“2 Nefi 3: ‘Një Shikues të Zgjedhur do të Ngre Unë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“2 Nefi 3: ‘Një Shikues të Zgjedhur do të Ngre Unë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
2 Nefi 3
“Një Shikues të Zgjedhur do të Ngre Unë”
Kapitulli 3 te 2 Nefi shënon fjalët që Lehi i tha në prag të vdekjes, birit të tij më të vogël, Jozefit. Lehi citoi një profeci të bërë nga Jozefi i Egjiptit përafërsisht 1700 vjet përpara lindjes së Krishtit. Imagjinoje habinë e Jozef Smithit kur zbuloi se ai ishte subjekti i një pjese të madhe të profecisë së bërë nga Jozefi i Egjiptit. Qëllimi i këtij mësimi është të të ndihmojë ta thellosh dëshminë tënde për thirrjen hyjnore të Profetit Jozef Smith.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Katër Jozefët
Katër individët e përmendur te 2 Nefi 3 të gjithë kanë të njëjtin emër. Lexoji vargjet për çdo figurë dhe përcakto se kë përfaqësojnë këto katër figura.
Një pjesë e madhe e kapitullit 2 Nefi 3 përqendrohet te një profeci e bërë nga Jozefi i Egjiptit rreth “shikues[it]” dhe profetit Jozef Smith dhe misionit të tij në ditët e mëvonshme.
Presidenti Brigam Jang (1801–1877) bëri deklaratën vijuese rreth përgatitjes së Zotit për misionin e Jozef Smithit:
“Ishte dekretuar në këshillat e përjetësisë, shumë kohë më parë se të hidheshin themelet e tokës, se ai, Jozef Smithi, duhej të ishte njeriu, në periudhën e fundit ungjillore të kësaj bote, që do t’ua sillte njerëzve fjalën e Perëndisë dhe do të merrte plotësinë e çelësave dhe fuqisë së Priftërisë së Birit të Perëndisë. Zoti e kishte ruajtur atë dhe atin e tij, dhe atin e atit të tij, dhe paraardhësit e tyre të gjithë deri tek … Adami. Ai e ka vëzhguar atë familje e atë gjak ndërsa ka qarkulluar që nga burimi i tij deri tek lindja e atij njeriu. Ai qe parashuguruar në përjetësi për të kryesuar këtë periudhë të fundit ungjillore.” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 96, 343)
-
Çfarë mund të na mësojnë këto fjalë rreth thirrjes së Jozef Smithit?
-
Çfarë mund të na mësojnë ato rreth Zotit?
Profeci për Jozef Smithin
Ndërkohë që i fliste të birit, Jozefit, Lehi citoi një pjesë të profecisë nga Jozefi i Egjiptit nga fletët prej tunxhi (shih edhe te Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 50:24–38 [në shtojcën Përkthimi prej Joseph Smith-it]). Kjo profeci qe kryesisht rreth Profetit Jozef Smith në ditët e mëvonshme. Lexo te 2 Nefi 3:6–15, 24 dhe shenjoi fjalët ose frazat që të mësojnë rreth Jozef Smithit. (Vër re se fraza “fryti i ijeve të tua” u referohet fëmijëve ose pasardhësve.)
-
Çfarë të bën më shumë përshtypje rreth Jozef Smithit?
-
Si do t’i përmblidhje mësimet rreth Profetit Jozef Smith nga ajo që lexove te 2 Nefi 3?
Një e vërtetë që mund të mësojmë, është se Zoti ngriti Profetin Jozef Smith që të ndihmojë të ndodhë Rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit.
-
Si mendon, përse është e rëndësishme të kesh një dëshmi vetjake për këtë të vërtetë?
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Komentet negative rreth Profetit Jozef Smith do të shtohen teksa shkojmë drejt Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Gjysmë të vërtetat dhe mashtrimet e holla nuk do të pakësohen. Do të ketë anëtarë të familjes dhe miq të cilët do të kenë nevojë për ndihmën tuaj. …
Të rinjve … unë u jap një sfidë të veçantë: Fitoni një dëshmi vetjake për Profetin Jozef Smith.” (Nil L. Andersen, “Jozef Smithi”, Liahona, nëntor 2014, f. 30)
-
Sa i sigurt te vetja ndihesh për thirrjen hyjnore të profetit Jozef Smith?
Marrja e një dëshmie për Jozef Smithin
Imagjinoje skenarin vijues:
Kur shoku yt Marku mësoi se ishe anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ai filloi të lexonte rreth Jozef Smithit në faqen e internetit të Kishës. Atij iu ngjall kureshtja nga ftesa që të mësonte vetë se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë. Ndërsa të tregonte disa nga gjërat që po mësonte, ai pyeti: “Si mund ta mësojmë vetë a ishte profet Jozef Smithi?”
-
Çfarë do t’i thoshe Markut?
Për ide të tjera mbi marrjen e dëshmisë që Jozef Smithi është profeti i Zotit, shiko ose lexo atë që sugjeroi Plaku Andersen:
“Një dëshmi për Profetin Jozef Smith mund t’i vijë në mënyrë të ndryshme secilit prej nesh. Ajo mund të vijë kur gjunjëzoheni në lutje, duke i kërkuar Perëndisë t’ju konfirmojë që ai ishte një profet i vërtetë. Mund të vijë kur lexoni rrëfimin e Profetit për Vegimin e Parë. Një dëshmi mund të pikojë në shpirtin tuaj kur e lexoni Librin e Mormonit në mënyrë të vazhdueshme. Ajo mund të vijë kur jepni dëshminë tuaj për Profetin ose kur qëndroni në tempull dhe e kuptoni se fuqia e shenjtë e vulosjes u rivendos në tokë nëpërmjet Jozef Smithit. Me besim dhe qëllim të vërtetë, dëshmia juaj për Profetin Jozef Smith do të forcohet.” (Nil L. Andersen, “Jozef Smithi”, Liahona, nëntor 2014, f. 30)
-
Çfarë të ka ndihmuar të besosh se Jozef Smithi është një profet?
-
Çfarë të ka ndihmuar Profeti Jozef Smith të kuptosh ose ndiesh për Jezu Krishtin?
-
Çfarë mund të bësh për ta thelluar dëshminë tënde për Jozef Smithin?
-
Si do të ndikonte (ndikon) pasja e një dëshmie për Jozef Smithin në jetën tënde?