2021
Dallimi i së Mirës Brenda Vetes
Shtator/Tetor 2021


Të Rinjtë në Moshë Madhore

Dallimi i së Mirës Brenda Vetes

Autorja jeton në Jutë, SHBA.

Si do ta përkufizonit dhuratën e dallimit? Deri vonë, nuk po e rrokja aspak njërin nga qëllimet thelbësore të kësaj dhurate.

woman looking away against background of sea and sky

Ilustrimi me foto nga Getty Images

Gjatë pjesës më të madhe të jetës sime, e kam përkufizuar dhuratën e dallimit si të qenit në gjendje të dallosh të mirën nga e keqja, të vërtetën nga e gabuara. Ndërkohë që ajo është një pjesë vendimtare e dhuratës, kohët e fundit mësova se ka më shumë se kaq.

Gjeta një thesar te poshtëshënimet e një bisede të dhënë në konferencën e përgjithshme të prillit 2020. Një folës citoi Presidentin Stefën L. Riçards (1879–1959), ish-Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, i cili tha: “Lloji më i lartë i të dall[uarit] është ai që i percepton të tjerët dhe zbulon për ta tiparet e tyre më të mira, të mirën që kanë brenda tyre”1.

A nuk tingëllon si poezi?

Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë ta zbulojmë të mirën që është brenda të tjerëve. E vërteta e atij pohimi ishte aq e ëmbël për mua saqë dëshiroja të mësoja më shumë. Zbulova se edhe Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se dhurata e dallimit na ndihmon ta “gjejmë dhe nxjerrim në pah të mirën që mund të jetë fshehur brenda nesh2.

Prej këtij zbulimi, kam arritur të kuptoj se sa e rëndësishme është kjo pjesë e dhuratës së dallimit. Kemi nevojë të gjejmë cilësi të mira brenda vetes që të mund t’i zhvillojmë ato. Kur ta bëjmë këtë, do të ndjehemi më shumë ashtu siç jemi realisht, si fëmijë të Perëndisë dhe do të veprojmë si të tillë (shih Psalmeve 82:6; Mosia 5:7; Moroni 7:19).

Pra, si mund të fillojmë ta gjejmë të mirën brenda vetes? Ja tek janë disa mënyra për të filluar.

Përqendrohuni te Përdorimi i Pikave Tuaja të Forta për t’i Bekuar të Tjerët

Është një e vërtetë doktrinore që gjithkush ka dhurata të caktuara nga Perëndia (shih Doktrina e Besëlidhje 46:11) – dhe nuk është mendjemadhësi të mendosh rreth tyre. Në fakt, Zoti na ka kërkuar ta bëjmë! Shkrimet e shenjta na mësojnë të kërkojmë “me zell dhuratat më të mira, gjithmonë duke kujtuar përse jepen ato” (Doktrina e Besëlidhje 46:8; theksimi i shtuar).

Teksa bëhemi më të vetëdijshëm për dhuratat ose talentet tona, duhet të gjejmë mënyra për t’i përdorur ato për t’u shërbyer të tjerëve.

Një mënyrë për t’i përcaktuar dhuratat tuaja është duke pyetur dikë të cilit i mirëbesoni! Pyeteni atë se cilat janë pikat tuaja të forta. Nëse jeni si unë, mund të mendoni se ajo pyetje tingëllon çuditshëm. Por, mbajeni mend, kjo nuk bëhet për mendjemadhësi; bëhet për të zbuluar se çfarë veçorish ose tiparesh keni për t’iu ofruar vëllezërve dhe motrave tuaja në botë (shih Mosia 8:18).

Për shembull, një fqinj i dashur një herë më tha se kisha dhuratën që t’i ndihmoja njerëzit të ndiheshin rehat. Në vend që ta kaloja atë koment vetëm si një lëvdatë mirësjelljeje, nisa ta vëzhgoja atë dhuratë në jetën time. Kur e bëra këtë, kuptova se Ati Qiellor mund të më ndihmonte t’i përdorja aftësitë e mia shoqërore për t’u miqësuar me të tjerët dhe për të bekuar jetën e shumë të tjerëve e jo vetëm timen.

