2021
Të Udhëhequr nga Zoti
Mars 2021


Vetëm në Format Elektronik: Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Të Udhëhequr nga Zoti

Zoti na njeh dhe e di se çfarë është e drejtë për ne tani.

man and woman working together in kitchen

Fotografia nga Cody Bell

Zhizela

Përpara se të martoheshim, Andrea po merrej me punimin e doktoratës së tij dhe pranoi një pozicion pune në Universitetin e Miçiganit. U martuam dhe u shpërngulëm në Miçigan. Përfundimisht, Andrea filloi të kishte disa probleme në punë dhe dëshironte të ndryshonte punë.

Ishim të rinj, sapo ishim martuar dhe nuk dinim se çfarë të bënim. Vendosëm të luteshim për këtë.

Andrea

Një ditë, vajta në universitet dhe pashë një njoftim ku ishin publikuar pozicione të lira pune. Bëra kërkesë në tri publikime të ndryshme për vende pune. Për një javë, m’u propozuan të tre vendet e punës.

Zhizela

Pyetëm veten se çfarë të bënim. U lutëm përsëri. Njëri pozicion ishte në Angli, por donim të qëndronim në Shtetet e Bashkuara. Njëri ishte në Teksas dhe vendi tjetër i punës ishte në Merilend afër Uashington D.K-së. Vendi i punës në Merilend ishte me NASA‑n. Andrea është shkencëtar, kështu që NASA dukej një vend i mirë për të shkuar.

Andrea

Ndërsa po shpërnguleshim për në Merilend, po ngisja makinën ndërsa Zhizela po flinte. Ishte herët në mëngjes kur pashë Tempullin e Uashington D.K.-së.

“Zgjohu! Zgjohu. A mund ta shohësh?” i thashë Zhizelës. “Është si kështjellë!”

Zhizela

I thashë Andreas që ndoshta një ditë mund të shkonim dhe ta vizitonim. Nuk e kishim idenë se çfarë ishte. Disa ditë pasi mbërritëm në Merilend, shkova në bibliotekë për të përdorur internetin që të bëja kërkesë për punë dhe të kontrolloja postën time elektronike.

Një zonjë që punonte aty, dëgjoi theksin tim dhe më pyeti se nga isha. I thashë se isha nga Brazili dhe filluam të flisnim. Emri i saj ishte Edna. I thashë që sapo ishim shpërngulur nga Miçigani dhe i përmenda se ku jetonim.

“Jetoj në të njëjtat apartamente”, tha Edna.

Kur shkova sërish në bibliotekë të nesërmen, Edna tha: “Jam kaq e gëzuar që u ktheve sërish. Dëshiroj t’ju ftoj ty dhe bashkëshortin tënd në shtëpinë time për darkë.”

Mendova se ishte e çuditshme sepse nuk më njihte. Pastaj ajo tha: “U luta për ju sepse ndjeva diçka vërtet të veçantë kur të takova dje”.

Shkuam në shtëpinë e saj dhe morëm vesh që bashkëshorti i saj kishte ndërruar jetë kohët e fundit. Pas darkës, ajo luajti në piano “Zot, Un’ Ty do të t’Ndjek” (Himne, nr. 137). Ajo tha se ishte himni i parapëlqyer i bashkëshortit të saj dhe u këndua në funeralin e tij. Pastaj ajo na foli për planin e shpëtimit dhe na ftoi që të shkonim në kishë me të.

Ne shkuam në kishë dhe njerëzit atje ishin mikpritës. Vendosëm të shkonim të dielën e ardhshme. Ramë dakord të bënim mësimet me misionarët. Edna propozoi që t’i bënim mësimet në shtëpinë e saj. Për pesë muaj shkuam në kishë çdo të diel. Zemrat dhe shpirtrat tanë po përgatiteshin për pagëzim.

Andrea

Kur u njoftua pagëzimi ynë, çdokush dukej i habitur. “Ua, nuk jeni anëtarë ju?” thanë ata. “Por ju vini këtu çdo javë!” Pagëzimi ynë ishte i veçantë. Thuajse e gjithë lagjja mori pjesë.

Ne u vulosëm në Tempullin e Uashington D.K-së një vit më vonë. Kur shkuam në tempull e kuptuam se ishte kështjella që pamë gati një vit më parë.

Zhizela

Pasi u vulosëm në tempull, një sërë gjërash nuk po shkonin mirë.

Pas 11 shtatorit 2001, ishte e vështirë që ne t’i rinovonim vizat. Isha e trishtuar sepse sapo isha diplomuar nga një kolegj komunitar dhe kisha bërë kërkesë për bursë të plotë në Universitetin e Merilendit. Nuk e mora bursën dhe laboratori ku punonte Andrea po mbyllej.

Menduam se ndoshta kishte ardhur koha që të ktheheshim në Brazil.

Andrea

Peshkopi ynë na tha se mund të ndihmonim shumë anëtarë në Brazil dhe të rriteshim në mënyra siç nuk do të mundeshim në Shtetet e Bashkuara. Ai na këshilloi të qëndronim afër Kishës.

“Shkoni në Brazil dhe shërbejini Zotit”, tha ai.

Pasi jetuam në Brazil për pak kohë, presidenti ynë i kunjit na erdhi në shtëpi dhe më thirri për të shërbyer si peshkop. Në njëfarë mënyre e dija se do të thirresha. Disa net përpara se të thirresha, nuk më zinte gjumi. Po mendoja dhe po studioja.

Zhizela

Pyeta veten se çfarë po ndodhte. E pashë të ndryshonte përpara se të thirrej.

Andrea

Kur e fillova thirrjen lagjja jonë kishte 80 anëtarë aktivë. Kur u lirova nga thirrja, shumë më tepër anëtarë morën pjesë rregullisht në kishë dhe 12 misionarë shkuan në fushën e misionit nga lagjja jonë. Ishte e mrekullueshme!

Rreth kohës kur u lirova nga thirrja, Presidenti Diter F. Uhtdorf, u lirua nga Presidenca e Parë. Më kujtohet Presidenti Rasëll M. Nelson që tha se Presidenti Uhtdorf kishte përgjegjësi të reja dhe të rëndësishme në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve.

Tre muaj më vonë, unë u thirra si këshilltar i parë në presidencën e misionit. Nuk shërbeva në një mision por më pëlqen shumë thirrja ime. Më pëlqen shumë të punoj me misionarët. Zoti më njeh. Ai e dinte se duhej të lirohesha nga thirrja si peshkop që të mund të shërbej në kohën dhe vendin që është i duhuri për mua tani.