“2 Nefi 2:17–26: ‘Shëlbuar nga Rënia’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“2 Nefi 2:17–26: ‘Shëlbuar nga Rënia’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
2 Nefi 2:17–26
“Shëlbuar nga Rënia”
A e ke pyetur ndonjëherë veten se si mund të ndikojnë ende tek ti zgjedhjet që bënë Adami dhe Eva mijëra vjet më parë? Lehi u dha mësim fëmijëve të tij për rrjedhojat e Rënies së Adamit dhe Evës dhe se me Shpëtimtarin ne mund t’i kapërcejmë të gjitha sfidat e vdekshmërisë. Ky mësim mund të të ndihmojë t’i vlerësosh më shumë Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij ndërsa e kupton Rënien e Adamit dhe Evës.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Kuptueshmëria çon drejt vlerësimit
Përsiati pyetjet vijuese:
-
Në një shkallë nga 1 te 10 (ku 1 është “aspak” dhe 10 është “tërësisht”), sa ndien se e kupton dhe e vlerëson Shpëtimtarin Jezu Krisht dhe flijimin e Tij për ty? Përse?
-
Po të të pyeste dikush se çfarë duhet të bëjë ai ose ajo për ta kuptuar dhe vlerësuar Shlyerjen e Jezu Krishtit, çfarë do t’i thoshe?
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, vuri në dukje një hap të nevojshëm për ta kuptuar më mirë Shlyerjen e Shpëtimtarit. Mund të duash të shikosh materialin filmik “Ku Drejtësia, Dashuria e Mëshira Takohen” nga kodi kohor 6:51 deri në 7:26 ose të lexosh thënien vijuese:
“E vërteta e thjeshtë është që ne nuk mund ta kuptojmë tërësisht Shlyerjen dhe Ringjalljen e Krishtit dhe ne nuk do ta vlerësojmë siç duhet qëllimin e pashoq të lindjes së Tij apo të vdekjes së Tij … pa e kuptuar se pati një Adam dhe një Evë të mirëfilltë, të cilët u larguan nga një Eden i mirëfilltë, me të gjitha pasojat që rënia i mbarti me vete.” (Xhefri R. Holland, “Ku Drejtësia, Dashuria e Mëshira Takohen”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 105)
Për të të ndihmuar të vlerësosh se sa di tashmë rreth Rënies së Adamit dhe Evës, mendo për pyetjet vijuese:
-
Çfarë është Rënia e Adamit dhe Evës?
-
Çfarë rrjedhojash pati Rënia për botën? Po për ty?
-
Çfarë vendi zë Rënia në planin e Atit Qiellor për shpëtimin?
-
Si të ndihmon Rënia ta kuptosh dhe vlerësosh Jezu Krishtin dhe flijimin e Tij për ty?
Ndërsa studion, kërko përgjigje për këto pyetje dhe përsiat se si mund të të ndihmojë të kuptuarit e tyre.
Rrjedhojat e Rënies së Adamit dhe Evës
Ndërsa Lehi po përgatitej të vdiste, ai foli gjerë e gjatë me birin e tij, Jakobin, rreth Rënies së Adamit dhe Evës. Adami, Eva dhe të gjitha format e jetës në tokë ekzistonin në një gjendje pavdekësie, nuk i nënshtroheshin ende vdekjes dhe ishin në praninë e Perëndisë. Në atë gjendje, ata nuk mund të sëmureshin ose të vdisnin dhe kopshti u siguronte ushqim pa iu dashur të punonin për ta prodhuar atë. Ata gjithashtu nuk mund të kishin familje. Zoti i paralajmëroi se po ta hanin frutën e pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes, ata përfundimisht do të vdisnin (shih te Moisiu 3:16–17; Abraham 5:12–13). Vendimi i Adamit dhe Evës për ta ngrënë atë frutë dhe pasojat për ta dhe për pjesën tjetër të botës, njihen si Rënia.
Lexo te 2 Nefi 2:19–23 dhe Alma 42:6–9, duke kërkuar pasojat e Rënies. Merre parasysh ta shenjosh atë që gjen.
-
Si do të ndiheshe po të ishe në vend të Adamit dhe Evës duke i përjetuar këto pasoja?
-
A mendon se këto rrjedhoja janë të mira, të këqija apo të dyja? Përse?
Lexo te 2 Nefi 2:24–25 dhe mendo rreth mënyrës se si do t’i përmblidhje këto vargje me vetë fjalët e tua.
Një e vërtetë që Lehi dha mësim, ishte se Rënia ishte një pjesë thelbësore e planit të Atit Qiellor për lumturinë.
Gjej ca kohë për të reflektuar për arsyen pse Rënia ishte një pjesë thelbësore e planit të Atit Qiellor ndërsa lexon këtë thënie nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.
“Rënia ishte pjesë [thelbësore] e planit hyjnor të Atit Qiellor. Pa të, asnjë fëmijë i vdekshëm nuk do t’u lindte Adamit dhe Evës dhe nuk do të kishte pasur familje njerëzore për të provuar kundërshti dhe rritje, liri morale të zgjedhjes dhe gëzimin e ringjalljes, të shëlbimit e të jetës së përjetshme [shih te 2 Nefi 2:22–27; Moisiu 5:11].” (Xhefri R. Holland, “Shlyerja e Jezu Krishtit”, Ensign, mars. 2008, f. 35)
-
Pse Rënia ishte një pjesë thelbësore e planit të Atit Qiellor?
Ne gjithsesi kemi nevojë për ndihmë
Ndonëse pasojat e Rënies janë pjesë e planit të Atit tonë Qiellor dhe kanë për qëllim të na ndihmojnë të përparojmë, ne nuk mund të ndiejmë gëzim të vërtetë pa ndihmë hyjnore.
Lexo me kujdes te 2 Nefi 2:26, duke kërkuar se si do të jetë e mundur tʼi kapërcejmë rrjedhojat e Rënies dhe të ndiejmë gëzim. Pastaj lexo te Moisiu 5:10–11, duke vënë re se cilat të vërteta bënë që Adami dhe Eva të gëzoheshin.
-
Çfarë mësove?
-
Si mendon, pse u gëzuan Adami dhe Eva pasi mësuan rreth Rënies dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit?
Imagjino sikur në një diskutim me një shoqe, ti vë re se ajo nuk e vlerëson Shpëtimtarin ose Shlyerjen e Tij.
-
Çfarë njohurie rreth Rënies së Adamit dhe Evës mund ta ndihmonte atë ta vlerësonte Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij?