Dhurata e Shkrim-Këndimit
Biri ynë më i madh e pëlqente shumë kopshtin dhe dukej se shkonte mirë në shkollë. Megjithatë, në klasën e parë, u bë e qartë për ne se ai nuk po lexonte. Ai mund të lexonte pak fjalë aty-këtu, por kishte vështirësi edhe me detyrat fillestare për lexim. Kaluan muaj dhe aftësitë në lexim të birit tonë mezi përparonin. Bashkëshorti im dhe unë po shqetësoheshim gjithnjë e më shumë.
Një ditë m’u kujtua diçka që presidenti im i misionit na kishte mësuar vite më parë. Unë isha thirrur në një mision në gjuhë të huaj. Mësimi i gjuhës ruse ishte një sfidë në shkallë të ndryshme për secilin misionar dhe presidenti ynë i misionit na këshilloi të lexonim çdo ditë Librin e Mormonit në rusisht. Ai na premtoi se fuqia e Librit të Mormonit do të na ndihmonte për aftësinë tonë për të komunikuar në rusisht. Ai pati të drejtë. Me kalimin e kohës, unë u përmirësova edhe në të folurin, edhe në kuptimin e gjuhës dhe dëshmia ime u rrit.
Disa vite pas misionit tim, e gjeta veten duke menduar: “Nëse kjo funksionoi për mua në rusisht, përse të mos funksionojë për birin tim në anglisht?” Pasi i treguam birit tonë për përpjekjen time për të mësuar rusisht dhe këshillën e presidentit tim të misionit, bashkëshorti im dhe unë e nxitëm të lexonte vetë çdo ditë nga Libri i Mormonit. Ai do të nënvizonte fjalët Perëndi dhe Zot ndërsa i gjente nëpër faqe. Shpejt ai kaloi tek fjala Jezus. Pas kësaj ai veçonte fjalë që kishte parë dhe pyeste se çfarë ishin. Ai qe i zellshëm në leximin e tij të përditshëm dhe nga fundi i vitit niveli i tij në lexim i kishte kapërcyer pritshmëritë tona.
Tani biri ynë është në klasën e gjashtë. Ai është një lexues i jashtëzakonshëm dhe ndihmon në mësimin e pesë vëllezërve e motrave të tij më të vegjël mbi dhuratën që mori duke lexuar Librin e Mormonit. Secili prej fëmijëve tanë ka zhvilluar aftësi të forta leximi dhe ka zakon të lexojë Librin e Mormonit. Ata po fillojnë të ndiejnë shpirtin e tij të fuqishëm të së vërtetës ndërsa rritet dëshmia e tyre.