2021
Një Shenjë e Besimtarit të Vërtetë
Shtator/Tetor 2021


Mesazhi i Udhëheqjes Zonale

Një Shenjë e Besimtarit të Vërtetë

Apostulli Pal kaloi mbi tre vjet mes shenjtorëve në Efes. Gjatë asaj kohe, efesianët përjetuan mrekulli, shërime dhe ngjarje të jashtëzakonshme. Siç dëshmoi Pali, “fjala e Perëndisë” mes tyre “shtohej . . . dhe forcohej”.1

Por predikimi i tij dhe shfaqjet e fuqisë së Perëndisë shkaktuan një trazirë mes jobesimtarëve aq sa Pali u detyrua të largohej nga Efesi. Ai shkoi nga një vend në tjetrin për të predikuar, por para se të kthehej në Jerusalem ndjeu nevojën për t’i udhëzuar dhe paralajmëruar miqtë e tij edhe një herë. Në pamundësi për t’u kthyer në Efes, ai dërgoi një letër për pleqtë e kishës atje. Ai u solli në kujtesë atyre se ai e kishte harxhuar të gjithë kohën e tij në Efes duke dhënë mësim atë që ishte e “dobishme” – “pendimin te Perëndi[a] dhe për besimin në Zotin tonë Jezu Krisht”2 – dhe më pas i paralajmëroi: “Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën . . . se . . . pas largimit tim, do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën”.3 Më tej ai shtoi se “[të folurit e] gjëra[ve] të çoroditura” do të ishte mjeti që këta “ujqër grabitqarë” do të përdornin “[për t’i] tërhequr pas vetes dishepujt”.4

Kur u kthye në Jerusalem, ai u arrestua dhe u dërgua në Romë. Ndërkohë që ishte i zënë me predikimin e ungjillit të vërtetë, madje edhe si i burgosur në Romë duke e ditur se jeta e tij do të përfundonte së shpejti, Pali ndjeu një ngutje që t’u shkruante anëtarëve të Kishës në Efes.

Kur kishte qenë atje i pranishëm, veprimi i parë që Pali bëri ishte që “vuri duart mbi ta [dhe] Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta”.5

Ndërsa u shkruan fjalët e tij të fundit të mësimdhënies miqve dhe bashkëshërbëtorëve të tij të dashur në Efes, Pali e fillon duke i lavdëruar ata për “besimin [e tyre] në Jezu Krishtin dhe për dashurinë që k[ishin] ndaj gjithë shenjtorëve”.6 Ai më tej e pranon që, megjithëse më parë ata kishin qenë “të vdekur në faje dhe në mëkate” dhe kishin qenë “prej natyre bij të zemërimit”, atyre tani u ishte “[dhënë] jetë . . . me Krishtin”.7

Pali vë në pah ndryshimin midis armiqësisë që anëtarët e Kishës në Efes kishin përjetuar ndaj njëri tjetrit para se të pendoheshin, të ushtronin besim dhe të merrnin Frymën e Shenjtë dhe të qenit tani “bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjesëtarë të familjes së Perëndisë . . . në Frymë”8.

Ai më tej shpreh dëshirat e brendshme të zemrës së tij ndërsa u thotë: “Për këtë arsye unë po i ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jezu Krisht . . . që t’ju japë . . . që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund . . . ta njihni dashurinë e Krishtit . . . që të mund të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë”.9

Për t’i ndihmuar shenjtorët që të mbushen me plotësinë e Perëndisë që ai sapo përmendi, Pali më pas bën një listë të hollësishme të sjelljeve, të cilat do të sigurojnë që këta burra dhe gra të mira “të mos e trishto[jnë] Frymën e Shenjtë të Perëndisë”10.

Ai u thotë atyre: “Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi. Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njëri tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.”11

Megjithëse ishte i vetëdijshëm për mirësinë e tyre siç shfaqet me anë të pendimit, pasjes besim dhe të qenët të denjë për shfaqjet e Frymës së Shenjtë, Pali i paralajmëroi miqtë e tij për fuqinë e mundshme shkatërruese të fjalëve, si ato që thuheshin nga ujqërit grabitqarë jashtë kopesë ashtu edhe shpifja me ligësi nga ata që ishin brenda kopesë.

Më parë në jetën e tij, Sauli kishte përdorur fjalë për të shkatërruar besimtarët; tani, pasi e pranoi Zotin, Pali dëshiron që mënyra se si flet të jetë një provë se ai ka ndryshuar dhe një shenjë nga ana e tij e të qenit një besimtar i vërtetë. Pali duket se tregon që marrja e ordinancave dhe të pasurit e Frymës së Shenjtë nuk mjafton, sepse një shenjë e besimtarëve të vërtetë është që të “j[enë] . . . të mirë . . . njeri me tjetrin”.

Shënime

  1. Veprat e Apostujve 19:20.

  2. Veprat e Apostujve 20:21.

  3. Veprat e Apostujve 20:28–29.

  4. Veprat e Apostujve 20:30.

  5. Veprat e Apostujve 19:6.

  6. Efesianëve 1:15.

  7. Efesianëve 2:1, 3, 5.

  8. Efesianëve 2:19, 22.

  9. Efesianëve 3:14, 16, 17, 19.

  10. Efesianëve 4:30.

  11. Efesianëve 4:31–32.