Seminari
Alma 13: “Që të Mund Të Hyni në Atë Prehje”


“Alma 13: ‘Që të Mund Të Hyni në Atë Prehje’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 13”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 13

“Që të Mund Të Hyni në Atë Prehje”

Shpëtimtari

Në këtë jetë, ne kemi shumë shqetësime dhe telashe. Zoti na rri pranë për të na ndihmuar dhe dëshiron që ne të hyjmë në prehjen e Tij. Alma shpjegoi se Zoti shuguroi priftërinj të lartë për të dhënë mësim urdhërimet dhe për të kryer ordinancat në mënyrë që njerëzit të mund të hynin në prehjen e Zotit. Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh se çfarë do të thotë të hysh në prehjen e Zotit dhe se si ti mund ta bësh këtë.

Prehja e Zotit

  • Kur ka qenë një rast kur ti ke përfituar nga prehja?

Shkrimet e shenjta shpesh flasin për prehjen e Zotit. Prehja e Zotit është “plotësia e lavdisë së tij” (Doktrina e Besëlidhje 84:24). Prehja e Zotit është gjithashtu “të gëzuarit e paqes dhe lirisë nga shqetësimi dhe ngatërresa. Zoti u ka premtuar një prehje të tillë pasuesve të Tij besnikë gjatë kësaj jete. Ai gjithashtu ka përgatitur një vend prehjeje për ta në jetën e ardhshme” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Prehje”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).

Të kesh paqe dhe liri nga shqetësimi dhe ngatërresa nuk do të thotë se jeta do të jetë pa sprova. Lexo te Mateu 11:28–30, duke kërkuar atë që Zoti jep mësim për prehjen e Tij gjatë vështirësive të jetës.

Mendo për rrethanat e tua aktuale.

  • Si mund të marrësh dobi nga përjetimi i prehjes së Zotit?

Alma i ftoi njerëzit e Amonihës të pendoheshin dhe të mos i ngurtësonin zemrat e tyre në mënyrë që të merrnin falje dhe të hynin në prehjen e Zotit (shih tek Alma 12:33–37). Ndërsa studion tek Alma 13, kërko atë që Zoti ka siguruar për të të ndihmuar të hysh në prehjen e Tij në këtë jetë dhe në jetën që do të vijë.

Udhëheqësit e priftërisë na ndihmojnë të hyjmë në prehjen e Zotit

Populli i Amonihës e konsideronte veten se ishte “i urdhrit dhe besimit të Nehorit” (Alma 14:16). Për këtë arsye, ata besuan se mund të shpëtoheshin pa Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe e zëvendësuan priftërinë me një urdhër të rremë që Alma e quajti “intriga e priftërinjve” (shih tek Alma 1:3–4, 12, 16). Për t’i korrigjuar bindjet e tyre të rreme, Alma u dha mësim atyre se si “Zoti Perëndi shuguroi priftërinj sipas urdhrit të tij të shenjtë” (Alma 13:1).

Lexo tek Alma 13:1–2, 6, duke kërkuar arsyen përse Zoti shuguron udhëheqës të priftërisë.

  • Cilat janë disa arsye përse Zoti thërret udhëheqës të priftërisë?

Nga këto vargje ne mësojmë se Shpëtimtari thërret udhëheqës priftërie për të na ndihmuar të shohim tek Ai për shëlbim dhe për të na dhënë mësim urdhërimet e Tij në mënyrë që të hyjmë në prehjen e Tij.

Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Për shkak të [flijimit të] Tij shlyese, Jezu Krishti ka fuqinë dhe autoritetin për ta shëlbuar të gjithë njerëzimin. Për ta bërë të përdorshme fuqinë e Tij shlyese, Ai ia ka deleguar një pjesë të fuqisë dhe autoritetit të Tij burrave në tokë. Kjo fuqi dhe ky autoritet i deleguar quhet priftëri.” (Dejll G. Renland, “Priftëria dhe Fuqia Shlyese e Shpëtimtarit”, Liahona, nëntor 2017, f. 64)

  • Çfarë të ndihmon ky citim të kuptosh rreth arsyes përse Perëndia vazhdon të thërrasë njerëz për të mbajtur priftërinë në kohën tonë?

