2021
Ta Mbash Muzikën në Zemër të Adhurimit
Mars 2021


Ta Mbash Muzikën në Zemër të Adhurimit

Muzika përherë ka qenë – dhe përherë do të jetë – në zemër të adhurimit, në kishë dhe në shtëpi.

family gathered around piano

Jo shumë javë pasi u organizua Kisha, Zoti e udhëzoi Ema Smithin që të “bë[nte] një zgjedhje të himneve të shenjta … e cila është e kënaqshme për mua, që të kihen në kishën time” (Doktrina e Besëlidhje 25:11). Shenjtorët kishin nevojë për mënyra që t’i mësonin të vërtetat e ungjillit të zbuluara rishtas dhe të bashkoheshin në përlëvdimin e Perëndisë. Dhe himnet do të ishin në zemër të adhurimit dhe të të nxënit të tyre.

Vite më parë, kur familja ime u bashkua me Kishën, prindërit më nxitën që të mësoja muzikën e fesë sonë të re. Kam disa kujtime të gjalla për atë kohë:

  • Kur mësoja përmendsh me familjen time himnin “Lutja Ësht’ Dëshir’ e Shpirtit” (Himne, nr. 83).

  • Kur dëgjoja “O Ati Im” (Himne, nr. 190) dhe mësoja se kisha një Atë dhe një Nënë Qiellore të cilët mund t’i shoh sërish një ditë.

  • Kur ndieja dashurinë e Perëndisë ndërsa këndoja “Ati Im Qiellor më Do” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 16–17) – edhe pse jetoja në shkretëtirë dhe nuk kisha parë asnjëherë një bimë trëndafili!

Shkojmë shumë kohë më pas, në një mbledhje sakramenti në fund të shkurtit 2020. Disa anëtarë të lagjes sonë po përballeshin me kancerin, dhe u ndjeva thellësisht e ngushëlluar kur kori i lagjes këndoi “Sa i Fort’ Një Themel” (Himne, nr. 41). Disa javë më vonë, ndodhën një seri ngjarjesh demoralizuese: karantina, anulimet e kishës dhe një seri tërmetesh dhe paslëkundjesh. Dhe ai himn filloi të luhej në mendjen time sërish:

Frik’ mos ki, me ty jam; mos bjer n’dëshpërim,

Se jam Per’ndia yt dhe t’vij Un’ në ndihm’.

T’forcoj, të ndihmoj, t’bëj në këmb’ të qëndrosh, …

Mbështetur në krahun Tim t’drejt’ dhe plot forc’.

Ndonjëherë duket sikur sfidat globale dhe vetjake po rriten thuajse çdo ditë. Më shumë se kurrë kemi nevojë për mbështetjen shpirtërore nga himnet, këngët e Fillores dhe muzika tjetër e shenjtë.

Asnjë Ndryshim në Qëllim ose Rëndësi

Megjithatë, ndërsa e ndryshuam programin për mbledhjet e Kishës në dy orë, disa pyetën veten nëse roli i muzikës është venitur në adhurimin tonë. Përgjigjja është jo.

  1. Himnet e shenjta janë ende pjesë e çdo mbledhjeje sakramenti, përfshirë ndihmën për t’i përgatitur zemrat tona për ordinancën e sakrametit. Të kënduarit si kor dhe bashkësi dhe muzikë tjetër e shenjtë mund të planifikohen ende për ta pasuruar mbledhjen, ashtu si më parë. Gjatë pandemisë COVID–19, muzika e shenjtë ishte ende një pjesë e rëndësishme e mbledhjeve të shkurtuara të sakramentit, edhe kur ishte vetëm instrumentale.

  2. Fëmijët tanë tani e kalojnë gjysmën e kohës në Fillore duke e mësuar ungjillin nëpërmjet muzikës.

  3. Në orën e dytë, nuk ka këngë hapjeje ose mbylljeje për klasat e të rriturve dhe të rinjve. Por muzika ende mund të përdoret në orët mësimore për të dhënë mësim dhe për të frymëzuar.

  4. Është bërë më e lehtë se kurrë më parë për ta dëgjuar muzikën e shenjtë në aparatet digjitale, duke përdorur programin kompjuterik të Kishës Sacred Music [Muzika e Shenjtë].

Më pak Receta, më shumë Qëllimshmëri

Prapëseprapë, ka pasur disa keqkuptime. Një të diel Pashke, një mësuese i kërkoi ndjesë klasës së saj të Doktrinës së Ungjillit: “E di që nuk duhet të këndojmë në Shkollën e së Dielës, por do të doja vërtet të këndonim së bashku ‘E Di, Jeton Shëlbuesi Im’”. Ajo mësuese ka gjasë të mos jetë e vetmja që e ka keqkuptuar këtë gjë.

Në të vërtetë, muzika është ende po aq thelbësore në adhurimin tonë sa ka qenë përherë. Jini dëshmitar të përditësimit historik që po zhvillohet aktualisht për përmbledhjet tona të himneve dhe këngëve të fëmijëve. Si pjesë e asaj përpjekjeje, anëtarët e Kishës në mbarë botën dorëzuan 16 000 himne, këngë dhe tekste të reja të jashtëzakonshme.

