Seminari
2 Nefi 2:1–16: “Zoti Perëndi e Lejoi Njeriun që Ai të Veprojë nga Vetja e Tij”


“2 Nefi 2:1–16: ‘Zoti Perëndi e Lejoi Njeriun që Ai të Veprojë nga Vetja e Tij’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“2 Nefi 2:1–16: ‘Zoti Perëndi e Lejoi Njeriun që Ai të Veprojë nga Vetja e Tij’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

2 Nefi 2:1–16

“Zoti Perëndi e Lejoi Njeriun që Ai të Veprojë nga Vetja e tij”

Lehi duke i dhënë mësim Jakobit

Imagjinoje jetën tënde po të mos kishe asnjë zgjedhje. Liria e zgjedhjes, ose fuqia për të zgjedhur është një prej dhuratave më të mëdha të Perëndisë për ne. Djali i Lehit, Jakobi kishte përjetuar tashmë shumë sfida në një moshë të re, prandaj Lehi i mësoi atij të vërteta të vyera rreth Shpëtimtarit dhe lirisë për të zgjedhur. Ky mësim mund të të ndihmojë ta kuptosh më mirë rolin e lirisë së zgjedhjes në planin e Atit Qiellor.

Bërja e pyetjeve që fton shqyrtimin e vetvetes. Pyetje që ftojnë nxënësit t’i përsiatin shkrimet e shenjta, ndjenjat e tyre kundrejt Shpëtimtarit, mësimet e Tij ose zbatimin e parimeve që mund të nxitin reflektimin, të cilin Shpirti mund ta përdorë për të dhënë mësim. Lëruni nxënësve kohën e nevojshme për përsiatje të efektshme dhe për të shkruar.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit t’i dallojnë e të bëjnë një listë me zgjedhjet e rëndësishme që bëjnë nga tani deri në mësimin e ardhshëm. Kërkojuni atyre të vijnë të përgatitur të tregojnë pse zgjedhja është thelbësore për jetën tonë në vdekshmëri dhe për planin e shpëtimit të Atit Qiellor.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Zgjedhje të rëndësishme

Ftojini nxënësit ta përdorin përgatitjen e tyre për orën mësimore për të bërë veprimtarinë vijuese në ditarët e tyre të studimit.

Gjatë dy minutave të ardhshme, shkruaj disa zgjedhje të rëndësishme që ke bërë gjatë këtyre ditëve.

  • Pse mendon që zgjedhja është thelbësore për jetën tonë në vdekshmëri dhe për planin e shpëtimit të Atit Qiellor?

Përsiat se çfarë ke mësuar nga zgjedhjet për të cilat je krenar/e ose nga ato për të cilat të vjen keq. Ndërsa studion në këtë mësim, kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për të mësuar se çfarë mund të të ndihmojë ta kuptosh më mirë dhe ta përdorësh aftësinë tënde për të zgjedhur. Nëse ke pyetje rreth lirisë së zgjedhjes, lutu gjithashtu dhe kërko përgjigje ndërsa studion.

Aspekte thelbësore të lirisë së zgjedhjes

Djali i Lehit, Jakobi u lind në vendin e shkretë pasi familja e tij u largua nga Jerusalemi. Pak para vdekjes së Lehit, ai i mësoi Jakobit të vërteta të rëndësishme rreth lirisë së zgjedhjes.

Lexo te 2 Nefi 2:1–4 për të parë se si e filloi Lehi mesazhin e tij për Jakobin. Mund të jetë e dobishme të dish se fjala “përkushtoj” do të thotë të dedikosh ose të bësh të shenjtë (shih “Përkushtoj, Ligj i Përkushtimit” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta [scriptures.ChurchofJesusChrist.org]).

  • Pse mund të jetë domethënëse për një person që është përballur me sprova të shumta ta kuptojë rëndësinë e fuqisë së zgjedhjes?

  • Cilat të vërteta nga këto vargje janë më domethënëset për ty? Përse?

ikonë, shëno

Paraqiteni tabelën vijuese ose jepeni atë si fletushkë. Mund t’u caktoni nxënësve të ndryshëm ose grupeve të ndryshme të nxënësve njërën nga tri mundësitë. Përndryshe, mund t’i ndani nxënësit në grupe dhe t’i ftoni ata të studiojnë sa më shumë të munden brenda një kufiri kohor.

Fuqia Jonë për të Zgjedhur

Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024) – “2 Nefi 2:1–16”

Mundësia A: Çfarë na mëson fuqia jonë për të zgjedhur rreth Perëndisë?

Lexo te 2 Nefi 2:14, 16 duke kërkuar atë që dha mësim Lehi rreth Perëndisë dhe lirisë sonë të zgjedhjes.

  • Çfarë mësove?

  • Pse është e rëndësishme ta kuptojmë se Perëndia na jep fuqinë për të vepruar vetë?

  • Si të bën të ndihesh fakti që Ati Qiellor beson tek ti që t’i bësh vetë zgjedhjet?

Mendo për një shembull të një rasti kur e përdore lirinë e zgjedhjes në një mënyrë që e ndjeve se e kënaqi Atin Qiellor.

  • Pse mendon që zgjedhja jote e kënaqi Perëndinë?

Mund të jetë e dobishme gjithashtu të sjellësh ndër mend çdo zgjedhje që ke bërë që mund të mos e ketë kënaqur Perëndinë dhe atë që ke mësuar prej tyre.

Mundësia B: Çfarë na ka dhënë Perëndia për të na ndihmuar të zgjedhim me urtësi?