Duke i dalluar dhuratat tuaja, mund të zgjidhni me ndërgjegje t’i përdorni ato për t’i bekuar të tjerët (shih Doktrina e Besëlidhje 82:18).

Studiojeni Bekimin tuaj Patriarkal

a young woman reading her patriarchal blessing

Fotografia nga Judith Ann Beck

Bekimet patriarkale janë gjithashtu një burim i mirë për të parë dhuratat tona të pashoqe të dhëna nga Perëndia. Plaku Leri R. Lorens, një anëtar nderi i Të Shtatëdhjetëve, tha: “Shpirti mund të na i tregojë dobësitë tona, por Ai është në gjendje që të na tregojë edhe pikat tona të forta. … Kur [i] lexojmë bekimet tona patriarkale, neve na kujtohet se Ati ynë Qiellor e njeh potencialin tonë hyjnor.”3

Studimi i bekimit tuaj patriarkal ju ndihmon të përqendroheni te zhvillimi i tipareve që mund t’ju ndihmojnë ta arrini potencialin tuaj.

Në rastin tim, unë shpesh përfytyroj se çfarë lloj nëne shpresoj të jem një ditë. Pa e kuptuar, rrëmbehem nga mendimet se një nënë e mirë është në formë të mirë fizike, e organizuar dhe e bukur – dhe se ëmbëlsirat e saj me kanellë i ka zili Shoqata e Ndihmës e lagjes së saj. Ndërkohë që ato gjëra nuk janë të këqija, studimi i bekimit tim patriarkal më ka treguar se Zotit i intereson më shumë që të jem një nënë dashamirëse dhe me dashuri hyjnore. Për mua, ato tipare si të Krishtit janë ato për të cilat duhet të kem më tepër ankth që t’i zhvilloj.

Kujtoni dhe Reflektoni gjatë Sakramentit

bread being broken for sacrament

Fotografia nga Jerry Garns

Sakramenti është një kohë për të menduar rreth Shpëtimtarit. Është gjithashtu një kohë për të reflektuar mbi përparimin tuaj drejt bërjes më shumë si Ai. Ndërsa punoni për t’i zbuluar tiparet e mira që keni brenda vetes, vështrimi prapa çdo javë tek arritjet, përvojat dhe takimet tuaja shoqërore mund t’ju ndihmojë t’i shihni disa çaste ku u shpalosën dhuratat tuaja.

Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, tha: “Teksa e shqyrtoni jetën tuaj gjatë ordinancës së sakramentit, unë shpresoj që mendimet tuaja të mos përqendrohen vetëm te gjërat që i keni bërë gabim, por edhe te gjërat që i keni bërë drejt – çastet kur e keni ndier se Ati Qiellor dhe Shpëtimtari ishin të kënaqur me ju. Mund të shpenzoni madje edhe një çast gjatë sakramentit për t’i kërkuar Perëndisë t’ju ndihmojë t’i shihni këto gjëra.”4

Ja tek janë disa pyetje që mund t’ia bëni vetes ose Perëndisë gjatë sakramentit:

  • Si e ndoqa shembullin e Krishtit këtë javë?

  • Kujt i shërbeva?

  • Kur e ndjeva Shpirtin këtë javë? Përse?

  • Cilin tipar si të Krishtit po përpiqem të zhvilloj? Si po eci?

  • A ka ndonjë gjë në jetën time rreth së cilës duhet të lutem për ndihmë?

  • A është dikush që nevojitet ta fal?

  • Për cilin problem, të madh ose të vogël, më ndihmuan Ati Qiellor dhe Jezu Krishti këtë javë?

