2009
Çfarë Domethënie ka Shlyerja për Ju?
Prill 2009


Çfarë Domethënie ka Shlyerja për Ju?

Nga një fjalim mbajtur në Konferencën e Grave të Universitetit “Brigam Jang” më 5 maj 2006.

Shlyerja është tepër individuale dhe e përgatitur vetëm për rrethanat e situatat tona vetjake.

Elder Cecil O. Samuelson Jr.

Profeti Jozef Smith na mësoi: “Parimet themelore të fesë sonë janë dëshmia e Apostujve dhe e Profetëve lidhur me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, dhe u ngrit përsëri në ditën e tretë, dhe u ngjit në qiell dhe të gjitha gjërat e tjera që lidhen me fenë tonë janë vetëm shtesa të kësaj.”1

Këto parime themelore bazohen në Shlyerjen e Jezu Krishtit. Fjala Shlyerje “përshkruan bashkimin ‘në një’ të atyre që ishin ndarë dhe tregon pajtimin e njeriut me Perëndinë. Mëkati është shkaku i ndarjes, prandaj qëllimi i shlyerjes është të ndreqë ose të mposhtë pasojat e mëkatit.”2 Unë besoj se është gjithashtu e mundur të ndahemi nga Perëndia për shumë arsye të tjera përveç mëkatit të dukshëm.

Rreziqet që ne të largohemi nga Ati ynë në Qiell dhe nga Shpëtimtari janë të rëndësishme dhe gjithnjë përreth nesh. Lumturisht Shlyerja ishte paracaktuar për të gjitha këto situata gjithashtu. Prandaj Jakobi, vëllai i Nefit, e përshkroi Shlyerjen si “të pafund” (2 Nefi 9:7), që do të thotë pa kufizime apo shtrëngime të imponuara nga jashtë. Prandaj Shlyerja është kaq e mrekullueshme dhe kaq e nevojshme. Nuk është për t’u çuditur atëherë që ne jo vetëm duhet të vlerësojmë këtë dhuratë të pakrahasueshme por gjithashtu ta kuptojmë qartësisht atë.

Jezu Krishti ishte i vetmi që mund të kryente Shlyerjen e mrekullueshme sepse Ai ishte i vetmi njeri i përkryer dhe Bir i Vetëmlindur i Perëndisë, Atit. Ai e mori mandatin e Tij për këtë vepër themelore nga Ati i Tij përpara se bota të krijohej. Jeta e tij e përkryer në vdekshmëri, pa mëkate, derdhja e gjakut të Tij, vuajtja e Tij në kopsht dhe mbi kryq, vdekja e Tij vullnetarisht dhe Ringjallja e trupit të Tij nga varri bënë të mundur një Shlyerje të plotë për njerëzit e çdo brezi dhe çdo kohe.

Shlyerja e bën Ringjalljen një realitet për secilin. Sidoqoftë, lidhur me shkeljet dhe mëkatet tona individuale, aspekte kushtëzuese të Shlyerjes kërkojnë besimin tonë në Zotin Jezu Krisht, pendimin tonë dhe pajtimin tonë me ligjet e urdhërimet e ungjillit.

Pavdekësia dhe Jeta e Përjetshme

Ndoshta vargu i cituar më shpesh në mbledhjet dhe shkrimet tona është ky varg i mrekullueshëm sqarues dhe përmbledhës nga libri i Moisiut: “Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime — të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).

Në saje të Ringjalljes, të gjithë ne do të kemi pavdekësinë. Në saje të Shlyerjes, ata që kanë besim të mjaftueshëm në Zotin Jezu Krisht për ta marrë mbi vete emrin e Tij, që pendohen dhe jetojnë në përputhje me ungjillin e Tij, që mbajnë besëlidhjet me Të dhe me Atin e Tij dhe që marrin pjesë në ordinancat e shpëtimit, që sigurohen në mënyra dhe vende të shenjta, do të kenë dhe do të gëzojnë jetën e përjetshme.