Por me më pak kohë të vendosur për të kënduar në disa prej mbledhjeve tona të së dielës, ne vërtet kemi nevojë të jemi më të kujdesshëm dhe të qëllimshëm në planifikimin dhe përdorimin e muzikës.

group of children singing

Dy parime kyç mund të na ndihmojnë që ta mbajmë muzikën në zemër të adhurimit tonë:

1. E Domosdoshme në Mësimdhënie

Ne mund t’i mendojmë bisedat dhe diskutimet si mjetet parësore për të dhënë mesazhet e ungjillit në shtëpi dhe në Kishë. Dhe mund ta kalojmë pjesën më të madhe të kohës sonë me ato elemente. Por muzika nuk është një zbukurim ekstra. Ajo është pikërisht në zemër të mësimdhënies me fuqi dhe me Shpirt.

Ashtu si Apostulli Pal i këshilloi shenjtorët e hershëm: “Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni nj[ë]ri[‑]tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja” (Kolosianëve 3:16).

Muzika mund të sjellë menjëherë Shpirtin në një mësim apo mbledhje. Zgjedhja e një kënge për t’u kënduar gjatë një ore mësimore të Shkollës të së Dielës ose një diskutimi për manualin Eja, Më Ndiq, meriton të njëjtën konsideratë plot mendim dhe lutje ashtu si shkrimet e shenjta që zgjedhim të lexojmë, ose pjesa e mësimit që zgjedhim të zhvillojmë. Muzika që është zgjedhur me lutje, mund të prekë zemrat, duke lënë mbresa shpirtërore që mund të zgjatin gjithë jetën.

2. “Një Lutje për Mua”

Në momente të caktuara, të gjithë ne mund të përjetojmë kohë kur ndihemi të dëshpëruar, kohë kur shtegu përpara nesh është i paqartë. Ndonjëherë mund të duket sikur vazhdojmë hedhim të njëjtën nevojë të ngutshme drejt qiellit, pa ndonjë përgjigje të marrë apo zgjidhje. Në kohë të tilla, mund të jetë tunduese të arrijmë në përfundimin se Perëndisë nuk i interesojmë ose se nuk jemi të denjë për përkujdesjen prej Tij. Madje ndonjëherë mund të ndihemi sikur po heqim dorë nga lutja.

Për kohët kur ndiejmë një mungesë të lidhjes shpirtërore me qiellin, ja tek është një e vërtetë ngushëlluese: Muzika e shenjtë faktikisht mund të jetë një formë lutjeje. Vetë Zoti e shpjegoi këtë kur caktoi Emën që të bënte librin tonë të parë të himneve: “Sepse shpirti im kënaqet në këngën e zemrës; po, kënga e të drejtëve është një lutje për mua” (Doktrina e Besëlidhje 25:12; theksimi i shtuar).

Dhe kur ne ia japim Atij me sinqeritet këngën e zemrës sonë, Zoti premtoi që përherë do të përgjigjej me një bekim: “Ajo do të marrë përgjigje me një bekim mbi kokat e tyre. Prandaj, gëzohu në zemrën tënde e ngazëllehu” (Doktrina e Besëlidhje 25:12–13).

Në një çast të vështirë në jetën time, nuk mund t’i dalloja përgjigjet e lutjeve të mia të ndiera për një periudhë të gjatë kohe. Një mikesha ime e dashur po kalonte vetë disa vështirësi. Por ndërsa luajtëm në instrument dhe kënduam himne dhe këngë të ungjillit së bashku, ne shpesh përjetuam ndjenja pushtuese ngushëllimi dhe dëshmie. Unë tani e dalloj se Zoti po përmbushte premtimin e Tij. Ai po iu përgjigjej këngëve të zemrës sime, sërish e sërish. Dhe kjo vërtet më ndihmoi të më gëzohej zemra dhe të vazhdoja.

young woman visiting a cemetery

Photograph by Robert Casey

Në Çfarëdo të Diele

Në çfarëdo të diele, mund të jemi të sigurt se disa njerëz në bashkësitë tona, disa njerëz në klasat tona dhe disa njerëz në familjet tona janë në ujërat e thella të pikëllimit vetjak. Të tjerë do të jenë në lugina paqësore me bekime që vërshojnë. Sidoqoftë, të tjerë do të jenë thjesht duke mësuar të vërtetat bazë të ungjillit.

Kur ne e mbajmë muzikën në vendin që i takon, në zemër të adhurimit tonë, ne mund t’i ndihmojmë të gjithë të gjejnë mundësitë për ta ndier Shpirtin, për t’i mësuar të vërtetat e ungjillit dhe për ta lavdëruar Zotin për mirësinë e Tij. Dhe mund t’i ndihmojmë të gjithë që këngët e zemrave të tyre të marrin përgjigje në mënyra që vetëm Ati ynë i dashur dhe i amshuar mund t’i japë.