2021
Ngutja për në Mbledhjen e Sakramentit
Mars 2021


Ngutja për në Mbledhjen e Sakramentit

Mendova se e kishim humbur sarkamentin – sërish.

loaf of bread

Fotografia nga Getty Images

Kur u shpërngulëm nga Shtetet e Bashkuara për në Vietnam, unë dhe bashkëshorti im ishim të vendosur që të mos mungonim asnjëherë në Kishë. Pas një viti, nuk kishim munguar as edhe në një mbledhje të vetme të dielën, por shpesh ishim vonë dhe shpesh e humbisnim sakramentin. Mbledhja jonë e sakramentit fillonte në 08:30. Me tre fëmijë të vegjël, të bëheshe gati në kohë për kishë shpesh dukej e pamundur.

Si familje vendosëm se duhej të arrinim vazhdimisht në kohë për kishë dhe ta merrnim sakramentin. Ishte e vështirë, por ia dolëm të shkonim në kohë në kishë për katër të diela radhazi. E vura re ndryshimin që bënë përpjekjet tona. Kishim më shumë përvoja shpirtërore gjatë javës.

Megjithatë të dielën pasuese u zgjuam vonë. Ishte thuajse 07:30 e mëngjesit. I thashë bashkëshortit tim se nuk kishte shpresë, por pastaj mendova se si do të bekoheshim po të bënim më të mirën tonë për t’u bërë gati, sido që të ishte. Kështu që nxituam.

Në kohën që mbërritëm në Kishë, ishim 20 minuta me vonesë. Ndjeva se nuk ia kishim dalë. Kur hymë, dëgjuam që po këndohej dhe kur e hapa derën, dikush po shkonte drejt podiumit për t’u lutur.

“A ishte himni i hapjes?” i pëshpërita misionarit që po qëndronte te dera.

“Po”, tha ai. “Filluam vonë sot.”

U shtanga. Mendova se nuk ia kishim dalë sërish, por arritëm në Kishë pikërisht në kohë! Lot më rrodhën në fytyrë ndërsa ndjeva dashurinë e Atit Qiellor për familjen time të vogël dhe mua.

Më vonë morëm vesh se kur misionarët kishin mbërritur në kishë atë të diel, kuptuan se asnjë njeri nuk kishte sjellë bukë për sakramentin. Nuk kishte asnjë dyqan afër dhe në Vietnam mezi gjen bukë. Pas një çasti paniku, pleqtë [elldërat] u kujtuan se kishin bukë në shtëpi.

Disa ditë më parë, pleqtë kishin ardhur në shtëpinë tonë për darkë. Atë mbrëmje, e kisha bërë vetë në shtëpi bukën për ta. Kisha kishte filluar vonë të dielën në mëngjes sepse pleqtë kishin shkuar me vrap në shtëpi për të marrë bukën që kisha përgatitur për ta!

Perëndia i sheh përpjekjet tona ndërsa orvatemi për t’i zbatuar urdhërimet e Tij. Ndonëse ndonjëherë dështojmë, Ai na do dhe do të përgatitë mënyra që ne t’ia dalim mbanë – edhe kur është thjesht për të shkuar në kishë në kohë.