Priftërinjtë e lartë për të cilët Alma foli ishin “të thirrur dhe të përgatitur, që nga krijimi i botës … për shkak të besimit të tyre të jashtëzakonshëm dhe të veprave të mira” (Alma 13:3). Në të njëjtën kohë, të tjerët “nuk pranonin Shpirtin e Perëndisë për shkak të ngurtësisë së zemrave të tyre” (Alma 13:4).

Udhëheqës të tjerë të Kishës, si udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës, të Të Rejave dhe udhëheqësit e Shkollës të së Dielës shërbejnë me autoritet të deleguar priftërie. Duke shërbyer krah udhëheqësve të priftërisë, ata dhe ato ndihmojnë për t’i udhërrëfyer individët dhe familjet që të vijnë te Krishti.

  • Cilat janë disa mënyra se si udhëheqësit e Kishës na ndihmojnë të shohim te Jezu Krishti dhe të hyjmë në prehjen e Tij?

Ordinancat e priftërisë na ndihmojnë të hyjmë në prehjen e Zotit

Alma përmendi shembujt e drejtë të priftërinjve të lartë dhe mënyrën se si ata “u shenjtëruan” (Alma 13:11) dhe “u bënë të kulluar dhe pa njollë para Perëndisë” (Alma 13:12). Më pas, Alma përmendi në mënyrë të veçantë Melkizedekun si një shembull të një udhëheqësi të drejtë priftërie. Vër re se populli i Melkizedekut në fillim ishte i lig si populli i Amonihës (shih tek Alma 8:9; 13:17).

Lexo tek Alma 13:14–19, duke kërkuar mënyrën se si Melkizedeku i shërbeu popullit të tij.

  • Çfarë ngjashmërish vëren ndërmjet Melkizedekut dhe Jezu Krishtit?

  • Sipas vargut 16, cili është njëri qëllim i ordinancave të priftërisë?

Nga vargu 16 ne mësojmë se ordinancat e priftërisë na ndihmojnë të shohim te Jezu Krishti për heqjen e mëkateve që të mund të hyjmë në prehjen e Tij.

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se si disa ordinanca të priftërisë na ndihmojnë të shohim te Jezu Krishti. Lexo tekstin më poshtë.

2:3

“Ordinancat thelbësore të ungjillit simbolizojnë Shlyerjen. Pagëzimi me anë të zhytjes simbolizon vdekjen, varrosjen dhe Ringjalljen e Shëlbuesit. Marrja e sakramentit përtërin besëlidhjet e pagëzimit dhe ripërtërin gjithashtu kujtimin tonë të mishit të shpuar të Shpëtimtarit dhe të gjakut që Ai derdhi për ne. Ordinancat e tempullit simbolizojnë pajtimin tonë me Zotin dhe i vulosin familjet së bashku përgjithmonë.” (Russell M. Nelson, “The Atonement”, Ensign, nëntor 1996, f. 35)

  • Çfarë mësove nga Presidenti Nelson rreth ordinancave të priftërisë?

  • Kur je ndier pranë Shpëtimtarit duke marrë pjesë në një ordinancë priftërie?

Që të mund të hyni në prehjen e Tij

Ashtu si priftërinjtë e përshkruar tek Alma 13:1–19, Alma kërkoi me zell ta ndihmonte popullin të përgatitej për të hyrë në prehjen e Zotit. Ai u kujtoi atyre se Zoti do të vinte së shpejti (shih tek Alma 13:21–26). Alma dëshiroi me “padurim të madh madje deri në dhembje, që ju t’i dëgjoni fjalët [e tij]” (Alma 13:27).

Lexo tek Alma 13:27–30, duke kërkuar se çfarë i ftoi Alma njerëzit të bënin.

  • Cilat prej ftesave të Almës (zgjidh një ftesë të caktuar) mendon se mund të na ndihmojë të hyjmë në prehjen e Zotit?

  • Çfarë ke mësuar nga Alma 13 që mund të të ndihmojë tani në jetën tënde?

Kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë që të dish atë që mund të bësh për ta zbatuar atë që ke mësuar për të hyrë në prehjen e Zotit.

  1. Plotëso sa vijon:

    Përfytyro sikur je duke folur me një shok ose shoqe që është i/e shqetësuar për një problem me të cilin ai ose ajo po përballet. Çfarë do t’i tregoje shokut ose shoqes tënde nga studimi yt i kapitullit tek Alma 13 për ta ndihmuar atë të hyjë në prehjen e Zotit? Përfshi të paktën një varg nga Alma 13 në përgjigjen tënde.