Seminari
2 Nefi 25: Shpëtuar nga Jezu Krishti


“2 Nefi 25: Shpëtuar nga Jezu Krishti”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“2 Nefi 25”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

2 Nefi 25

Shpëtuar nga Jezu Krishti

Jezu Krishti

A të ka lehtësuar ose shpëtuar dikush nga një situatë e vështirë? Çfarë ndien për atë person pas ndihmës së tij ose të saj? Pasi theksoi rëndësinë e mësimeve profetike, Nefi dëshmoi se vetëm Jezu Krishti e ka fuqinë për t’i shpëtuar të gjithë njerëzit. Ky mësim do të të ndihmojë të kuptosh se si shpëtohesh me anë të hirit të Jezu Krishtit.

Mësimdhënia e shkrimeve të shenjta dhe e fjalëve të profetëve. Doktrina e vërtetë dhe parimet e ungjillit të Jezu Krishtit janë në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve. Ndërsa i ndihmoni nxënësit t’i studiojnë këto, Fryma e Shenjtë mund të dëshmojë për të vërtetën në mendjen dhe zemrën e tyre. Ata mund të bëhen më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti duke i zbatuar me qëndrueshmëri doktrinën e vërtetë dhe parimet.

Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të vijnë në klasë të përgatitur për të folur rreth një mesazhi për Jezu Krishtin që ka ndikuar tek ata.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

E vetmja mënyrë në të cilën mund të shpëtohemi

Për ta filluar mësimin, tregoni një ndodhi të dikujt që çlirohet ose shpëtohet. Mund t’u kërkoni gjithashtu nxënësve të tregojnë rreth një rasti kur ata ose dikush që e njohin, u çlirua ose shpëtua.

ChurchofJesusChrist.org

5:36

Te 2 Nefi 25, Nefi i kujtoi popullit të tij që profetët dëshmuan se Jezu Krishti është Mesia, që do të thotë I Vajosuri ose Çlirimtari i të gjithë njerëzve (shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mesia”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Nefi shënoi se ndonëse judenjtë do të shpërndaheshin për shkak të mosbesimit të tyre, po të besonin te Jezu Krishti, Zoti do t’i mblidhte dhe do t’i “rivendos[te ata] nga gjendja e tyre e humbur dhe e rënë” (2 Nefi 25:15–17).

Lexo te 2 Nefi 25:18–20, duke kërkuar atë që dha mësim Nefi rreth mënyrës se si judenjtë (dhe të gjithë fëmijët e Perëndisë) do të shpëtohen. Mund të të vijë në ndihmë ta dish se në shkrimet e shenjta, fjala emri mund të përdoret për të përfaqësuar fuqinë ose autoritetin e një personi. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur i referohet Shpëtimtarit.

  • Nga se na shpëton Jezu Krishti?

  • Si do të ishte po të mos e kishim një Shpëtimtar?

Shpëtuar nëpërmjet hirit

Lexo te 2 Nefi 25:23, duke kërkuar se në ç’mënyrë na shpëton Jezu Krishti.

Pjesa vijuese ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë më mirë hirin.

Informacion shtesë rreth hirit është në dispozicion në pjesën “Komente dhe Informacion për Rrethanat”.

  • Cilat janë disa pyetje që mund të bësh për të fituar një kuptueshmëri më të thellë për mësimet e Nefit te vargu 23?

Merreni parasysh t’i shkruani pyetjet e nxënësve në tabelë. Ata mund të bëjnë pyetje të tilla si: “Çfarë është hiri?” dhe “Çfarë do të thotë që ne shpëtohemi pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë?”

Përdoreni materialin vijues për t’i ndihmuar nxënësit t’u përgjigjen pyetjeve të tyre.

“Hiri është ndihma ose forca hyjnore që na jepet nëpërmjet Shlyerjes së Zotit Jezu Krisht. …

Hiri është një dhuratë nga Ati Qiellor dhënë nëpërmjet Birit të Tij, Jezu Krishtit. Fjala hir, siç përdoret në shkrimet e shenjta, i referohet së pari fuqisë aftësuese dhe shërimit shpirtëror të ofruar nëpërmjet mëshirës dhe dashurisë së Jezu Krishtit.” (Gospel Topics, “Grace”, topics.ChurchofJesusChrist.org)

Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, shpjegoi:

19:13
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Pyes veten nëse ngandonjëherë ne e keqinterpretojmë frazën ‘pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë’. Duhet të kuptojmë se fjala ‘pas’ nuk është e barabartë me togfjalëshin ‘për shkak të’.