Përsiatja e mirësisë së Perëndisë dhe vlerësimi i jetës sime gjatë sakramentit në vend që të përqendrohem vetëm te dështimet dhe të metat, më ndihmon ta vë mirëbesimin tim tek Ai.

Lartësojeni Thirrjen Tuaj

Neve na jepen thirrjet për një arsye, ndonëse nuk e dimë arsyen në fillim.

Një herë mora thirrje në presidencën e Shoqatës së Ndihmës në lagjen time të të rinjve në moshë madhore beqarë. Isha e emocionuar që do ta filloja thirrjen, por pas pak muajsh, u ndjeva e shkurajuar. Nuk mund të shihja asnjë rritje shpirtërore tek ato të cilave po përpiqesha t’u shërbeja. Përpjekjet e mia për të bërë vizita e për t’u miqësuar dukeshin se ishin pa rezultat.

Një të diel, ndjeva se po i humbisja dhuratat shpirtërore që e ndihmojnë dikë të jetë i zoti në dhënien e shërbesës. Lutja ime gjatë sakramentit atë ditë ishte që të ndieja sigurinë se isha e aftë për thirrjen time. Ndjeva nxitjen për të kërkuar një bekim priftërie.

U takova me peshkopin tim dhe ndërsa ai vuri duart mbi kokën time, njëra nga gjërat e para që ai më tha ishte: “Ati Qiellor e vlerëson dashamirësinë që u tregon të tjerëve”.

Shpirti vërshoi mbi mua dhe ndjeva sigurinë se Zoti ishte i kënaqur nga përpjekjet e mia. Ndjeva se vërtet kisha një pjesëz të dhuratave që nevojiten për të dhënë shërbesë me dashuri. Sapo kisha numëruar dështimet e mia në vend të sukseseve të mia.

Thirrjet tuaja janë mundësi të mëdha për t’i gjetur dhe përdorur dhuratat tuaja shpirtërore.

Ju Mund të Filloni Tani

Nuk kemi pse të presim për të filluar që ta zbulojmë të mirën brenda vetes.

Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë në atë kohë, tha:

“Nganjëherë ne ndihemi të shkurajuar ngaqë nuk jemi ‘më’ shumë – më shpirtërorë, më të respektuar, më inteligjentë, më të shëndetshëm, më të pasur, më miqësorë apo më të aftë. …

Mësova në jetën time që nuk na nevojitet të jemi ‘më’ shumë nga ndonjë gjë, që të fillojmë të bëhemi njeriu që Perëndia kishte si qëllim që ne të bëhemi.”5

Mund ta fillojmë me një lutje. Thuajini Atit Qiellor si ndiheni tani dhe çfarë doni të ndieni për veten. Kërkojeni posaçërisht dhuratën e dallimit që t’ju ndihmojë ta shihni mirësinë tuaj të brendshme. Disa nga çastet më të ëmbla në jetën time kanë ardhur nga bërja e këtyre lutjeve. Besoj se Ati Qiellor pret me padurim që të na ndihmojë të shohim gjithçka që sheh Ai.

Për shkak të identitetit tonë si fëmijë të Perëndisë, ne jemi paracaktuar për madhështi (shih Doktrina e Besëlidhje 78:17). Nëpërmjet dhuratës së dallimit, ne mund të arrijmë që ta dimë atë vetë.

Shënime

  1. Stefën L. Riçards, në Daglas D. Holms, “Thellë në Zemrën Tonë”, Liahona, maj 2020, f. 25.

  2. David A. Bednar, “Quick to Observe” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 10 maj 2005), f. 5, speeches.byu.edu; theksimi i shtuar.

  3. Leri R. Lorens, “Çfarë më Mungon Tjetër?” Liahona, nëntor 2015, f. 35.

  4. Henri B. Ajring, “Gjithmonë Kujtojeni Atë”, Liahona, shkurt 2018, f. 5.

  5. Diter F. Uhtdorf, “Funksionon në Mënyrë të Mrekullueshme!” Liahona, nëntor 2015, f. 22–23.