Sillni Sionin
Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme të bekuar me ungjillin e rivendosur, neve na kanë thirrur që të forcojmë Kishën dhe të ndërtojmë Sionin.
Gjatë gjithë historisë, populli i Zotit ka kërkuar të krijojë një shoqëri ungjilli ku Ai të mund të banojë. Për t’u bërë një komunitet i tillë shenjtorësh, duhet të mësojmë t’i shenjtërojmë dhe t’i njëjtësojmë zemrat dhe mendjet tona, të sillemi me njerëzit me drejtësi pa grindje dhe mosmarrëveshje dhe të banojmë në drejtësi pa të varfër mes nesh (shih Moisiu 7:18).
Për shembull, pasi Xhon dhe Maria Linfordi iu bashkuan Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Grejvli të Anglisë, në vitin 1842, Xhoni u bë presidenti i degës vendore. Megjithatë, të afërmit dhe miqtë nuk kishin të njëjtin gëzim që çifti Linford gjeti te Rivendosja. Nëse nuk do të mund ta bindnin Xhonin të hiqte dorë nga feja e tij e re, atëherë do ta “kushtëzonin të nënshtrohej” duke bojkotuar sipërmarrjen e tij të prodhimit të këpucëve.
Në vitin 1856, Fondi i Qarkullueshëm i Emigrimit i dha Xhonit dhe Maries mundësinë për të imigruar drejt luginës së Solt‑Lejkut. Ata lundruan drejt Nju‑Jorkut me tri bijtë e tyre. Prej andej udhëtuan drejt Ajoua-Sitit në Ajoua, nga i cili u larguan në qershor 1856 me kompaninë fatkeqe të karrocave të dorës të Xhejms G. Uillit.
Herët më 21 tetor, pranë brigjeve të Lumit Suituotër në Uajoming, Xhoni tha fjalët e tij të fundit.
“Jam i gëzuar që erdhëm”, i tha Maries kur ajo e pyeti a i vinte keq që ishin larguar nga Anglia. “Unë nuk do të arrij i gjallë në Solt-Lejk, por ti dhe djemtë po, dhe nuk ndiej keqardhje për gjithçka kemi kaluar nëse djemtë tanë mund të rriten e të krijojnë familjet e tyre në Sion.”1
Çfarë Është Sioni?
Përveç lindjes së Zotit Jezu Krisht, pak tema i kanë frymëzuar profetët e lashtë e bashkëkohorë dhe shenjtorët më shumë sesa mbledhja e shtëpisë së Izraelit në ditët e mëvonshme dhe ndërtimi i Sionit në përgatitje për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.2
Pse është Sioni me aq rëndësi për shenjtorët e ditëve të mëvonshme – atëherë dhe tani, kudo që gjendet populli i Zotit?
Plaku Brus R. Mek-Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, deklaroi: “Nga koha e Adamit deri në këtë çast – kurdoherë që Zoti ka pasur një popull të vetin; kurdoherë që ka pasur nga ata që ia kanë vënë veshin zërit të Tij dhe i kanë zbatuar urdhërimet e Tij; kurdoherë që shenjtorët e Tij i kanë shërbyer Atij me qëllim të plotë të zemrës – ka pasur Sion”3.
Shkrimet e shenjta përshkruajnë një shoqëri Sioni. Enoku, një profet me besim të madh gjatë kohës së Noeut “ndërtoi një qytet që u quajt Qyteti i Shenjtërisë, madje Sion” (Moisiu 7:19). Zoti banoi atje me popullin e Tij, duke i bekuar ata dhe tokën e tyre (shih Moisiu 7:16–18). Zoti i tha Enokut: “Vër re, unë jam Perëndi; Njeri i Shenjtërisë është emri im” (Moisiu 7:35).
Një nga aspiratat e Sionit është të ngrejë një vend të bashkuar besimi, të themeluar mbi parimet çelestiale të qiellit, ku njerëzit e Perëndisë mund të ecin me Të dhe Vetë Perëndia të mund të banojë.
Libri i Mormonit dëshmon se pasi Shpëtimtari i ringjallur e vizitoi Botën e Re, “i gjithë populli ishte kthyer në besim te Zoti, mbi tërë faqen e dheut. …
Dhe ata kishin të gjitha gjërat e përbashkëta mes tyre; prandaj nuk kishte të pasur dhe të varfër, skllevër dhe të lirë, por ata të gjithë ishin bërë të lirë dhe pjesëmarrës të dhuratës hyjnore. …
Dhe ndodhi që nuk pati grindje në tokë, për shkak të dashurisë së Perëndisë që jetonte në zemrat e njerëzve” (4 Nefi 1:2, 3, 15).
Të Armatosur me Drejtësi dhe Fuqi
Koha e Enokut ishte një periudhë lufte, gjakderdhjeje, frike, errësire dhe urrejtjeje – kur “fuqia e Satanit ishte mbi tërë faqen e dheut” (Moisiu 7:24; shih edhe vargjet 16, 17, 33). Por Enoku ishte besnik dhe Zoti e thirri që të bënte thirrje për pendim.
Zoti i tha Enokut që “mundime të mëdha” të ngjashme (Moisiu 7:61) do t’i paraprinin Ardhjes së Dytë të Tij. “Ashtu siç unë jetoj, po kështu do të vij në ditët e fundit, në ditët e ligësisë dhe të hakmarrjes, për të përmbushur betimin që të kam bërë lidhur me fëmijët e Noeut” (Moisiu 7:60).
Për kohën tonë, Presidenti Rasëll M. Nelson vërejti së fundi: “E shoh pandeminë e tanishme [COVID-19] si vetëm njërën nga sëmundjet e shumta që pllakosin botën tonë, përfshirë urrejtjen, trazirat civile, racizmin, dhunën, pandershmërinë dhe mungesën e qytetarisë”4. Prapëseprapë ne kemi siguri profetike. Presidenti Nelson ka thënë gjithashtu:
“Ne jetojmë në kohën që ‘baballarët tanë e kanë pritur me një shpresë të dëshiruar’. [Doktrina e Besëlidhje 121:27.] Ne jemi të ulur në rreshtin e parë që ta dëshmojmë drejtpërsëdrejti atë që profeti Nefi e pa vetëm në vegim, që ‘fuqi[a] e Qengjit të Perëndisë’ do të zbriste mbi ‘njerëzit e besëlidhjes së Zotit që ishin shpërndarë mbi të gjithë faqen e tokës; dhe ata ishin armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe’. [1 Nefi 14:14.]
Ju, vëllezërit dhe motrat e mia, jeni mes atyre burrave, grave dhe fëmijëve që pa Nefi.”5
Ftesa për t’i mbledhur dhe bekuar ata që janë në të dyja anët e velit, për të ndërtuar Sionin dhe për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit tonë, e përfshin secilin prej nesh. “Nga të gjithë njerëzit që kanë jetuar ndonjëherë në planetin tokë”, tha Presidenti Nelson, “ne jemi ata që na u dha mundësia të marrim pjesë në këtë ngjarje të fundit, në këtë mbledhje të madhe.”6
Si Mund ta Arrijmë Këtë?
Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, të bekuar me ungjillin e rivendosur, ne jemi “thirrur të puno[jmë] në vreshtin [e Zotit] dhe të ngre[më] kishën [e Tij] e të sjell[im] Sionin” (Doktrina e Besëlidhje 39:13). Ajo punë kërkon dashuri, bashkim, besim, shërbim, sakrificë dhe bindje.
“Kur njerëzit e duan Perëndinë me gjithë zemër dhe përpiqen fort me drejtësi që të bëhen si Ai, ka më pak mosmarrëveshje dhe grindje në shoqëri. Ka më shumë bashkim”, tha Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ai shtoi: “Bashkimi është … një term i gjerë nga ana kuptimore, por pa dyshim, ilustron urdhërimin e parë dhe të dytë të madh për ta dashur Perëndinë dhe për t’i dashur bashkëqeniet tona. Ai nënkupton një popull Sioni, zemra dhe mendja e të cilit janë të ‘thurura në bashkim’ [Mosia 18:21].”7
Me atë dashuri dhe bashkim, ne ushtrojmë besim për t’u mbështetur te Shlyerja e Shpëtimtarit tonë, e cila mund të na shndërrojë teksa i dëlirim zemrat dhe jetën tonë (shih Mosia 3:19; Doktrina e Besëlidhje 97:21). Ne mbledhim ata që janë të gatshëm të vijnë te Zoti në drejtësi. Nëpërmjet ordinancave të shenjta dhe parimeve çelestiale, ne e ftojmë fuqinë e perëndishmërisë në jetën tonë (shih Doktrina e Besëlidhje 105:5). Të shenjtëruar me anë të përkatësisë në besëlidhje me Perëndinë dhe njëri-tjetrin, ne ndërtojmë Sionin dhe përgatitemi për Ardhjen e Dytë.
“Dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit”, tha Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë. “Dhe është besimi tek Ai dhe ndikimet e plota të Shlyerjes së Tij të pafundme që do t’ju kualifikojnë ju dhe njerëzit që i doni e u shërbeni, për dhuratën hyjnore që të jetoni në atë shoqërim të një Sioni të kërkuar e premtuar prej kohësh.”8
Përgatituni për Ditët që do të Vijnë
Profetët e kohëve të sotme japin mësim se ardhja te Shpëtimtari është çështje zotimi individual, jo çështje vendndodhjeje fizike.
“Në kohët e hershme të Kishës, kthimi në besim shpesh do të thoshte edhe emigrim”, ka shpjeguar Presidenti Nelson. “Por tani mbledhja ndodh në çdo komb. Zoti ka dekretuar krijimin e Sionit në çdo vend ku Ai iu ka dhënë vendlindjen dhe kombësinë shenjtorëve të Tij.”9
Teksa e përqafojmë sfidën dhe bekimin e ndërtimit të Sionit në familjet, degët, lagjet, kunjet dhe komunitetet tona, ne shohim me Xhonin dhe Maria Linfordin drejt ditës kur fëmijët dhe nipërit e mbesat tona “mund të rriten e të krijojnë familjet e tyre në Sion” në çdo komb, fis dhe gjuhë.
Teksa kërkojmë së pari Zotin dhe drejtësinë e Tij, lutemi “që mbretëria e tij të mund të përhapet mbi tokë, që banorët e saj të mund ta pranojnë atë dhe të përgatiten për ditët që do të vijnë, në të cilat Biri i Njeriut do të zbresë në qiell, i veshur me shkëlqimin e lavdisë së tij, për të takuar mbretërinë e Perëndisë që është ngritur mbi tokë” (Doktrina e Besëlidhje 65:5).