Ne nuk shpëtohemi ‘për shkak të’ gjithçkaje që ne mund të bëjmë. A e ka bërë ndonjëri prej nesh gjithçka që ne mund të bëjmë? A pret Perëndia derisa ne ta kemi bërë çdo përpjekje, përpara se Ai të ndërhyjë në jetën tonë me hirin e Tij shpëtues?

Shumë njerëz ndihen të shkurajuar ngaqë vazhdimisht nuk ia dalin të bëjnë gjithçka që iu kërkohet. Ata e dinë nga përvoja e tyre se ‘fryma është gati, por mishi është i dobët’ [Mateu 26:41]. Ata e ngrenë zërin e tyre me Nefin duke shpallur: ‘Shpirti im pikëllohet për shkak të paudhësive të mia’ [2 Nefi 4:17].

Jam i sigurt që Nefi e dinte se hiri i Shpëtimtarit na lejon dhe aftëson ta mposhtim mëkatin [shih tek Alma 34:31]. Kjo është arsyeja përse Nefi punoi me kaq zell për t’i bindur fëmijët dhe vëllezërit e tij që ‘të beso[nin] në Krisht[in] dhe të pajtohe[shin] me Perëndinë’ [2 Nefi 25:23].

Pas gjithçkaje, ajo është gjëja që ne mund të bëjmë! Dhe ajo është detyra jonë në vdekshmëri! …

Sot dhe përgjithmonë hiri i Perëndisë është [në dispozicion] për të gjithë ata, zemrat e të cilëve janë të thyera dhe shpirtrat e të cilëve janë të penduar [shih tek 3 Nefi 9:19–20].” (Diter F. Uhtdorf, “Dhurata e Hirit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 110)

Përdorni një ose më shumë nga pyetjet vijuese për t’i ndihmuar nxënësit të japin mendimet e tyre. Mund të keni nxitjen të bëni pyetje për ndjekjen e ecurisë ose të tregoni për një rast kur e përjetuat hirin e Shpëtimtarit. Mund të merrni parasysh edhe të jepni një shembull të mënyrës se si hiri i Shpëtimtarit ju ndihmoi ju ose dikë që e njihni.

  • Si do t’i përshkruaje ndjenjat e tua për Shpëtimtarin, duke e ditur që hiri i Tij është në dispozicion për ty personalisht?

  • Cilat janë disa nga mënyrat se si mund të kesh qasje te hiri i Shpëtimtarit?

  • Cilat aspekte të jetës sate mund të jenë të ndryshme po ta ndiesh më shumë hirin e Shpëtimtarit? Në çfarë mënyrash?

Reflekto për një çast për atë që ke mësuar rreth faktit që Jezu Krishti është e vetmja mënyrë se si mund të shpëtohesh. Cili mesazh ose e vërtetë ishte më domethënëse për ty ose të bëri të dëshiroje ta përlëvdoje Jezu Krishtin? Çfarë ndihesh i nxitur të bësh për shkak të asaj që mësove dhe ndjeve? Nëse dëshiron, mund t’i shënosh mendimet e tua në ditarin tënd të studimit.

Gëzohuni në Krishtin

Për shkak se Nefi qe në dijeni të hirit dhe fuqisë së Shpëtimtarit për të shpëtuar, ai shkroi për t’i ndihmuar të tjerët të besojnë te Krishti. Lexo te 2 Nefi 25:26 duke kërkuar atë që mund të bëjmë për t’i ndihmuar të tjerët të besojnë te Jezu Krishti. Nëse dëshiron, mund t’i shenjosh fjalët e ndryshme vepruese që përdoren në këtë varg.

  • Cilat fjalë në këtë varg të bënë më shumë përshtypje?

  • Çfarë ndikimi ka pasur në jetën tënde ajo që dikush tjetër ka treguar rreth Jezu Krishtit?

  • Si mund të forcohet marrëdhënia jote me Jezu Krishtin duke iu treguar të tjerëve ndjenjat personale rreth Tij?

Për t’i ndihmuar nxënësit ta vënë në zbatim vargun 26, merrni parasysh ta ndani klasën në dyshe ose në grupe të vogla dhe t’i ftoni ata të “flasi[n] për Krishtin” me njëri-tjetrin duke treguar mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth Jezu Krishtit. Nxënësit gjithashtu mund ta përfundojnë orën mësimore duke e plotësuar individualisht veprimtarinë vijuese:

Mendo për dikë në jetën tënde që mund të përfitonte po ta kujtoje për dashurinë dhe hirin e Shpëtimtarit. Bëj një mesazh (të tillë si një mesazh në celular, një afishim në mediat shoqërore ose një letër personale) që mund t’ia tregosh atij ose asaj.