Lexo te 2 Nefi 2:5, 13 dhe Moroni 7:16 duke kërkuar të vërtetat vijuese. Vër re se fjala “ligji” u referohet urdhërimeve të Perëndisë.

  • Ne duhet ta njohim të mirën nga e keqja për ta ushtruar plotësisht lirinë tonë të zgjedhjes.

  • Duhet të kemi ligjin për të pasur lirinë e zgjedhjes.

  • Çfarë mëson rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nga e vërteta që Ata i japin gjithkujt mjaftueshëm njohuri për të mirën dhe të keqen sa për të qenë në gjendje që të zgjedhin të jenë të drejtë ose të ligj?

  • Çfarë do të ndodhte po të mos kishte as ligj, as urdhërime?

Mundësia C: Pse ndiejmë kundërshtim për zgjedhjet tona të mira?

Lexo te 2 Nefi 2:11, 16, duke kërkuar të vërteta të tjera që dha mësim Lehi rreth lirisë së zgjedhjes.

  • Çfarë gjete?

  • Në planin e Atit Qiellor, pse mendon se kundërshtimi është një aspekt i nevojshëm i lirisë së zgjedhjes?

  • Në çfarë mënyrash joshemi për të bërë zgjedhje të drejta e të gabuara?

Për të të ndihmuar ta kuptosh këtë të vërtetë, lexoje thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Fëmijët e Perëndisë para lindjes nuk mund të bëhen si ai … pa fituar… përvojën tokësore në një vend ku edhe e mira edhe e keqja janë të pranishme. …

… Ne deshëm mundësinë për t’u … ballafaquar me të mirën dhe të keqen dhe të ishim të fortë mjaftueshëm për të zgjedhur të mirën. (Jeffrey R. Holland, Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 200, 204)

Mendo për mënyrat se si po mëson të zgjedhësh të mirën, edhe kur tundohesh nga e keqja. Nëse dëshiron, mund t’i shkruash mendimet e tua në ditarin tënd të studimit. Nëse dëshiron, mund të përsiatësh mënyra se si mund të kërkosh ndihmë për çdo vendim që mund të duash të ndryshosh.

Nevoja jonë për Shpëtimtarin

Askush përveç Shpëtimtarit nuk e ka ushtruar lirinë e zgjedhjes në mënyrë të përkryer në vdekshmëri. Të gjithë ne mëkatojmë dhe pa ndihmë ne të gjithë do të “largohe[mi] … dhe bëhe[mi] të mjeruar përgjithmonë” (2 Nefi 2:5).

Merrni parasysh të përdorni informacionin nga pjesa “Komente dhe Informacion për Rrethanat” për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë më mirë atë që jepet mësim te 2 Nefi 2:6–8.

Me këtë në mendje, lexo te 2 Nefi 2:6–8 për të parë atë që bëri Jezu Krishti për të gjithë ne.

  • Si zgjodhi Shpëtimtari të të ndihmonte?

Një parim për të cilin dëshmoi Lehi është që nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Shpëtimtari na shëlbon nga mëkatet tona.

  • Si ndikon të kuptuarit e kësaj rreth Jezu Krishtit te ndjenjat e tua kundrejt Tij?

  • Çfarë mëson nga shembulli i Shpëtimtarit rreth bërjes së zgjedhjeve?

Ftojini nxënësit të përsiatin sa vijon pa i dhënë përgjigjet e tyre me zë të lartë, duke qenë se mund të jenë tepër personale.

Mendo për një rast kur, me ndihmën e Jezu Krishtit, u pendove për një mëkat. Si ndikoi pendimi tek ti?

Nëse dëshironi, mund t’u jepni nxënësve një mundësi për ta përmbledhur dhe treguar atë që kuptojnë për lirinë e zgjedhjes përpara se ta mbyllni këtë mësim. Veprimtaria e mëposhtme është një mënyrë për ta bërë këtë.

Imagjino sikur misionarët në zonën tënde po i japin mësim një të riu ose të reje që po dëgjon për herë të parë rreth planit të Atit Qiellor. Misionarët të ftojnë të vish në takimin e radhës për mësimin me këtë të ri ose të re. Ata të kërkojnë të përgatitësh mendime nga 2 Nefi 2 mbi rëndësinë e lirisë së zgjedhjes në planin e Atit Qiellor. Krijo dhe dorëzo një skicë të shkurtër të asaj që do të jepje mësim. Përfshi sa vijon:

  1. Të paktën dy shkrime të shenjta nga 2 Nefi 2:1–16, 26 me të vërtetat shoqëruese të tyre, përfshirë një shpjegim të shkurtër të arsyes pse ato janë domethënëse ose të rëndësishme.

  2. Mënyrën se si sakrifica e Jezu Krishtit mund të ndikojë te zgjedhjet tona.

  3. Mënyrën se si këto të vërteta mund të bëjnë diferencën në jetën tonë.

    Vërini nxënësit në dyshe ose grupe të vogla dhe ftojini t’i tregojnë njëri-tjetrit skicat e tyre. Nëse ka kohë, merrni parasysh t’i interpretoni me role skicat dhe t’i ftoni nxënësit t’i japin mësim njëri-tjetrit.

Kur ta mbarosh skicën tënde, kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë teksa përsiat mënyra se si mund t’i mbash mend këto të vërteta dhe si mbajtja mend e tyre mund ta bekojë jetën tënde. Për shembull, mund të vësh një pamje në ekranin e telefonit tënd, të vendosësh një shënim në pasqyrë ose të bësh diçka që do të të lejojë t’i shohësh dhe kujtosh vazhdimisht këto të vërteta.