“Dua të Shkoj në Parajsë”
Kur u luta dhe e pyeta Perëndinë për këtë shteg të ri, u ndjeva më i bindur për të vërtetën që kisha gjetur.
Kam qenë një anëtar i zotuar i një kishe tjetër, por pastaj fillova të studioja mësimet e saj për purgatorin. Kjo ide jep mësim se shpirti, pas vdekjes fizike, pranohet në një vend të ngjashëm me burgun, ku duhet të pastrohet përpara se të shkojë në parajsë.
Ndërkohë që mendoja për shpirtrat e vuajtur në purgator, reflektova për vetë të ardhmen time shpirtërore dhe marrëdhënien time me Jezu Krishtin. Fillova të lutesha: “Çfarë duhet të bëj që t’i shmangem purgatorit? Dua të shkoj në parajsë.”
Gjëja e parë që më erdhi në mendje, ishte t’i jetoja Dhjetë Urdhërimet. Ndjeva se po ta bëja atë, hiri i Zotit do të më lejonte ta shmangia purgatorin. U zotova që t’i zbatoja urdhërimet dhe fillova një periudhë intensive agjërimi, lutjeje, studimi të shkrimeve të shenjta dhe meditimi.
Gjatë kësaj kohe, ndjeva nxitjen që t’i bëja një pyetje të pazakontë një mjeku në klinikën ku punoja si kryefinancier.
“Dr. Tibo”, thashë unë, “a e keni Zotin Jezu Krisht në kishën tuaj?”
Ai deklaroi se i përkiste Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Nga ai çast e tutje, Shpirti e udhëhoqi diskutimin tonë. E pyeta atë për ndryshimet midis kishës së tij dhe kishës time. Ai më tregoi për Librin e Mormonit. Ndërsa e vazhduam bashkëbisedimin tonë, gëzimi ma mbushi shpirtin. Ndjeva se po merrja përgjigje për lutjet e mia.
Dy ditë më vonë, misionarët më dhanë një Libër Mormoni, të cilin e lexova dhe e studiova me ta. Më dukej e mrekullueshme të mësoja gjëra të reja nga shkrimet e shenjta. Fillova t’i bindesha Fjalës së Urtësisë.
Kur e kuptova se e kisha humbur interesin për kishën time, ku kisha qenë shumë i përfshirë, pyesja veten se çfarë po ndodhte. U luta dhe e pyeta Perëndinë për këtë shteg të ri. Kur e bëra, u ndjeva më i bindur për të vërtetën që kisha gjetur. Vendosa të bashkohesha me Kishën edhe pse e dija se do të përballesha me përndjekje.
Përndjekja erdhi vërtet por Zoti më forcoi. Unë e di se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ishte përgjigjja për lutjen time të sinqertë: “Dua të shkoj në parajsë”. Unë e di se mund të shkoj atje pasi të vdes, nëse u qëndroj besnik urdhërimeve të Perëndisë.