Seminari
2 Nefi 2:26–30: Të Lirë të Zgjedhim


“2 Nefi 2:26–30: Të Lirë të Zgjedhim”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“2 Nefi 2:26–30”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

2 Nefi 2:26–30

Të Lirë të Zgjedhim

djem të rinj në një festë

Gjatë gjithë jetës sate, do të përballesh me zgjedhje. Disa zgjedhje që do të bësh, do të kenë pasoja afatgjata, nganjëherë madje edhe të përjetshme. Lehi dha mësim se për shkak të Jezu Krishtit, të gjithë janë “të lirë të zgjedhin lirinë dhe jetën e përjetshme”, ose “robërinë dhe vdekjen” (2 Nefi 2:27). Ky mësim mund të të ndihmojë të përdorësh lirinë tënde të zgjedhjes për të ndjekur Jezu Krishtin.

Të dini rrethanat e çdo nxënësi. Çdo nxënës ka përvoja dhe marrëdhënie të ndryshme që ndikojnë te mënyra se si ai ose ajo mendon dhe ndihet rreth të vërtetave të ungjillit. Kërkoni ta kuptoni çdo nxënës dhe formimin e tij. Ndërsa i përgatitni dhe i jepni mësimet, mendoni rreth faktorëve të ndryshueshëm që mund të ndikojnë te mënyra si reagojnë nxënësit.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë te 2 Nefi 2:27 dhe të marrin parasysh me lutje se cilat zgjedhje në jetën e tyre po i ndihmojnë ata të afrohen më shumë me Shpëtimtarin dhe të marrin bekimet që Ai ofron. Ftojini ata të marrin parasysh çfarëdo zgjedhje që mund të duan ta ndryshojnë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Bërja e zgjedhjeve

Shkruajeni listën vijuese në tabelë. Ftojini nxënësit të diskutojnë në dyshe, në grupe të vogla ose si klasë.

Merr parasysh pse njerëz të ndryshëm mund të vendosin t’i bëjnë ose të mos i bëjnë gjërat në vijim:

  • të luten rregullisht

  • të frekuentojnë kishën

  • të pendohen

  • t’i binden Fjalës së Urtësisë

  • t’i falin të tjerët

Silli ndër mend arsyet e tua pse zgjedh t’i bësh ose të mos t’i bësh këto veprime. Gjithashtu merr parasysh urdhërime të tjera të përfshira në ungjillin e Jezu Krishtit. Ndërsa e studion këtë mësim, kërko ndihmë nga Fryma e Shenjtë për të kuptuar se si po e përdor lirinë tënde të zgjedhjes në mënyra që Zoti i miraton dhe si mund të duash të përmirësohesh.

Të lirë të zgjedhim

Nga fundit i jetës së tij, profeti Lehi i dha mësim familjes së tij rreth pjesëve kyç të planit të Atit Qiellor për shpëtimin. Mësimet e tij përfshinë Rënien, Shlyerjen e Shpëtimtarit dhe lirinë e zgjedhjes.

Lexo te 2 Nefi 2:26 duke kërkuar atë që dha mësim Lehi rreth këtyre tri pjesëve.

  • Çfarë mësove?

    Ndërsa nxënësit flasin, mund të jetë e dobishme të vini në dukje frazën “janë shëlbuar nga rënia” dhe pyetini se çfarë mbajnë mend rreth Rënies.

  • Si na e bëjnë të mundur të kemi lirinë e zgjedhjes Rënia dhe Shlyerja e Shpëtimtarit?

Lexo te 2 Nefi 2:27. Vizato një diagram të thjeshtë për të treguar se çfarë të mëson vargu ose përmblidhe atë me vetë fjalët e tua.

Ftojini nxënësit të tregojnë se çfarë vizatuan ose si e përmblodhën vargun. Nxënësit mund të flasin në dyshe, në grupe të vogla ose si klasë.

ikonë, zotërimi doktrinor2 Nefi 2:27 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merre parasysh t’i shenjosh fragmentet e zotërimit doktrinor në mënyrë të dallueshme që të mund t’i gjesh me lehtësi. Do të kesh mundësi në mësimin e ardhshëm që ta ushtrosh zbatimin e doktrinës që jepet mësim në këtë fragment, për një pyetje ose situatë.

