Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Klientin Tim apo Thirrjen Time?
Ndërsa po përpiqesha të përmbushja përgjegjësitë e mia të priftërisë, Zoti më tregoi se ishte në dijeni për situatën time financiare.
Kur u thirra si president i kuorumit të pleqve në vitin 2000, vetëm shtatë pleq e frekuentonin mbledhjen e priftërisë. Gjithashtu, nuk po ia dilnim të bënim vizitat e mësimeve të shtëpisë – që tani janë vizita shërbestare.
E dija se do të përballeshim me një sfidë të madhe për t’i frymëzuar pleqtë të përparonin. Ndaj, për të filluar, vendosëm t’i riorganizonim caktimet dhe ta shtonim mbikëqyrjen.
Për shkak se jam një avokat i vetëpunësuar, unë udhëtoj shumë. Jam shumë i ngarkuar, por dëshiroja t’i përmbushja përgjegjësitë e mia të priftërisë.
Një ditë, m’u desh të udhëtoja me autobus drejt një qyteti tjetër për të takuar një klient. Për shkak se isha ngushtë nga ana financiare, shpresoja se klienti im do të ishte dakord që të më paguante një paradhënie.
Rrugës për të kapur autobusin, vendosa të shkoja të takoja disa anëtarë të kuorumit dhe t’i nxitja ata që t’i vizitonin familjet që u ishin caktuar. Disa kishin harruar, por u zotuan që do ta bënin. Të tjerët u zotuan që t’i përfundonin vizitat e tyre po atë javë.
Isha aq i entuziazmuar nga zotimet e tyre, saqë vendosa të vizitoja dhe inkurajoja anëtarë të tjerë të kuorumit. Pa kuptuar, kaloi ora dymbëdhjetë e mesditës. Ndaj, në vend që të largohesha nga qyteti, vendosa të shkoja në zyrë për të shqyrtuar çështjen e klientit.
Për befasinë time, kur mbërrita në zyrë, klienti im po qëndronte jashtë me një person tjetër. I shpjegova klientit tim se sapo do ta shqyrtoja çështjen e tij dhe do të kisha një raport gati për të nesërmen. Ai tha se kishte ardhur për të më njohur me një klient të ri. Pasi miku i tij dhe unë biseduam, ramë dakord për një tarifë që do të më jepte për ta ndihmuar që të zgjidhte problemin e tij ligjor. Më pas, papritmas, klienti im u ofrua të më paguante një paradhënie.
Për mua, ajo ishte një mrekulli. Ati Qiellor e dinte se po përpiqesha të isha besnik ndaj Tij. Ai gjithashtu i dinte nevojat e mia. Ai më kishte bekuar në mënyra të shumta përgjatë viteve, por këtë herë bekimi i Tij erdhi financiarisht. Ai e mbajti fjalën e Tij në shkrimet e shenjta drejtuar atyre që i shërbejnë Atij: “Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen” (Mateu 6:33).
Ç’ndodhi me kuorumin tonë të pleqve? Zoti na bekoi ndërsa shkonim përpara me një frymë bashkimi. Mësimet tona të shtëpisë shpejt shkuan në 100 përqind dhe frekuentimi i priftërisë sonë u rrit deri në 35 pleq besnikë.
Unë dëshmoj se ne të gjithë mund të jemi mjete në punën e Zotit dhe të gjejmë gëzim e bekime duke i shërbyer Atij me anë të shërbimit ndaj të tjerëve.