2009
A Duhet të Heq Dorë nga Shkolla për një Mision?
Prill 2009


A Duhet të Heq Dorë nga Shkolla për një Mision?

Unë mbarova shkollën e mesme në vitin 1992 dhe menjëherë paraqita dokumentet për të shërbyer një mision kohëplotë. Në kohën kur më erdhi thirrja, sapo isha pranuar tek një prej universiteteve më të mira të Nigerisë për të studiuar mjekësi.

Në Nigeri, pranimi në shkollë mjekësie është me konkurs dhe duhet të mos hiqet dorë prej saj. Kur disa nga miqtë dhe pjesëtarët e familjes më shtynë të braktisja thirrjen time të misionit, u shpjegova se kisha një përgjegjësi për të shërbyer dhe mezi kisha pritur ta bëja këtë qëkur isha bashkuar me Kishën gjashtë vite më parë. Isha i sigurt se do të mund të ripranohesha tek shkolla e mjekësisë pas misionit tim, por shumë menduan se do të pendohesha për vendimin tim.

U jam mirënjohës mësuesve të shtëpisë, pjesëtarëve të familjes dhe miqve të Kishës që mbështetën vendimin tim për të shërbyer. Pjesëmarrja në seminar, studimi i shkrimeve të shenjta dhe jeta sipas ungjillit më bënë të aftë t’u qëndroja besnik bindjeve të mia.

Si misionar, vendosa qëllime vetjake dhe punova shumë. Njëzet e katër muaj më vonë u lirova me nder. Zoti i bekon misionarët e kthyer, por nuk ka premtuar se ata nuk do të kenë sprova. Për misionarin e kthyer nigerian këto sfida përfshinin papunësi dhe mungesë fondesh për arsimim.

Gjatë tre viteve të para pas misionit tim, bëra dhe kalova tre provime pranimi, por nuk më ripranuan tek shkolla e mjekësisë. Gjatë po atyre tre viteve nuk munda të gjej punë. U tundova të besoja se disa nga miqtë dhe pjesëtarët e familjes sime mund të kishin patur të drejtë dhe se kishte qenë gabim që hoqa dorë nga pranimi në shkollën e mjekësisë.

Në misionin tim mësova të hedh barrën time mbi Zotin, prandaj e lashë ta drejtonte jetën time sipas vullnetit të Tij. Sapo e bëra këtë, gjërat filluan të fuksionojnë për mua, — por jo si e kisha planifikuar.

Një të dielë agjërimi vendosa të agjëroj dhe të lutem me qëllim për ndihmën e Zotit. Atë mbrëmje një trokitje u dëgjua në derë. Kur hapa derën, u çudita kur pashë një të njohur që e kisha takuar gjatë një trajnimi sigurie ku kisha marrë pjesë gjashtë muaj më parë. Ai më tha se ishte hapur një vend pune për punonjës sigurie në një kompani ku punonte vëllai i tij më i madh dhe se kompania kishte nevojë urgjente për ta plotësuar atë vend pune. Unë kisha qenë i vetmi njeri që i kishte ardhur në mendje.

Ditën tjetër kompania më punësoi. Ajo përvojë e rrallë më konfirmoi se Ati Qiellor nuk më kishte braktisur dhe se duhej të kisha mirëbesim tek Ai. Puna shërbeu si pedanë për punë të tjera.

Bekimet hyjnore nuk maten vetëm me arritjet materiale. Për vite pas misionit tim u përpoqa që të gjeja qëndrueshmëri materiale, por Zoti më bekoi shpirtërisht. Bekimi im patriarkal më drejtoi të martohesha dhe më tha se do të vinte mundësia për arsim të lartë. Ajo erdhi.

Ndonëse nuk shkova kurrë në shkollën e mjekësisë, kam marrë grada shkencore të barazvlershme në financë dhe matematikë. Zoti përfundimisht më bekoi me qëndrueshmëri të mjaftueshme materiale sa të isha në gjendje të martohesha.

Nëse shërbejmë një mision me ndershmëri, Zoti angazhohet të na bekojë kur kërkojmë më pas mundësi për arsim të lartë. Asgjë tjetër në jetën e një të riu apo të reje nuk mund të kapërcejë përvojat, mësimin dhe bekimet e shërbimit misionar kohëplotë.