“2 Nefi 27: ‘Një Punë [e] Mrekullueshme dhe një Çudi’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“2 Nefi 27”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
2 Nefi 27
“Një Punë [e] Mrekullueshme dhe një Çudi”
Mendo për ngjarjet që do t’i konsideroje të mrekullueshme dhe se si këto ngjarje kanë ndikuar tek ti dhe tek ata që ke përreth. Jezu Krishti premtoi të kryente punën e mrekullueshme të rivendosjes së ungjillit të Tij, përfshirë Librin e Mormonit, në tokë në ditët e mëvonshme. Ky mësim mund të të ndihmojë të ndiesh vlerësim më të madh për Zotin për rivendosjen e Librit të Mormonit në tokë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Diçka e mrekullueshme
Mendo për një person që ka bërë diçka të mrekullueshme për ty ose për dikë që e njeh.
-
Çfarë bëri ky person?
-
Çfarë ndjeve për personin që e bëri këtë? Përse?
Te 2 Nefi 27, Zoti dëshmoi për diçka të mrekullueshme që Ai do të bënte për të na ndihmuar të përballojmë ligësinë dhe braktisjen fetare të ditëve të fundit. Ndërsa studion, përsiat se si ndikon ajo që mëson, tek ajo që ndien ti për Zotin.
Lexo te 2 Nefi 27:25–26, duke kërkuar atë që Zoti premtoi se do të bënte.
Presidenti Rasëll M. Nelson pohoi se kjo “[punë] e mrekullueshme do të përfshinte [daljen në dritë] të Librit të Mormonit dhe Rivendosjen e ungjillit” (“Dëshmi Shkrimesh të Shenjta”, Liahona, nëntor 2007, f. 46).
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga kjo profeci, është se Zoti kreu një punë të mrekullueshme dhe një çudi nëpërmjet daljes në dritë të Librit të Mormonit dhe Rivendosjes së ungjillit të Tij.
-
Çfarë di rreth Librit të Mormonit dhe ungjillit të rivendosur që mund të të bëjë t’iu referohesh atyre si të “mrekullueshme”?
Libri i Mormonit: Një punë e mrekullueshme dhe një çudi
Shumica e kapitullit te 2 Nefi 27 përqendrohet te dalja në dritë e Librit të Mormonit. Përpara se të studiosh më tej nga ky kapitull, shpenzo një çast për të reflektuar për ndjenjat e tua vetjake rreth Librit të Mormonit. A është ai i mrekullueshëm për ty vetë? Përse po ose përse jo? Çfarë pyetjesh ke? Ndërsa studion, kërko mësime që mund të të ndihmojnë ta shohësh më qartë Librin e Mormonit si “një punë të mrekullueshme dhe një çudi”.
Nefi profetizoi se Libri i Mormonit do të dilte në dritë për të ndihmuar për problemet e ditëve të fundit (shih te 2 Nefi 27:6). Ai shkroi edhe që Perëndia do t’u lejonte disa dëshmitarëve t’i vështronin fletët nga të cilat u përkthye Libri i Mormonit, dhe t’i dëshmonin botës për vërtetësinë e librit (shih te 2 Nefi 27:12–14). Nefi më pas dha një profeci rreth disa hollësive që lidhen me përkthimin e Librit të Mormonit.
Profecia e asaj që do të bënte njeriu (2 Nefi 27:15–19) |
Emri i burrit që e përmbushi profecinë (Joseph Smith – Historia 1:63–65) | |
---|---|---|
Njeriu i parë (“nuk është i mësuar”) | ||
Njeriu i dytë (“një tjetri”) | ||
Njeriu i tretë (“[i] mësuari”) |
-
Si mendon, pse Zoti e përdori Jozef Smithin, i cili ishte një njeri i pamësuar, për ta nxjerrë në dritë Librin e Mormonit?
Lexo te 2 Nefi 27:20–23, duke kërkuar arsyet pse Perëndia zgjodhi dikë që nuk ishte i mësuar, për ta përkthyer Librin e Mormonit.
-
Çfarë mësove për Zotin nga këto vargje? Si mund të ndikojë tek ti njohja e këtyre gjërave për Të?
-
Në ç’mënyrë dalja në dritë e Librit të Mormonit është provë e pohimit të Zotit: “Jam në gjendje të bëj punën time”? (Vargu 21.)
Ema Smithi (1804–1879), bashkëshortja e Profetit, dëshmoi për ndihmën hyjnore që mori Jozefi për përkthimin prej tij të Librit të Mormonit:
“Jozef Smithi nuk mund të shkruante dhe as të diktonte një letër me lidhje logjike dhe të formuluar mirë, dhe jo më të diktonte një libër si Libri i Mormonit. Dhe, edhe pse isha pjesëmarrëse aktive në skenat që pasuan … është e mrekullueshme për mua, ‘një mrekulli dhe një çudi’. …
Bindja ime është se Libri i Mormonit ka vërtetësi hyjnore – nuk kam as më të voglin dyshim për të. … Do të kishte qenë e pagjasë që një njeri i mësuar të mund ta bënte atë; dhe, për dikë aq të paditur dhe të pamësuar siç ishte ai, ishte thjesht e pamundur.” (Emma Smith, në “Last Testimony of Sister Emma”, The Saints’ Herald, 1 tetor 1879, f. 290)
-
Në bazë të asaj që mësove sot, në ç’mënyrë dalja në dritë e Librit të Mormonit është “një punë [e] mrekullueshme dhe një çudi”?
-
Si ndikon njohuria se Zoti na e ka siguruar këtë bekim tek ajo që ndien për Të?
-
Çfarë përvojash ke pasur ti ose të tjerët që e ilustrojnë faktin se sa i mrekullueshëm është Libri i Mormonit?
Për të parë shembuj të faktit se sa i mrekullueshëm është Libri i Mormonit, mund të shohësh materialin filmik “Zgjidhja e Problemeve të Jetës me Librin e Mormonit” (01:00) ose “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?” nga kodi kohor 05:38 deri në 11:26. Të dyja materialet filmike mund të gjenden në ChurchofJesusChrist.org.
Më herët në mësim, t’u kërkua të mendosh për ndjenjat e tua rreth Librit të Mormonit. Merre parasysh a ka ndikuar ndonjëra nga të vërtetat që ke studiuar sot, te dëshmia jote për këtë libër të shenjtë. Në ditarin tënd të studimit, shëno çfarëdo mendimi ose përshtypje që ke marrë, si dhe veprimet e ardhshme që ke ndier nxitjen të ndërmarrësh.