Në Kërkim për të Arritur Plotësinë e Krishtit
Nga një fjalim në takimin shpirtëror shumërajonal për të rinjtë në moshë madhore, “The Measure of the Stature of the Fulness of Christ” [“Masa e Shtatlartësisë të Plotësisë së Krishtit”], dhënë në Stenford, Kaliforni, SHBA, më 9 shkurt 2020.
Këtë periudhë Pashke, ndiqni rrugën për te Jezu Krishti dhe kërkoni zërin e Tij sigurues paqësor.
Më lejoni të jap disa mendime rreth hulumtimit vetjak që secili prej jush do të bëjë për kërkimin e “plotësisë” së shtatlartësisë së Krishtit (shih Efesianëve 4:13). Unë shpresoj se do të kenë ca vlerë për ju në këtë kohë formuese në jetën tuaj dhe në rrethanat në të cilat gjendeni.
Disa prej jush janë atje ku dëshirojnë të jenë, ose të paktën e dinë se ku dëshirojnë të arrijnë në jetë. Disa prej jush duket se kanë shumë bekime dhe zgjedhje të mrekullueshme përpara. Të tjerë prej jush ndihen, për një moment dhe për çfarëdo arsyeje, me më pak fat dhe me më pak shtigje tërheqëse që shtrihen pikërisht përpara tyre.
Por kudo që po shkoni dhe sido që po i përballoni sfidat tuaja për të arritur atje, unë ju kërkoj të vini te Shpëtimtari, Jezu Krishti, si hapi parësor i domosdoshëm për të arritur në pikëmbërritjen tuaj vetjake, për të gjetur lumturinë dhe forcën tuaj vetjake dhe për të arritur fatin tuaj përfundimtar dhe suksesin tuaj (shih 1 Nefi 10:18; 2 Nefi 26:33; Omni 1:26; Doktrina e Besëlidhje 18:11).
Të gjitha këto mund të jenë tuajat nëse përgjigjja për pyetjen “Ku shkon ti?” (Moisiu 4:15) është “Kudo që ti je, Zot”.
Jeta mund të jetë sfiduese. Ne kemi dhembje dhe keqardhje, dhe probleme reale për të përballuar. Ne kemi zhgënjime dhe brenga, të gjitha llojet e uljeve dhe ngritjeve të jetës. Por Zoti dhe profetët kanë folur mjaft fjalë nxitëse rreth asaj se si t’i përballojmë ato probleme aq sa të mbushim një ditar sa kozmosi.
“Unë po ju Lë Paqen”
Bekimi i Shpëtimtarit për dishepujt e Tij, madje edhe kur kaloi përmes dhembjes dhe agonisë në Gjetseman dhe Kalvar, është bekimi më prekës nga këto fjalë. Në atë natë, natën e vuajtjes më të madhe që ka ndodhur ndonjëherë ose që do të ndodhë ndonjëherë në botë, Shpëtimtari tha: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time. … Zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” (Gjoni 14:27).
Çfarë pikëpamje mahnitëse për jetën në orët më të mundimshme! Si mundet Ai ta thotë atë, ndërkohë që do përballej me atë që Ai e dinte se do të përballej? Ai mund ta thotë atë sepse të Tijat janë Kisha dhe ungjilli me përfundime të lumtura. Për ne, fitorja është fituar tashmë. Ai po e sheh me një këndvështrim të gjerë; Ai po tregon tablonë e madhe.
Sidoqoftë, mendoj se disa prej nesh ende mund ta kemi brenda vetes atë mbetje klishe të trashëgimisë puritane që thotë se në njëfarë mënyre është e gabuar të ngushëllohesh apo të marrësh ndihmë, se ne supozohet të jemi të mjeruar për diçka gjatë gjithë kohës. Unë sugjeroj që të “m[arrësh] zemër” (Gjoni 16:33) në kërkimin për “masën e shtatit të plotësisë së Krishtit” (Efesianëve 4:13) mund të jetë urdhërimi që, madje edhe në zemrat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme besnikë për të tjerat, pothuajse përgjithësisht nuk merr bindje; dhe sidoqoftë me siguri asgjë nuk mund të jetë më e hidhur për zemrën e mëshirshme të Zotit.
Sado i shqetësuar që do të isha nëse në një çast në jetën e vet, një nga fëmijët e mi do të kishte shqetësime serioze ose do të ishte i/e palumtur apo i/e pabindur, sidoqoftë, do të isha edhe më pafundësisht i dërrmuar po të ndieja që në një çast të tillë ai fëmijë nuk do të mund të kishte mirëbesim tek unë se do ta ndihmoja apo të mendonte se interesi i tij ose i saj do të ishte i parëndësishëm për mua ose i pasigurt nën kujdesin tim.
Me po atë qëndrim, unë jam i bindur se askush nga ne nuk mund ta vlerësojë se sa thellë plagoset zemra e dashur e Perëndisë, Atit ose Birit të Tij, Shpëtimtarit të botës, kur zbulojnë se njerëzit nuk kanë siguri në kujdesin e Tyre ose ndihen të pasigurt në duart e Tyre apo nuk u mirëbesojnë urdhërimeve të Tyre. Miqtë e mi, vetëm për këtë arsye, ne kemi detyrë të jemi të gëzuar!
“Hiri [i Tij] … Mjafton”
Një këshillë tjetër rreth kërkimit të Krishtit dhe masës së plotësisë së Tij ndodhi pasi Jezusi kishte kryer mrekullinë e ushqyerjes së 5 000 vetëve me pesë bukë dhe dy peshq (shih Mateu 14:13–21). (Meqë ra fjala, mos u shqetësoni se Krishti nuk ka më mrekulli për t’ju ardhur juve në ndihmë. “Hiri [i Tij] … mjafton” [2 Korintasve 12:9]. Ky është një mësim shpirtëror, i përjetshëm nga kjo mrekulli. Ai ka me bollëk bekime për t’i shpërndarë nëpër disa shporta plot me teprica! Jini besues dhe shijojeni ofertën e Tij të “buk[ës së] jetës”! [Gjoni 6:35.])
Pasi Jezusi e kishte ushqyer turmën, Ai u tha të shkonin dhe u kërkoi dishepujve të Vet të hipnin te barka e peshkimit që të kalonin në anën tjetër të Detit të Galilesë. Ai pastaj “u ngjit vetëm mbi mal për t’u lutur” (Mateu 14:23).
Kur dishepujt hipën në barkë, thuajse ishte ngrysur dhe nata ishte e stuhishme. Erërat duhet të kenë qenë të furishme që në fillim. Për shkak të erërave, këta burra ndoshta nuk do kenë ngritur as velat, por kanë punuar fort vetëm me rremat – dhe punë e mundimshme duhet të ketë qenë.
Ne e dimë këtë sepse në kohën e “rojë[s së] katërt të natës” (Mateu 14:25) – diku midis orës 03:00 dhe 06:00 të mëngjesit – ata kishin përshkuar vetëm pak kilometra (shih Gjoni 6:19). Në atë kohë barka u mbërthye nga një stuhi vërtet e dhunshme.
Por, si gjithmonë, Krishti po i ruante ata. Duke parë vështirësinë e tyre, Shpëtimtari thjesht mori rrugën më të shkurtër për te barka e tyre, duke ecur përmbi dallgë për t’i ndihmuar.
“Mos Kini Frikë”
Në çastin kur ishin në një ankth të skajshëm, dishepujt vërejtën dhe panë në errësirë këtë mrekulli me një rrobë që ia valëviste era, duke ecur drejt tyre mbi kreshtat e detit. Ata bërtitën të tmerruar nga pamja, duke menduar se ishte një fantazmë mbi dallgë. Pastaj, përmes stuhisë dhe errësirës – kur deti dukej kaq i madh dhe barka e tyre kaq e vogël – erdhi zëri i epërm dhe sigurues i paqes nga Mësuesi i tyre: “Jam unë, mos kini frikë” (Mateu 14:27).