Unë nuk mund të kujtoj të kem takuar ndonjë person që të shprehte besim të fortë në Jezu Krisht dhe që të ishte shumë i merakosur për Ringjalljen. Po, të gjithë ne mund të kemi pyetje mbi hollësirat, por ne kuptojmë se premtimi themelor është gjithëpërfshirës dhe i sigurt.

Ngaqë jeta e përjetshme është e kushtëzuar dhe kërkon përpjekjen dhe bindjen tonë, shumë nga ne ndeshemi herë pas here, ndoshta rregullisht — madje vazhdimisht — me pyetje mbi të jetuarit në mënyrën se si ne e dimë se duhet. Siç ka pyetur Plaku Dejvid A. Bednar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “A besojmë gabimisht se ne duhet të bëjmë udhëtimin nga e mira tek më e mira dhe të bëhemi shenjtorë krejtësisht vetë nëpërmjet vendosmërisë së plotë, forcës së vullnetit dhe disiplinës?”3

Nëse shpëtimi ynë do të ishte vetëm çështje e përpjekjes sonë, ne do të ishim në një problem serioz sepse të gjithë ne jemi të papërsosur dhe të paaftë të jemi plotësisht të bindur në çdo mënyrë gjithë kohën. Si atëherë arrijmë të kemi ndihmën dhe mbështetjen që kërkojmë? Nefi e sqaroi dilemën e marrëdhënies midis hirit dhe punëve kur dëshmoi: “Pasi ne e dimë se ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë” (2 Nefi 25:23).

Fjalori i Biblës na kujton se hiri është një mekanizëm ose mjet hyjnor që sjell forcë ose ndihmë nëpërmjet mëshirës e dashurisë së Jezu Krishtit, dhënë nëpërmjet Shlyerjes së Tij.4 Kështu që, është nëpërmjet hirit të Krishtit që ne jemi rilindur dhe është hiri, dashuria e Shlyerja e Tij, që na ndihmojnë të realizojmë punët e mira dhe të bëjmë përparimin e nevojshëm që ndryshe do të ishte i pamundur nëse ne do të liheshim të vetëm në aftësitë dhe burimet tona.

Lumturi nëpërmjet Shlyerjes

Midis shumë gjërave që admiroj tek Nefi ishte qëndrimi i tij. Jeta e tij nuk ishte e lehtë, veçanërisht kur krahasohet me rehatinë që shumë nga ne e pandehin si të mirëqenë sot. Nefi dhe familja e tij jetuan për vite të tëra në shkretëtirë përpara se të arrinin në tokën e premtuar. Ata vuajtën periudha urie, etjeje dhe rreziku. Nefit iu desh të merrej me probleme të rënda familjare që u acaruan nga Lamani dhe Lemueli, duke u ndarë më në fund ai dhe pasuesit e tij, nga ata që morën anën e Lamanit dhe të Lemuelit.

Përballë gjithë këtyre mungesave në gjërat më elementare dhe vështirësive, Nefi qe në gjendje të thoshte: “Dhe ndodhi që ne jetuam sipas mënyrës së lumturisë” (2 Nefi 5:27).

Ai kuptoi se ka një model të jetuari që krijon lumturi, pavarësisht nga vështirësitë, sfidat dhe zhgënjimet që krijohen në jetën e të gjithëve ne. Ai ishte në gjendje të përqendrohej në figurën e madhe të planit të Perëndisë për të e popullin e tij dhe ishte kështu në gjendje të shmangte mposhtjen për shkak të zhgënjimeve ose vrojtimeve të kujdesshme që jeta nuk është e drejtë. Nuk është e drejtë, por ai dhe populli i tij, pavarësisht nga kjo ishin të lumtur. Ata kuptuan se një Shlyerje do të bëhej dhe ata kishin besim se ajo do të ishte edhe për ata.

Nefi i bënte vetes pyetje të rëndësishme që ne mund t’ia bëjmë vetes kur shqyrtojmë vendin e Shlyerjes së Krishtit në vetë jetën tonë.

“O, atëherë, në qoftë se unë kam parë gjëra kaq të mëdha, në qoftë se Zoti në denjimin e tij ndaj fëmijëve të njerëzve, i ka vizituar njerëzit me kaq shumë mëshirë, përse duhet zemra ime të qajë dhe shpirti të qëndrojë në luginën e hidhërimit dhe mishi im të tretet, dhe fuqia ime të pakësohet për shkak të hidhërimeve të mia?