Merreni parasysh të vizatoni një diagram në tabelë si ai që ilustrohet më poshtë, ose përdorni një variant që e krijuan nxënësit. Referojuni diagramit ndërsa nxënësit u përgjigjen pyetjeve vijuese. Mund ta paraqitni të gjithë grafikun njëherësh ose mund të shfaqni gjysmën e sipërme fillimisht dhe më pas të shtoni gjysmën e poshtme kur të diskutoni pyetjen e tretë dhe të katërt.

Në vijim është një mënyrë për ta paraqitur këtë varg:

diagrami Të Lirë të Zgjedhim

Një mënyrë se si mund ta përmbledhësh mësimin e Shpëtimtarit te vargu 27 është se ne jemi të lirë të zgjedhim lirinë dhe jetën e përjetshme nëpërmjet Jezu Krishtit ose të zgjedhim robërinë dhe vdekjen.

Vër re se pikërisht sipër kutisë së titulluar “Të Lirë të Zgjedhim”, shigjetat fillojnë afër njëra‑tjetrës. Disa njerëz mund të ndiejnë se ushtrimi i lirisë sonë të zgjedhjes për të ndjekur Jezu Krishtin i kufizon zgjedhjet tona dhe faktikisht na e merr lirinë.

  • Pse disa njerëz mund të ndiejnë se ndjekja e Jezu Krishtit e kufizon lirinë tonë?

Vër re se si ky diagram tregon se, ndërsa e ndjekim Jezu Krishtin, shigjetat hapen më shumë. Në të vërtetë, ndjekja e Jezu Krishtit na jep më shumë zgjedhje dhe liri më të madhe.

  • Në çfarë mënyrash ndjekja e Jezu Krishtit udhëheq drejt lirisë?

Vër re se në anën tjetër të diagramit, shigjetat fillojnë larg nga njëra‑tjetra dhe më pas afrohen.

  • Pse disa njerëz mund të ndiejnë se mosbindja ndaj Jezu Krishtit të udhëheq drejt lirisë?

  • Si të udhëheq drejt robërisë zgjedhja për të mos iu bindur Jezu Krishtit?

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi pse mosbindja ndaj Zotit të udhëheq drejt lirisë më të pakët:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Satani … nxit sjellje dhe zgjedhje që e kufizojnë lirinë tonë për të zgjedhur duke e zëvendësuar ndikimin e Frymës së Shenjtë me vetë sundimin e tij (shih te DeB 29:4093:38–39). Dorëzimi ndaj tundimeve [të Satanit] çon drejt një shkalle gjithmonë e më të ngushtë të zgjedhjeve derisa asgjë nuk mbetet dhe drejt varësive që na lënë të pafuqishëm për të bërë qëndresë.” (D. Todd Christofferson, “Moral Agency”, Ensign, qershor 2009, f. 49)

Për të parë një shembull të së vërtetës që mësove, merr parasysh të shikosh materialin flimik “Leave the Party” [“Largohu nga Festa”] (6:26), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

6:26

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë se si e ilustron kjo histori parimin që përcaktuan ata.

Lexo te 2 Nefi 2:28–30 dhe shpenzo disa minuta për të përsiatur se si po zgjedh ta ushtrosh lirinë tënde të zgjedhjes.

Përsiati përgjigjet e tua ndaj pyetjeve vijuese:

  • Si po të udhëheqin zgjedhjet e tua për ta ndjekur Jezu Krishtin drejt lirisë dhe jetës së përjetshme? Si të ka bekuar Zoti për përpjekjet e tua?

  • Si mund të jenë duke të të udhëhequr drejt robërisë disa nga zgjedhjet e tua? Cili mund të jetë hapi yt i parë që të ndryshosh? Si mund të të ndihmojë Zoti?

Sigurojini nxënësit se çfarëdo zgjedhjesh të dobëta që mund të kenë bërë tashmë, mund të kapërcehen nëpërmjet besimit në Jezu Krisht dhe pendimit. Dëshmoni për Shpëtimtarin, Shlyerjen e Tij dhe aftësinë e Tij për të na forcuar për të bërë zgjedhje që do të na udhëheqin drejt lumturisë dhe jetës së përjetshme. Nëse merrni nxitje, mund të jetë e dobishme t’u kujtoni nxënësve se peshkopi ose presidenti i tyre i degës ka çelësa të priftërisë për ta ndihmuar këdo që të kthehet sërish në shtegun e besëlidhjes.