Ky rrëfim nga shkrimi i shenjtë na kujton se në ardhjen te Krishti, duke kërkuar plotësinë e Tij, ose në ardhjen e Tij tek ne për të na e sjellë atë plotësi, hapi i parë mund të na mbushë me diçka shumë të ngjashme me tmerrin e plotë. Nuk duhet, por ndodh ndonjëherë. Një nga ironitë e mëdha të ungjillit është se pikërisht burimi i ndihmës dhe i sigurisë që na ofrohet, është gjëja nga e cila ne, sipas dritëshkurtësisë sonë njerëzore, mundet të largohemi.
Cilado të ketë qenë arsyeja, unë kam parë kërkues të sprapsen nga pagëzimi. Kam parë pleq [elldëra] të sprapsen nga një thirrje për mision. Kam parë të dashuruar të sprapsen nga martesa. Kam parë anëtarë të sprapsen nga thirrjet sfiduese. Dhe kam parë njerëz të sprapsen nga anëtarësia e tyre në Kishë.
Shumë shpesh ne sprapsemi pikërisht nga gjërat që do të na shpëtojnë dhe qetësojnë. Shumë shpesh ne i shohim zotimet ndaj ungjillit si diçka për t’u frikësuar dhe pastaj për të hequr dorë.
Plaku Xhejms E. Talmixh (1862–1933) tha: “Në jetën e çdo të rrituri vijnë përvoja si lufta e lundërtarëve që përhidhen nga stuhia me erërat e kundërta dhe detet kërcënuese; shpesh nata e mundimit dhe e rrezikut është shumë e gjatë para se të shfaqet ndihma; dhe atëherë, shumë shpesh ndihma për shpëtim keqkuptohet sikur është tmerri më i madh. [Por], ashtu siç iu erdhi [këtyre dishepujve] në mes të ujërave të trazuara, kështu vjen tek të gjithë ata që mundohen plot besim, zëri i Çliruesit – ‘Jam unë; mos kini frikë’.”1
Ejani tek Ai
Gjëja e mrekullueshme e kësaj ftese për ta pranuar Shpëtimtarin, për të ardhur tek Ai dhe për të kërkuar që të arrihet plotësia e shtatlartësisë së Tij, është që çdokush mund ta bëjë atë. Kjo nuk do të thotë se çdo njeri që njihni dëshiron t’i zbatojë urdhërimet, ose se çdonjëri që ndeshni do të jetë duke i zbatuar urdhërimet. Por ajo që vërtet nënkupton është se është e mundur t’i zbatojmë urdhërimet pa ndonjë dhuratë ose trashëgimi të veçantë për ta bërë atë.
Unë lutem shumë që besimi që është “shkëlqyes dhe i shndritshëm, dhe i pastër, dhe i fortë” për Krishtin të “sillet në çdo centimetër katror të kulturës [sonë]”2 dhe që shtatlartësia e Krishtit në jetën tonë të jetë në masën e plotë (shih Efesianëve 4:13).
Jeta do t’ju sfidojë. Vështirësitë do të vijnë. Do t’ju thyhet zemra. Njerëz të dashur do të vdesin. Ndaj, kudo që po shkoni, së pari ndiqni rrugën për te Jezu Krishti. Mbani mend që vuajtja dhe Ringjallja e Tij e bëjnë të mundur fitoren tonë mbi vështirësinë dhe vdekjen. Bëni besëlidhjet tuaja me Të dhe mbajini ato ndërsa vazhdoni udhëtimin.
Me të gjitha dobësitë e mia, të cilat i pranoj lehtësisht, dëshiroj shumë që të arrijmë “masën e shtatit të plotësisë së Krishtit”. Dëshiroj të shkoj tek Ai. Dëshiroj që Ai, nëse është e mundur, të vijë tek unë. Dhe me të vërtetë e dua atë bekim për të gjithë ju.