Seminari
Jakobi [LiM] 4: “Besimi Ynë Bëhet i Patundur”


“Jakobi [LiM] 4: ‘Besimi Ynë Bëhet i Patundur’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Jakobi [LiM] 4”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Jakobi [LiM] 4

“Besimi Ynë Bëhet i Patundur”

Pamja
fletët e arta

Gdhendja e fjalëve në fletë prej metali nuk ishte një punë e lehtë (shih te Jakobi [LiM] 4:1). Pra, pse Jakobi do të përpiqej për ta bërë atë? Ai e kishte përjetuar gëzimin e njohjes së Shpëtimtarit dhe dëshironte të na ndihmonte edhe ne që të vinim te Shpëtimtari. Ky mësim mund të të ndihmojë ta forcosh besimin tënd te Jezu Krishti me anë të përcaktimit, shënimit dhe përsiatjes së parimeve dhe të vërtetave që dha mësim Jakobi.

Përcaktimi i doktrinës dhe parimeve në shkrimet e shenjta. Ndihmojini nxënësit të mësojnë të përcaktojnë doktrinën dhe parimet në shkrimet e shenjta nëpërmjet përpjekjeve dhe ushtrimit të kujdesshëm. Ndonjëherë ato pohohen qartë, ndërkohë që herë të tjera ato qëndrojnë pas një tregimi në shkrimet e shenjta. Ndërsa nxënësit e rritin këtë aftësi, do të ketë më tepër gjasa që ata t’iu drejtohen shkrimeve të shenjta për udhërrëfim dhe përgjigje për pyetjet.

Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të lexojnë te Jakobi [LiM] 4:7–14 dhe të përgatiten të tregojnë një parim ose të vërtetë që gjejnë, që ndiejnë se është veçanërisht e nevojshme në botë sot.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Çfarë do të thoshe?

Për veprimtarinë vijuese me shkrim, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të lexojnë përshkrimin e Jakobit për vështirësinë e të shkruarit mbi fletët te Jakobi [LiM] 4:1–3. Pastaj ftojini nxënësit të përdorin çfarëdo objekti të fortë përveç një stilolapsi ose lapsi për të gërvishtur ose “gdhendur” një paragraf të shkurtër në një copë flete metalike ose letre alumini. Kjo mund t’i ndihmojë ata ta vlerësojnë më tepër punën që bëri Jakobi për t’i shënuar fjalët e tij për ne.

Jakobi përmbushi një urdhërim për të shkruar në fletët e vogla “disa nga gjërat që [ai] i konsidero[nte] më të çmueshme” (Jakobi [LiM] 1:2) që brezat e ardhshëm t’i lexonin (shih te Jakobi [LiM] 4:1–3). Imagjino sikur në mënyrë të ngjashme të jetë kërkuar të shkruash një mesazh të shkurtër për njerëzit në të ardhmen.

Shkruaj një paragraf që përmban gjërat më të rëndësishme që di ose që ke përjetuar që t’i lexojnë fëmijët dhe nipërit e mbesat e tua në të ardhmen.

Ftojini nxënësit që nuk ndihen në siklet t’i tregojnë klasës pjesë të asaj që shkruan.

Mesazhi i Jakobit për ne

Ndërsa e studion mesazhin që Jakobi u frymëzua të gdhendte te Jakobi [LiM] 4 që njerëzit në kohën tonë ta lexojnë, do të kesh mundësi të ushtrohesh për të përdorur aftësi të dobishme për studimin e shkrimeve të shenjta. Këto aftësi përfshijnë:

  1. Përcaktimin dhe shënimin e parimeve dhe të vërtetave

  2. Përsiatjen dhe bërjen e pyetjeve që të ndihmojnë t’i kuptosh më mirë të vërtetat dhe parimet

Përdorimi i këtyre aftësive mund të të ndihmojë të mësosh dhe ndiesh më shumë Frymën e Shenjtë ndërsa i studion shkrimet e shenjta.

Pjesa vijuese e mësimit ka për qëllim t’u japë nxënësve një shembull të mënyrës se si t’i përdorin këto aftësi për studimin.

1. Përcaktimi dhe shënimi i parimeve dhe të vërtetave

Është e dobishme të ndalosh kur i lexon shkrimet e shenjta dhe të shënosh atë që mëson si pohime të thjeshta të së vërtetës. Mund të përdorësh vetë fjalët e tua ose të përdorësh fjalë dhe fraza drejtpërdrejt nga shkrimet e shenjta.

Ushtroje përcaktimin e parimeve dhe të vërtetave duke:

  • Lexuar te Jakobi [LiM] 4:1, 4–6, duke kërkuar atë që Jakobi u frymëzua të shënonte rreth Shpëtimtarit.

  • Shenjuar fjalët dhe frazat që janë të rëndësishme për ty.

  • Shënuar në ditarin tënd të studimit ose në shkrimet e tua të shenjta ato që ndien se janë mesazhet më të rëndësishme në këto vargje.

Ftojini nxënësit të tregojnë pohimet e parimeve ose të vërtetave që zbuluan. Nëse nxënësit kanë nevojë për një shembull, merrni parasysh të tregoni parimin e theksuar me ngjyrë të zezë në paragrafin vijues.