Dhe pse duhet t’i dorëzohem mëkatit, për shkak të mishit tim? Po, pse duhet t’u hap udhë tundimeve, që i ligu të ketë vend në zemrën time, të shkatërrojë paqen time dhe të hidhërojë shpirtin tim? Pse jam unë i zemëruar për shkak të armikut tim?” (2 Nefi 4:26–27).

Pas vajtimit ai iu përgjigj vetë pyetjeve të tij, duke e ditur qëndrimin që duhej të merrte ndaj problemeve të tij: “Zgjohu, shpirti im! Mos bjer më në mëkat. Gëzohu, O zemra ime dhe mos lër më vend për armikun e shpirtit tim! … O Zot, unë kam besuar te ti dhe unë do të besoj te ti përgjithmonë” (2 Nefi 4:28, 34).

A do të thotë kjo se Nefi nuk pati më probleme? A do të thotë kjo se ai e kuptoi plotësisht gjithçka që po i ndodhte atij? Kujtoni përgjigjen që ai i dha një engjëlli disa vite përpara se t’i bëhej një pyetje e rëndësishme lidhur me Shlyerjen e Krishtit, që do të ndodhte në të ardhmen: “Unë e di se [Perëndia] i do fëmijët e tij; megjithatë, unë nuk e di kuptimin e të gjitha gjërave” (1 Nefi 11:17).

Ne gjithashtu nuk mundemi dhe nuk do ta dimë kuptimin e të gjitha gjërave, por ne mund dhe duhet të dimë se Zoti i do fëmijët e Tij dhe se ne mund të jemi përfitues të një mase të plotë të hirit e Shlyerjes së Krishtit në jetën dhe në përpjekjet tona. Po kështu, ne e dimë dhe duhet të kujtojmë marrëzinë dhe rrezikun që sjell lënia e një vendi për të ligën në zemrën tonë.

Edhe kur ne e kuptojmë plotësisht dhe zotohemi të përjashtojmë të ligën dhe të ligun nga zemrat dhe jeta jonë, ne gjendemi keq sepse shumë shpesh ne jemi burra dhe gra “të natyrshëm” (shih Mosia 3:19). Kështu, ne duhet të jemi mirënjohës për parimin e pendimit dhe ta vëmë atë në jetë. Ndërsa flasim shpesh për pendimin tonë si një ngjarje, siç është ndonjëherë; për shumicën tonë ai është një proces i vazhdueshëm gjatë gjithë jetës.

Sigurisht, ka mëkate si të mosveprimit edhe të veprimit gabim për të cilat ne mund të fillojmë menjëherë procesin e pendimit. Ka lloje të veçanta të padrejtësive e gabimeve nga të cilat mund të heqim dorë tani dhe të mos i përsërisim më kurrë. Ne mund, për shembull, të jemi pagues të së dhjetës së plotë për pjesën tjetër të ditëve tona, edhe pse kjo nuk ka qenë gjithnjë kështu. Por përmasa të tjera të jetës tonë kërkojnë përmirësimin tonë të vazhdueshëm dhe vëmendje vijuese, të tilla si shpirtshmëria, dhembshuria, ndjeshmëria ndaj të tjerëve, interesimi për familjarët, shqetësimi për fqinjët, kuptimi i shkrimeve të shenjta, pjesëmarrja në tempull dhe cilësia e lutjeve tona personale.

Ne mund të jemi mirënjohës që Shpëtimtari, duke na kuptuar më mirë se sa e kuptojmë ne veten, krijoi sakramentin që ne të mund të ripërtërijmë rregullisht besëlidhjet tona duke marrë pjesë në emblemat e shenjta me zotimin për të marrë mbi vete emrin e Tij të shenjtë, për ta kujtuar gjithnjë Atë e për të mbajtur urdhërimet e Tij. Ndërsa ndjekim modelin që na bën të mundur “të jetojmë sipas mënyrës së lumturisë”, pendimi dhe veprimi ynë fitojnë një cilësi më të lartë dhe aftësia jonë për të kuptuar dhe vlerësuar Shlyerjen rritet.

