Seminari
Zotërimi Doktrinor: 2 Nefi 28:30 – “Rresht pas Rreshti, Parim pas Parimi”


“Zotërimi Doktrinor: 2 Nefi 28:30 – ‘Rresht pas Rreshti, Parim pas Parimi’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Zotërimi Doktrinor: 2 Nefi 28:30”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Zotërimi Doktrinor: 2 Nefi 28:30

“Rresht pas Rreshti, Parim pas Parimi”

i ri dhe e re duke studiuar shkrimet e shenjta

Në një mësim të mëparshëm, “2 Nefi 28:27–32”, studiove vargun te 2 Nefi 28:30 dhe mësove se Perëndia ua zbulon të vërtetën rresht pas rreshti atyre që janë të gatshëm ta marrin atë. Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te 2 Nefi 28:30, të shpjegosh doktrinën e dhënë mësim në këtë fragment dhe t’i zbatosh parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në situata nga jeta reale.

Ndihma ndaj nxënësve që t’i zotërojnë fragmentet e shkrimeve të shenjta të zotërimit doktrinor. Sigurohuni që nxënësit të jenë në dijeni për burimet që mund t’i ndihmojnë ata t’i zotërojnë fragmentet e shkrimeve të shenjta të zotërimit doktrinor. Këto burime përfshijnë programin për telefonat celularë Doctrinal Mastery [Zotërimi Doktrinor] dhe materialin Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2020), i cili përmban një listë me referencat e zotërimit doktrinor dhe frazat kyç të shkrimeve të shenjta.

Përgatitja e nxënësve: Merrni parasysh t’i ftoni nxënësit ta mësojnë përmendsh referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë “2 Nefi 28:30: Perëndia ‘do t’u jap[ë] fëmijëve të njerëzve rresht pas rreshti, parim pas parimi’”.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor është hartuar për t’u dhënë pas mësimit “2 Nefi 28:27–32”, që është mësimi kontekstual për fragmentin e zotërimit doktrinor te 2 Nefi 28:30. Nëse ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor duhet të zhvendoset në një javë tjetër, sigurohuni që të jepni edhe mësimin përkatës kontekstual gjatë asaj jave.

Mëso përmendsh dhe shpjego

Përdorni veprimtaritë vijuese ose një metodë tjetër të efektshme për t’i ndihmuar nxënësit ta mësojnë përmendsh referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te 2 Nefi 28:30 dhe shpjegojini të vërtetat që gjenden në këtë fragment.

Në tabelë, vizatoni katër vija horizontale që duken si shkallë.

vija të shkallëzuara

Ftoni katër nxënës që secili të shkruajë një pjesë të frazës të shkrimit të shenjtë në tabelë siç shihet më poshtë. Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se shkallët mund të na kujtojnë se si Perëndia na mëson “rresht pas rreshti”.

vija të shkallëzuara me tekst

Ftojini nxënësit ta përsëritin referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë me një partner derisa të mund t’i thonë ato përmendsh. Ndërsa nxënësit ushtrohen, merreni parasysh t’i fshini frazat nga tabela për t’i ndihmuar ata t’i mësojnë përmendsh.

Në një mësim të mëparshëm, “2 Nefi 28:27–32”, mësove se Perëndia ua zbulon të vërtetën rresht pas rreshti atyre që do ta marrin atë. Për të të ndihmuar të përgatitesh që ta shpjegosh këtë të vërtetë, përsiati pyetjet vijuese dhe më pas plotësoje veprimtarinë vijuese me shkrim:

  • Çfarë mendon se do të thotë “rresht pas rreshti”?

  • Si mendon se marrja e së vërtetës që na ka dhënë tashmë Perëndia na përgatit për të marrë më tepër?

Zgjidh një nga këto situata ku dikush mund të ketë nevojë për ndihmë nga Perëndia:

  1. Nevoja për këshillë rreth një sfide me të cilën po përballet.

  2. Pasja e dëshirës për të zhvilluar një marrëdhënie më të fortë me Shpëtimtarin.

  3. Dëshira për të kuptuar bekimin e vet patriarkal.

Shkruaj një shpjegim të shkurtër rreth asaj që mëson nga 2 Nefi 28:30 që mund të të ndihmojë në situatën që zgjodhe.

Ftojini nxënësit të punojnë në dyshe ose në grupe të vogla dhe ta diskutojnë shpjegimin për situatat që zgjodhën.

Lëvizni nëpër klasë dhe ofroni ndihmë sipas nevojës. Pas kësaj veprimtarie, ftojini disa nxënës që t’ia tregojnë klasës shpjegimet e tyre.