Një shembull i një parimi që mund të përcaktosh nga vargu 6 është kërkimi me sinqeritet i fjalëve të profetëve do ta forcojë besimin tim te Jezu Krishti. Merr parasysh ta shënosh këtë parim në ditarin tënd të studimit ose në shkrimet e tua të shenjta në anë të vargut 6.

2. Përsiatja dhe bërja e pyetjeve

Përsiatja mund të të ndihmojë t’i kuptosh dhe zbatosh parimet dhe të vërtetat që përcakton. Mund të përsiatësh pyetje si vijueset:

Merrni parasysh t’i paraqitni ose siguroni një kopje të pyetjeve vijuese. Kjo mund t’i ndihmojnë nxënësit ta kuptojnë më qartë se si ta përdorni këtë aftësi studimi. Kjo do t’u lejojë atyre t’i referohen asaj ndërsa ushtrojnë përdorimin e kësaj aftësie në mënyrë të pavarur më vonë gjatë mësimit.

  • Pse mendoj se njerëzit në kohën tonë kanë nevojë ta dinë këtë të vërtetë?

  • Si gjen zbatim kjo në jetën time?

  • Çfarë do të donte Zoti që të bëja për shkak të asaj që mësova?

Pasi kanë përsiatur për një kohë, ftojini nxënësit të tregojnë atë që mësuan ndërsa përsiatën parimin ose të vërtetën që zbuluan në këtë fragment. Merrni parasysh të tregoni një përvojë vetjake për mënyrën se si një e vërtetë që gjendet në këtë fragment e ka bekuar jetën tuaj.

Pjesa vijuese ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit t’i ushtrojnë aftësitë e përcaktimit, shënimit dhe përsiatjes së atyre që mësojnë nga shkrimet e shenjta. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të zgjedhin a do të donin të punonin me një partner ose vetëm për ta plotësuar këtë veprimtari.

Ushtroje përdorimin e aftësive për studimin e shkrimeve të shenjta

Ushtroji aftësitë e përcaktimit, shënimit dhe përsiatjes së parimeve dhe të vërtetave duke:

  1. Studiuar vargjet te Jakobi [LiM] 4:7–14, duke kërkuar mësime të rëndësishme që Jakobi zgjodhi të shënonte rreth Shpëtimtarit.

  2. Shënuar në ditarin tënd të studimit ose në shkrimet e tua të shenjta një parim ose të vërtetë që ndien se është e rëndësishme që njerëzit në botë sot ta kuptojnë.

    Merreni parasysh të ndaloni përpara se të tregoni hapin e radhës për të ftuar vullnetarë të shkruajnë në tabelë një parim ose të vërtetë që përcaktuan. Kjo do t’u tregojë shembuj parimesh dhe të vërtetash nxënësve që janë me pak përvojë në përcaktimin e tyre.

  3. Duke përsiatur për rëndësinë e asaj që gjete. Bëj pyetje që mund të të ndihmojnë ta kuptosh më mirë dhe ta zbatosh atë në jetën tënde. (Shembuj pyetjesh që mund të përsiatësh gjenden në pjesën “Përsiatja dhe bërja e pyetjeve” më herët në mësim.)

    Informojini nxënësit se ata do të kenë pak minuta për t’u përgatitur që të tregojnë një parim ose të vërtetë që zgjodhën, vargjet në të cilat e gjetën dhe arsyen pse mendojnë që ajo është e rëndësishme. Ata mund të përgatiten që thjesht t’u thonë nxënësve të tjerë atë që mësuan. Ose mund të përgatiten që të tregojnë në mënyra të tjera, të tilla si duke krijuar një meme, duke bërë një vizatim ose duke përgatitur një publikim që mund të shpërndahet në mediat shoqërore. Pikat e renditura vijuese mund të paraqiten për t’i ndihmuar nxënësit ndërsa përgatiten.

    Kërkoni nxënës që mund të kenë nevojë për ndihmë dhe jepjani atë. Merreni parasysh të tregoni informacion që lidhet me këtë nga pjesët “Komente dhe Informacion për Rrethanat” dhe “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit”.

  • Si mund ta ndihmojë parimi ose e vërteta një adoleshent/e për t’ia forcuar besimin te Jezu Krishti

  • Fragmente të tjera të shkrimeve të shenjta ose thënie nga udhëheqësit e Kishës që të ndihmojnë ta kuptosh më mirë këtë parim ose të vërtetë

  • Gjëra që mund t’i përsiatësh dhe pyetje që mund të bësh për të të ndihmuar ta kuptosh më mirë këtë parim ose të vërtetë

  • Mënyrat se si mund t’i zbatosh ato që mësove për ta forcuar besimin tënd te Jezu Krishti

  • Përvoja kur ti ose ata që njeh janë bekuar nga zbatimi i asaj që dha mësim Jakobi

Ftojini nxënësit të lëvizin nëpër dhomë, të gjejnë një nxënës tjetër dhe të tregojnë me radhë atë që përgatitën për rreth dy minuta secili. Po ta lejojë koha, nxënësit pastaj mund të ndërrojnë partnerë dhe përsëri të tregojnë me radhë atë që përgatitën.

Pasi të kenë treguar, ftojini nxënësit të shënojnë në ditarët e tyre të studimit çdo gjë që mësuan që do të donin ta zbatonin në jetën e tyre. Ftojini ata t’i përdorin aftësitë që ushtruan në orën mësimore sot në studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta.

Shtyp në Letër