Pendimi dhe Bindja

Në javët përpara organizimit të Kishës më 1830, Profeti Jozef Smith mori një zbulesë të mrekullueshme që e rrit kuptimin tonë të Shlyerjes sepse ishte Shpëtimtari Vetë që po fliste dhe mësonte. Ai e përshkroi Veten si “Shëlbuesi[n] e botës” (DeB 19:1), bëri të ditur se Ai po vepronte sipas vullnetit të Atit dhe tha: “Unë të urdhëroj të pendohesh dhe të zbatosh urdhërimet që ke marrë” (DeB 19:13).

Ky model i thjeshtë i pendimit dhe bindjes është në të vërtetë baza për “[të jetuar] sipas mënyrës së lumturisë”. Ne e dimë se kjo është ajo që duhet të bëjmë, edhe pse ndonjëherë mund të harrojmë përse. Zoti na e kujton psenë me fjalët e mëposhtme nga e njëjta zbulesë:

“Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen;

Por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë;

Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt — dhe të dëshiroj që të mos e pi kupën e hidhur e të mpakem —

Megjithatë, lavdi i qoftë Atit dhe unë mora pjesë e i mbarova përgatitjet e mia për fëmijët e njerëzve” (DeB 19:16–19).

Çfarë mësimi i mrekullueshëm. Unë jam i sigurt se asnjë nga ne nuk mund të imagjinojë domethënien dhe thellësinë e dhimbjes së Zotit kur Ai përmbushi Shlyerjen e madhe. Unë dyshoj se Jozef Smithi në atë kohë kishte një ndjesi të plotë të vuajtjes së Shpëtimtarit, edhe pse Profeti fitoi një vlerësim dhe kuptim më të madh nga provat dhe torturat e veta të viteve të mëvonshme. Mendoni për udhëzimin korrigjues të dhënë nga Vetë Jezusi kur Ai këshilloi dhe ngushëlloi Jozefin në orët e errëta të burgimit të tij në burgun Liberti. Zoti atëherë thjesht tha: “Biri i Njeriut ka zbritur nën këto të gjitha. A je ti më i madh se ai?” (DeB 122:8).

Kjo pyetje drejtuar Jozefit është gjithashtu një pyetje që i drejtohet secilit prej nesh në përpjekjet dhe sfidat tona vetjake e të veçanta. Asnjë nga ne nuk duhet të dyshojë ndonjëherë për përgjigjen e drejtë.

Që Jezusi provoi atë që Ai provoi, jo sepse Ai nuk mund ta shmangte atë, por sepse Ai na do ne, është me të vërtetë kthjelluese. Gjithashtu Jezusi e do dhe e nderon Atin e Tij me një thellësi dhe besnikëri që ne vetëm mund ta imagjinojmë. Nëse ne, si përgjigje, ndiejmë ta nderojmë dhe duam Shpëtimtarin, ne nuk duhet kurrë të harrojmë se atë që Ai bëri, e bëri për ne, që ne të mos mund të vuajmë në atë masë që drejtësia e vetme do ta kërkonte nga ne.

Torturat, privimet, fyerjet, gozhdët e stresi dhe vuajtja e paimagjinueshme, të gjitha çuan në përjetimin e Tij të agonisë së kryqëzimit që nuk mund të durohej nga askush pa forcat e Tij dhe pa vendosmërinë e Tij për t’i rezistuar sulmit dhe për të duruar gjithçka që mund t’i bëhej.

Plotësia e Shlyerjes

Kur shqyrtojmë plotësinë e Shlyerjes dhe vullnetin e Shëlbuesit për të vuajtur për të gjitha mëkatet tona, ne duhet të pranojmë me mirënjohje se sakrifica shlyese mbulon gjithashtu shumë e shumë më tepër! Merrni parasysh këto fjalë të Almës drejtuar popullit besnik të Gideonit, gati një shekull përpara se Shlyerja të bëhej vërtet:

“Dhe [Jezusi] do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; dhe kjo, që të plotësohet fjala që thotë se ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij.

