Jaromi – Omni: Dhurojani Tërë Shpirtin Tuaj Jezu Krishtit
“Jaromi – Omni: Dhurojani Tërë Shpirtin Tuaj Jezu Krishtit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Jaromi – Omni”, Manuali i Mësuesit për Librin e Mormonit
Jaromi – Omni
Dhurojani Tërë Shpirtin Tuaj Jezu Krishtit
Ku drejtohesh për udhërrëfim kur bën zgjedhje të rëndësishme për jetën? Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë dhënë shkrimet e shenjta si një burim parësor për udhërrëfim dhe ndihmë për të gjithë. Librat e Jaromit dhe Omnit përmbajnë mësime të ndryshme që mund të ta bekojnë jetën. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të ushtrosh përcaktimin dhe zbatimin e parimeve nga shkrimet e shenjta që mund të ta bekojnë dhe udhërrëfejnë jetën tënde.
Veprimtari e Mundshme e të Mësuarit
Drejtimi i anijes
Imagjino sikur udhëtimi yt përgjatë jetës është si një anije që lundron në oqean. Cilat janë disa gjëra që mund t’i krahasoni me timonin që e udhërrëfen anijen në udhëtim?
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha një përgjigje të mundshme:
“Parimet e ungjillit janë për mua dhe për ju ashtu siç është timoni për një anije. Parimet e sakta na mundësojnë të gjejmë udhën tonë dhe të qëndrojmë të vendosur, të palëkundur dhe të patundur, me qëllim që të mos e humbasim baraspeshimin dhe të biem në stuhitë e furishme të errësirës e pështjellimit në ditët e mëvonshme.” (Dejvid A. Bednar, “Parimet e Ungjillit Tim”, Liahona, maj 2021, f. 126)
Si mund të jetë një parim i ungjillit si timoni i një anijeje?
Në një shkallë nga 1 te 10, sa i sigurt je se mund t’i përcaktosh parimet e vërteta nga shkrimet e shenjta dhe t’i përdorësh ato për të udhërrëfyer jetën tënde? Pse?
Çfarë ke bërë në të shkuarën që të ka ndihmuar të gjesh parime në shkrimet e shenjta?
Nëse do të doje të përsërisje se si t’i përcaktosh parimet, merr parasysh të rishikosh mësimet vijuese: “2 Nefi 1” dhe “Jakobi [LiM] 4”.
Gjej një çast për të reflektuar mbi një parim të kohëve të fundit që përcaktove gjatë seminarit ose studimit tënd vetjak të shkrimeve të shenjta.
Çfarë parimi gjete? Si e ka bekuar ai parim jetën tënde?
Përcaktimi i parimeve të ungjillit
Librat e Jaromit dhe Omnit përmbajnë shkrimet e fundit në fletët e vogla të Nefit dhe përfshijnë parime të shumta që mund ta bekojnë jetën tonë. Jaromi i mori fletët nga i ati, Enosi, dhe shënoi vështirësitë dhe bekimet e nefitëve gjatë një periudhe prej afro 40 vjetësh. Më pas, ai ia kaloi fletët të birit, Omnit. Libri i Omnit përmban shkrimet e pesë mbajtësve të ndryshëm nefitë të analeve dhe mbulon afërsisht 190 vjet.
Lexoji fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë dhe ushtro përcaktimin e parimeve të ungjillit që mund ta përdorësh në jetën tënde. Mund të ketë disa parime që përmbahen në secilin grup vargjesh. Përcakto së paku një parim nga secili fragment i shkrimit të shenjtë.
Pasi të përcaktosh një parim, është e rëndësishme të gjesh kohë të përsiatësh se çfarë do të thotë ajo dhe si mund të zbatohet në jetën tënde. Për shembull, tek Omni 1:26 mund të kesh përcaktuar parimin vijues: Nëse vijmë te Krishti dhe i dhurojmë Atij tërë shpirtin tonë, ne do të shpëtohemi.
Cilat janë disa mënyra se si mund të kërkosh ta kuptosh dhe zbatosh më mirë këtë parim?
Sa vijon është një ide:
Mund të jetë e dobishme ta krahasosh këtë parim me diçka që mund t’u ofrosh të tjerëve në jetën e përditshme.
Çfarë mund t’i ofrosh dikujt tjetër?
A ka mënyra se si mund të ofrosh vetëm një pjesë të asaj që mund të japësh? Pse?
Kur mund të ofrosh gjithçka që mund të japësh? Pse?
Si mund të gjejë zbatim kjo për dhurimin e tërë shpirtit tonë Jezu Krishtit?
Si mendon, çfarë do të thotë t’ia dhurosh tërë shpirtin tënd Jezu Krishtit?
Përse mendon se Zoti na kërkon t’i japim Atij tërë shpirtin tonë?
Kë njeh që është një shembull i mirë i dikujt që po përpiqet t’ia japë tërë shpirtin e vet Jezu Krishtit? Si është bekuar ai ose ajo ngaqë e bën këtë?
ChurchofJesusChrist.org
2:3
Merre parasysh të vizatosh një rreth që përfaqëson jetën tënde. Ngjyrose pjesën e rrethit që ndien se e përfaqëson më së miri se sa po i jep aktualisht Zotit nga vetja jote. Gjej një çast për të përsiatur se si mund t’ia japësh më plotësisht tërë shpirtin tënd Jezu Krishtit. Shkruaj një ose dy mënyra se si do të përpiqesh ta bësh këtë dhe se si mund t’i sjellë dobi bërja e këtyre gjërave jetës sate.
Të Kuptuarit dhe Zbatimi i Parimeve
Silli ndër mend parimet që përcaktove më herët nga librat e Jaromit dhe Omnit.
Cili nga parimet që përcaktove është më kuptimploti për ty? Pse?
Si mund ta kuptosh dhe zbatosh më mirë këtë parim?
Si mund të të ndihmojë të jetuarit e këtij parimi për ta drejtuar më mirë jetën tënde për te Jezu Krishti?