“Studimi i Shkrimeve të Shenjta: Mbahuni Fort te Fjala e Perëndisë”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Studimi i Shkrimeve të Shenjta”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Materiale Paraqitëse
Studimi i Shkrimeve të Shenjta
Mbahuni Fort te Fjala e Perëndisë
Shkrimet e shenjta janë unike në aftësinë e tyre për t’i thelluar besimin dhe dashurinë për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Studimi i vazhdueshëm dhe kuptimplotë i shkrimeve të shenjta e fton besimin dhe e forcon jetën tonë të përditshme. Qëllimi i këtij mësimi është t’i shtojë dëshirën dhe aftësinë tuaj për t’i studiuar shkrimet e shenjta çdo ditë dhe për të marrë bekimet e premtuara që e shoqërojnë studimin e shkrimeve të shenjta.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta
Nëse një person do të donte të bëhej më i fortë duke bërë pompa, çfarë do t’i duhej të bënte? Sa kohë mund t’i duhej për të parë një rritje të dallueshme në forcë? Çfarë sfidash mund të duhet të kalojë ky person?
-
Si mund të lidhet kjo me studimin e shkrimeve të shenjta?
Lexo thëniet vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) dhe Xhuli B. Bek, në atë kohë Këshilltare e Parë në Presidencën e Të Rejave, dhe shqyrto se çfarë mësojnë ata rreth studimit të shkrimeve të shenjta:
“Duke shpenzuar ditë për ditë kohë për studimin e shkrimeve të shenjta, pa dyshim, do të na forco[hen] themelet tona të besimit dhe dëshmitë tona të së vërtetës.” (Tomas S. Monson, “Sa i Fortë një Themel”, Konferenca e Përgjithshme tetor 2006, f. 90)
“Ndonëse nuk e konsideroj veten eksperte, … jam mirënjohëse që fillova zakonin për gjatë gjithë jetës të leximit [të shkrimeve të shenjta]. Do të ishte e pamundur t’i mësoja mësimet që përmbajnë shkrimet e shenjta duke i lexuar ato plotësisht vetëm një herë ose duke studiuar vargje të përzgjedhura në një orë mësimore.” (Julie B. Beck, “My Soul Delighteth in the Scriptures”, Liahona, maj 2004, f. 107)
-
Çfarë gjete?
Merre parasysh se si ndihesh rreth studimit tënd të shkrimeve të shenjta.
Bekimet nga studimi i shkrimeve të shenjta
Lexoji vargjet vijuese duke kërkuar bekimet që vijnë nga studimi i shkrimeve të shenjta.
Mund t’i ftoni nxënësit t’i shkruajnë në tabelë bekimet e ndryshme nga studimi i shkrimeve të shenjta. Teksa ata shkruajnë, ftojini të vendosin gjithashtu një shenjë përzgjedhëse në krah të çdo bekimi që kanë marrë.
-
Çfarë të vërtetash të lidhura me studimin e shkrimeve të shenjta mund të përcaktosh nga këto vargje?
Nxënësit mund të përcaktojnë të vërteta të tilla si: Nëse ia vëmë veshim dhe mbahemi fort te fjala e Perëndisë, Ai do të na bekojë për t’i bërë ballë tundimit dhe të ligës (shih te 1 Nefi 15:24); Jezu Krishti do të na ndihmojë të dimë çfarë të bëjmë në jetën tonë teksa ushqehemi me bollëk me fjalët e Tij (shih te 2 Nefi 32:3) dhe studimi i shkrimeve të shenjta mund të më ndihmojë të di për Jezu Krishtin dhe të gëzohem në Të (shih tek Alma 37:9).
-
Cilat nga këto të vërteta ose bekime ke përjetuar?
Për bekime të tjera që vijnë nga studimi i shkrimeve të shenjta, shihni te “Komente dhe Informacion për Rrethanat”.
Si mund të përfitoj më shumë nga studimi i shkrimeve të shenjta?
Pyetja vijuese mund të diskutohet nga nxënësit në grupe të vogla ose në dyshe. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë idetë e tyre. Ju mund t’u kërkoni nxënësve të tregojnë hollësi të tjera rreth përgjigjeve të tyre, si për shembull si, kur apo pse e përdorin atë praktikë.