Dhe ai do të marrë përsipër vdekjen që ai të mund të zgjidhë rripat e vdekjes, që e lidhin popullin e tij; dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, sesi të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre.

Tani Shpirti i di të gjitha gjërat; megjithatë, Biri i Perëndisë vuan sipas mishit, që ai të mund të marrë përsipër mëkatet e popullit të tij, që të fshijë shkeljet e tyre, sipas fuqisë çliruese të tij; dhe tani vini re, kjo është dëshmia që është në mua” (Alma 7:11–13).

Mendoni për një ilaç të plotë dhe të gjithë-efektshëm për dhimbjet, vuajtjet, tundimet, sëmundjet, mëkatet, zhgënjimet dhe shkeljet tona. A mund të imagjinoni ndonjë alternativë tjetër nga ajo e Shlyerjes së Jezusit? Pastaj i shtoni asaj Ringjalljen e pakrahasueshme dhe ne fillojmë të kuptojmë mjaft sa të këndojmë: “Qëndroj plot habi kur shoh sa shum’ Krishti më do”.5

Çfarë domethënie ka Shlyerja për ju dhe për mua? Ajo përbën gjithçka. Siç shpjegoi Jakobi, ne mund të: “[pajtohemi] me [Atin], nëpërmjet shlyerjes së Krishtit, Birit të tij të Vetëmlindur” (Jakobi 4:11). Kjo do të thotë se ne mund të pendohemi, të vijmë në harmoni të plotë dhe pranim tërësor me Të dhe të shmangim gabimet ose keqkuptimet që “[mohojnë] mëshirën e Krishtit dhe [përçmojnë] flijimin e tij dhe fuqinë e shëlbimit të tij” (Moroni 8:20).

Ne shmangim përçmimin dhe mungesën e respektit ndaj Shlyerjes së Shpëtimtarit duke ia vënë veshin këshillës së Helamanit, që është po aq aktuale sot sa ishte në vitet pak përpara ardhjes së Zotit në tokë: “O, mbani mend, mbani mend bijtë e mi … se nuk ka as udhë as mënyrë tjetër, nëpërmjet së cilës njeriu mund të shpëtojë, vetëm nëpërmjet gjakut shlyes të Jezu Krishtit, i cili do të vijë; po, mbani mend se ai vjen për të shëlbuar botën” (Helamani 5:9).

Shlyerja e Tij përfshin vërtet botën dhe të gjithë njerëzit nga fillimi deri në fund. Të mos harrojmë, megjithatë, se në gjithë-përfshirjen dhe plotësinë e vet, ajo është gjithashtu tepër personale dhe e përgatitur posaçërisht për t’iu përshtatur përsosmërisht dhe për t’iu adresuar përsosmërisht secilës rrethanë personale ku ndodhemi. Ati dhe Biri njohin secilin prej nesh më mirë sesa e njohim neve veten tonë dhe kanë përgatitur një Shlyerje për ne që është plotësisht në përputhje me nevojat, sfidat dhe mundësitë tona.

Falënderime i qofshin Perëndisë për dhuratën e Birit të Tij dhe falënderime i qofshin Shpëtimtarit për Shlyerjen e Tij. Është e vërtetë dhe është në fuqi dhe do të na çojë atje ku kemi nevojë dhe duam të jemi.

Shënime

  1. Joseph Smith, Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (kursi i studimit i Priftërisë Melkizedeke dhe Shoqatës së Ndihmës, 2007), f. 49.

  2. Bible Dictionary, “Atonement,” f. 617; shih gjithashtu Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta: “Shlyej, Shlyerje”, f. 180.

  3. David A. Bednar, “In the Strength of the Lord,” në Brigham Young University 2001–2002 Speeches (2002), f. 123.

  4. Shih Bible Dictionary, “Grace,” f. 697; shih gjithashtu Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta: “Hir”, f. 64.

  5. “Qëndroj Plot Habi,” Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 22.

Majtas: Lutje në Gjetseman, nga Del Parson

Darka e Fundit, nga Simon Dewey, me mirësinë e Altus Fine Art, American Fork, Utah

Foto ilustrim nga Frank Helmrich