Puno në shtëpi.’ Kjo më befasoi mua.”

Duke përdorur internetin dhe një kompjuter, Viviana punon në shtëpi, ndërsa fëmijët e saj më të rritur ndjekin shkollën dhe foshnja e saj dremit. Vetëm me raste asaj i duhet të shkojë në zyrë.

Rafaeli ia atribuon bekimet e familjes më shumë se rastësisë. “Bekimet që ne kemi marrë erdhën nga një varg vendimesh plot lutje dhe nga veprime të mundësuara nga mjetet që ka siguruar Kisha”, thotë ai.

Drita e Shpresës

Gilmar Dias da Silva, drejtor i FPA-së në Brazil, thotë se disa brazilianë shenjtorë të ditëve të mëvonshme përballen me sfidat e punësimit pas përfundimit të arsimimit të tyre, “por shumica e pjesëmarrësve të FPA-së janë duke përparuar në punët e tyre dhe janë duke përmirësuar jetën e tyre. Fondi përbën një sukses këtu.”

Ky sukses, në fjalët e Presidentit Tomas S. Monson, “ka ndezur dritën e shpresës në sytë e atyre që ndiheshin të ndëshkuar në një jetë mediokre, por të cilët tani kanë një mundësi për një të ardhme më të ndritur.”2

Shënime

  1. Gordon B. Hinkli, “Fondi i Përhershëm për Arsimimin”, Liahona, korrik 2001, f. 62; Ensign, maj 2001, f. 52; “Nevoja për Shpirtmirësi më të Madhe”, Liahona dhe Ensign, maj 2006, f. 61.

  2. Tomas S. Monson, “Ata Lanë Gjurmë mbi Shtegun që duhet të Ndjekim”, Liahona, tetor 2007, f. 6; Ensign, tetor 2007, f. 8.

Fotografitë nga Michael R. Morris

Emblema e FPA-së nga Beth M. Whittaker

Me ndihmën e Fondit të Përhershëm për Arsimim, Dilson Masiel de Kastro, i Riu e ktheu nxitjen shpirtërore në një profesion, duke u bërë infermier në Resife, Brazil. Poshtë: Pamje e Resifesë nga qyteti kolonial i Olindas.

Nga sipër: Fasada dyqanesh në Largo da Ordem, qendër historike e Kuritibas. Fondi i Përhershëm për Arsimimin ishte çelësi për përparimin arsimor dhe profesional të Rikardo Aurelio da Silva Fiusas; Maurisio A. Arauho, tregon zhvillimin e një mbledhje biznesi me shokët shenjtorë të ditëve të mëvonshme, Renato A. Romero (majtas) dhe Zhoao B. Moreira (në qendër); dhe Silvia O. H. Parra, fotografuar me Edën Tellmen, sekretar i seminareve e instituteve fetare të zonës.

Lart: Keiti de Lima A. Ahmed diskuton punët e sigurisë me Lorival Viana de Aguirra, menaxhere e qendrës së burimeve të punësimit të Kishës në Kuritiba. Poshtë: Viviana Torres Noguera punon nga shtëpia e saj në Manaus. Në kuadrat: Viviana me bashkëshortin e saj, Rafael, dhe fëmijët e tyre.