-
Çfarë mund ta ndihmojë një person që të përfitojë më shumë nga studimi prej tij ose saj i shkrimeve të shenjta?
Lexo thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërko aftësi të tjera që mund të ndihmojnë që studimi i shkrimeve të shenjta të ketë më shumë ndikim.
“Ndonjëherë, është gjë e mirë të lexoni një libër të shkrimeve të shenjta brenda një periudhe të caktuar kohe për të marrë një kuptim të përgjithshëm të mesazhit të tij, por për kthimin në besim, ju duhet të kujdeseni më shumë për sasinë e kohës që kaloni në shkrimet e shenjta sesa për sasinë e asaj që lexoni në atë kohë. Ju përfytyroj ndonjëherë duke lexuar pak vargje, duke ndaluar për t’i përsiatur, duke i lexuar me kujdes vargjet sërish dhe, ndërsa mendoni rreth kuptimit të tyre, duke u lutur për t’i kuptuar, duke bërë pyetje në mendjen tuaj, duke pritur për mbresa shpirtërore dhe duke i hedhur në letër mbresat dhe idetë që ju vijnë, që ju të mund t’i kujtoni dhe të mësoni më shumë. Duke studiuar në këtë mënyrë, ju mund të mos lexoni shumë kapituj ose vargje në gjysmë ore, por ju do t’i bëni vend në zemrën tuaj fjalës së Perëndisë dhe Ai do t’ju flasë juve.” (D. Todd Christofferson, “When Thou Art Converted”, Liahona, maj 2004, f. 11)
-
Çfarë sheh në këto ide që mund ta bekojë përvojën tënde me studimin e shkrimeve të shenjta?
Nxënësit mund të shtojnë ide të tjera në tabelë, të cilat nuk ishin tashmë të shkruara.
Përveç aftësisë së studimit të shkrimeve të shenjta që vijon, ide për aftësi të shumta që mund të përdoren, jepen në pjesën “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit” më poshtë.
Ju mund t’i ftoni nxënësit ta kryejnë veprimtarinë vijuese qetësisht më vete. Më pas ndajini ata në grupe të vogla ose dyshe për të treguar se çfarë mësuan.
Përdori 5 ose 10 minutat e tjera për t’u përpjekur t’i përdorësh sugjerimet e dhëna nga Plaku Kristoferson. Shpenzo kohë për të përsiatur, për të rilexuar, për t’u lutur, për të bërë pyetje dhe për të shkruar mbresat. Këtu janë disa fragmente të mundshme të shkrimeve të shenjta që mund t’i përdorësh (përzgjidh lirisht fragmente të ndryshme nga Libri i Mormonit).
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë për të studiuar, ftojini ata të tregojnë rreth përvojave të tyre. Pyetjet në vijim mund të ndihmojnë.
-
Cila ishte përvoja jote me studimin e shkrimeve të shenjta në këtë mënyrë?
-
Si mundet që studimi në këtë mënyrë të ndikojë te studimi yt vetjak i shkrimeve të shenjta?
Vendos një synim për studimin e shkrimeve të shenjta
Një nga qëllimet e seminarit është të të ndihmojë të afrohesh më shumë me Jezu Krishtin nëpërmjet studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta. Për të të ndihmuar, ka një kërkesë për kreditet e seminarit për të lexuar librin e shkrimit të shenjtë të vitit aktual në të paktën 75 përqind të ditëve kalendarike të semestrit.
Kërko frymëzim nëpërmjet Frymës së Shenjtë për të vendosur një synim për studimin vetjak. Për të të ndihmuar, fillo duke bërë një lutje për të kërkuar frymëzim nga Ati Qiellor. Mendo për pyetjet vijuese teksa vendos një synim:
-
Kur dhe ku mund t’i studioja shkrimet e shenjta çdo ditë?
-
Sa kohë do të studioj çdo ditë?
-
Çfarë mund të bëj për ta ftuar Frymën e Shenjtë më plotësisht në përvojën time të studimit të shkrimeve të shenjta?