2009
Kënga dhe Rrëfimi i Tregimeve
Prill 2009


Kënga dhe Rrëfimi i Tregimeve

Kur bashkëshortja ime, Sandra, dhe unë u thirrëm të shërbenim në Misionin e Durbanit të Afrikës së Jugut, filluam të kërkonim një projekt shërbimi për komunitetin. Unë kisha qenë anëtar i Korit Mormon të Tabernakullit për më se 20 vite dhe bashkëshortja ime, një ndihmësbibliotekare, kishte drejtuar orën e tregimeve në një shkollë fillore. Kur presidenti i misionit tonë vendosi të nisë punën misionare në një qytezë fqinjë, e dinim se ky ishte rasti ynë.

E vizituam qytezën dhe zbuluam se shkollat nuk kishin biblioteka, kishte vetëm një bibliotekë të vogël publike në qytet. Elldërat e rinj na paraqitën tek drejtorja e bibliotekës. I shpjeguam asaj se do të dëshironim të zhvillonim një orë tregimesh të përjavshme për fëmijët. Ajo qe mosbesuese, por, pasi u mendua disi, ra dakord të bënte njoftime dhe ne mund ta provonim.

Ditën e parë morën pjesë pesë fëmijë. Pak nga pak erdhën të tjerë. Pas disa muajsh ne morëm si ndihmëse një zonjë të re, një të kthyer së fundmi në besim, që fliste bukur anglisht dhe gjuhën e zuluve. U rrit pjesëmarrja në orën e tregimeve dhe drejtoresha e prindërit qenë të ngazëllyer me atë që po ngjante.

Zuluve u pëlqen shumë të këndojnë, prandaj ne i shtuam këngë dhe vjersha të thjeshta orës tonë të tregimeve. Nga fundi i misionit tonë, ne zhvillonim dy ose tre sesione këngësh dhe të orës së tregimeve çdo javë, për të përballuar më shumë se 100 fëmijët që merrnin pjesë. Çfarë bekimi që ishte kur i shihnim diku gjetkë fëmijët dhe ata fillonin të këndonin këngët apo të na recitonin vjershat tona.

Një tjetër bekim rrodhi nga shërbimi ynë në këtë zonë. Ndërsa rritej numri i anëtarëve vendorë të Kishës dhe na duhej një vend për të nisur mbajtjen e mbledhjeve tona të së dielës, drejtorja e bibliotekës këmbënguli që të përdornim bibliotekën pa pagesë.

Ne jemi shumë mirënjohës që Zoti na ndihmoi të gjejmë një mënyrë për të përdorur talentet tona, për t’i shërbyer komunitetit dhe për të ndihmuar për të hapur një zonë të misionit.