Ushtroje vënien në zbatim

Ndihmojini nxënësit t’i shqyrtojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Mund t’u kujtoni atyre parimin e parë (veproni me besim) dhe t’u kërkoni disa nxënësve të tregojnë fjalë ose fraza që e përshkruajnë atë që mësojmë nga ai parim. Përsëriteni këtë me dy parimet e tjera. Nëse është e nevojshme, rishikojini këto parime në paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” të materialit Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2020).

Lexoji dy skenarët vijues rreth një të riu dhe një të reje nga e njëjta lagje të cilët frekuentojnë një mbledhje agjërimi dhe dëshmish. Secili ka mendime të ndryshme gjatë mbledhjes.

Merrni parasysh ta ndani klasën në dy grupe dhe t’i caktoni një skenar secilit grup. Paraqitini skenarët dhe pyetjet poshtë secilit nga parimet në vijim të marrjes së njohurisë shpirtërore ose jepini çdo grupi një kopje të tyre për ta përdorur gjatë diskutimit të tyre.

Mund t’i ftoni nxënësit edhe që të krijojnë një skenar të ndryshëm që lidhet me vargun te 2 Nefi 28:30. Vërini ata t’i përdorin parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore dhe doktrinën nga vargu te 2 Nefi 28:30 që t’i ndihmojnë për skenarin që krijuan.

  1. Tomi fillon të pyesë veten se çfarë nuk shkon me të. Ai beson te Perëndia dhe se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vërtetë. Por ai ndien sikur dëshmia e tij është e dobët krahasuar me anëtarët e tjerë të lagjes. Ai pyet veten a është madje e mundur për të që t’i dijë ndonjëherë vetë të gjitha gjërat për të cilat po dëshmojnë të tjerët.

  2. Nga mesi i mbledhjes, Liza nuk u kushton më vëmendje dëshmive. Ajo mendon me vete: “E kam dëgjuar tashmë gjithçka që po thonë ata dhe e di tashmë se është e gjitha e vërtetë”. Ajo gjithashtu ka ndier më pak dëshirë për t’i lexuar shkrimet e shenjta dhe për të frekuentuar seminarin sepse ndien se dëshmia e saj është tashmë e fortë mjaftueshëm.

Përshkruaj se si do ta përdorje secilin nga parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për ta ndihmuar Tomin ose Lizën për situatën e vet. Nëse është e nevojshme, pyetjet vijuese mund të të ndihmojnë.

Vepro me besim

Lexoje paragrafin 7 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor.

  • Çfarë mund të tregoje nga ky paragraf për ta ndihmuar Tomin ose Lizën që të veprojë me besim?

  • Si mund ta ndihmojnë të vërtetat nga 2 Nefi 28:30 Tomin ose Lizën që të veprojë me besim?

Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm

  • Duke përdorur atë që ke mësuar nga 2 Nefi 28:30, çfarë mund të thoshe për ta ndihmuar Tomin ose Lizën ta shohë situatën e vet më shumë siç e sheh Zoti?

  • Çfarë të vërtetash të tjera mund të thuash për t’i ndihmuar ata t’i shohin shqetësimet e tyre me një këndvështrim të përjetshëm?

  • Çfarë di rreth Perëndisë që mund t’i ndihmojë ata ta shohin veten siç bën Ai?

Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore

  • Pse mund të jetë e dobishme për Tomin ose Lizën që të flasë me prindërit e vet ose udhëheqësit e kishës rreth mendimeve të veta?

  • Për çfarë vargjesh ose historish nga shkrimet e shenjta mund të mendosh të cilat mund t’i ndihmojnë ata?

Pas njëfarë kohe, ftojini nxënësit të lëvizin nëpër klasë, të gjejnë dikë që studioi një skenar të ndryshëm dhe t’ia tregojnë atë që mësuan. Më pas, ftojini disa vullnetarë që t’ia tregojnë klasës atë që shkruan.

Përsëritja e zotërimit doktrinor

Gjatë mësimeve të ardhshme, ndihmojini nxënësit ta përsëritin shkurtimisht referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te 2 Nefi 28:30. Një mënyrë për ta bërë këtë është ta përsëritni veprimtarinë nga ky mësim, të vizatoni katër vija horizontale në tabelë dhe t’u kërkoni nxënësve ta plotësojnë referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë nga ajo që mbajnë mend. Ndihmojini nxënësit nëse nevojitet. Më pas ftojini nxënësit ta përsëritin referencën dhe frazën kyç disa herë derisa ta kenë mësuar përmendsh.